Lidhje

Raport i Bankës Botërore mbi Treguesit e Korrupsionit


Një studim i ri i Bankës Botërore tregon se vendet që kanë një qëndrim më të rreptë ndaj korrupsionit kanë ekonomi më të suksesshme dhe ritme të përshpejtuara zhvillimi. Indeksi i përgjithshëm i Bankës Botërore mbi korrupsionin ka për qëllim të masë prirjet globale të qeverisjes së shëndoshë:

Një përfundim i rëndësishëm i studimit të Bankës Botërore është se vullneti politik është çelësi për arritjen e përparimit në luftën kundër korrupsionit. Drejtori i Bankës për Projektet kundër korrupsionit, Daniel Kaufman, thotë se korrupsioni mund të gjendet ngado, por vendet që konsiderohen më pak të korruptuara, ku kryesojnë pesë shtetet nordike dhe Zelanda e Re, kanë një numër karakteristikash të përbashkëta. Këtu përfshihet respektimi i të drejtave të njeriut, stabiliteti politik, një sistem qeveritar efektiv dhe me parametrat e nevojshëm të kërkesës së llogarisë, politika të tregut të hapur si dhe shteti i fortë ligjor.

Zoti Kaufman thotë se një tjetër përfundim i rëndësishëm është se në vendet në zhvillim ku korrupsioni është i ulët, standartet e jetesës janë deri në 300 për qind më të larta. Për më tepër, vendet që arrijnë përparim në luftën kundër korrupsionit tërheqin më shumë investime të huaja. “Korrupsioni ndikon në klimën e investimeve në mënyrë më të fuqishme se sa faktorët që merren në shqyrtim për klimën e investimeve, për shembull si numri i ditëve që kërkohen për të hapur një biznes,” thotë zoti Kaufman.

Një përfundim me interes për vendet në zhvillim është se masat e fuqishme kundër korrupsionit çojnë në përparim të ndjeshëm brenda një periudhe 6-8 vjeçare. Studimi i Bankës Botërore mori në shqyrtim 352 tregues të korrupsionit në më shumë se 200 vende si të zhvilluara ashtu edhe në zhvillim.

Zoti Kaufman paralajmëron se nuk duhet t’i kushtohet një vëmendje e madhe renditjes së një vendi në listën e treguesve të korrupsionit ose ndryshimit të kësaj renditjeje nga viti në vit. Kufiri i gabimit, thotë ai, e bën këtë renditje një instrument jo krejtësisht të saktë.

Megjithatë zoti Kaufman shton se kjo përpjekje për të renditur vendet e ndryshme në bazë të nivelit të korrupsionit është e nevojshme dhe se është e mundur të maten prirjet gjatë 8 viteve të fundit, për shembull kush ka arritur përparim dhe kush ka mbetur prapa.

Zoti Kaufman arrin në përfundimin se përpjekjet kundër korrupsionit në të kaluarën nuk kanë sjellë rezultate krejt pozitive: “Gjatë tetë viteve të fundit nuk kemi vërejtur ndonjë përmirësim të ndjeshëm. Prandaj ky raport është në një lloj mënyre një thirje për veprim,” thotë zoti Kaufman, drejtori Projekteve të Bankës Botërore kundër Korrupsionit.

XS
SM
MD
LG