Aktori amerikan Macaulay Culkin, i cili doli të mërkurën si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Majkëll Xheksonit të akuzuar për ngacmim seksual të fëmijve, tha se ylli i muzikës pop nuk e ka ngacmuar atë ndonjëherë seksualisht.
24 vjeçari Culkin tha se sipas tij akuzat ndaj Majkëll Xheksonit janë absurde. Culkin, që shkëlqeu si aktor kur ishte fëmijë, ka qëndruar shpesh tek prona e Majkëll Xheksonit në Kaliforni në fillim të viteve ’90.
Sipas njoftimeve, aktori-fëmijë ka qëndruar atje gjatë natës dhe herë pas here ka fjetur në të njejtin krevat me Majkëll Xheksonin. Por ai hodhi poshtë me forcë çdo hamendësi se gjatë këtyre vizitave tek Majkëll Xheksoni mund të ketë ndodhur ndonjë gjë e papërshtatshme.
Aktori fitoi famë për rolin e tij në komedinë e vitit 1990 “Home Alone” – “I vetëm në Shtëpi”.