Lidhje

Kosovë: Tre ish anëtarë të UÇK-së dënohen për krime lufte dhe krime kundër civilëve


Një panel gjykatësish ndërkombëtarë në Kosovë dënoi sot tre ish-anëtarë të UÇK-së me 20 vjet gjithsej heqje lirie së bashku për krime lufte dhe krime kundër popullsisë civile. Dy prej të akuzuarve u dënuan me nga 6 vjet heqje lirie ndërsa i treti i njohur si komandant Era gjatë luftës, u dënua me 8 vjet heqje lirie. Po sot, ministri maqedonas i mbrojtjes Jovan Manasiefski, bisedoi në Prishtinë me zyrtarët më të lartë dërkombëtarë dhe vendorë, lidhur me regjimin e ri të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë dhe çështje të tjera me interes të ndërsjellë.

Tre shqiptarë të Kosovës, ish-anëtarë të UCK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër popullsisë civile, të njohur si pjesëtarë të "Grupit të Kaçanikut", u dënuan sot nga një gjykatë në Kosovë me 20 vjet heqje lirie së bashku. Dy prej tyre u dënuan me nga 6 vjet burgim ndërsa I treti i njohur me emrin e luftës komandant Era u dënua me 8 vjet heqje lirie.

Vendimi u mor nga një panel gjykatësish ndërkombëtarë, pas 25 seancash gjyqësore. Nga grupi prej pesë vetësh, Rustem Dema dhe Enver Axhami u dënuan me nga 6 vjet heqje lirie ndërsa Ejup Runjeva me 8 vjet heqje lirie. Bujar Tufali dhe Nuhi Trovaliu, u liruan. Të pestë ishin arrestuar në nëntor të vitit 2003.

Po sot, në një zhvillim tjetër, ministri maqedonas i mbrojtjes Jovan Manasiefski, u takua në Prishtinë me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Sorren Jessen Petersen bisedoi me ministrin maqedonas lidhur me regjimin e ri të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë dhe sipas UNMIK-ut, ranë dakord për nevojën që publiku në Kosovë dhe në vendet fqinjë, të mbahet i informuar për procedurat operacionale të zbatimit të kësaj rregullore. Zoti Petersen ka premtuar se procedurat nuk do të përbëjnë barrë për lëvizjen e ligjshme të njerëzve.

Presidenti Ibrahim Rugova, ka thënë pas takimit me zotin Manasiefski, se nuk do të ketë viza, por kjo do të jetë në të mirë të sigurisë së Kosovës dhe në të mirë të Maqedonisë, sepse siguria dhe gjendja stabile në të dy vendet është me rëndësi të ndërsjellë.

Presidenti Rugova ka kërkuar gjithashtu që Beogradi të lejojë serbët e Kosovës që të vendosin vetë, sepse ata janë qytetarë të Kosovës. Zoti Rugova ka thënë se institucionet e Kosovës u kanë ofruar qytetarëve serbë të gjitha mundësitë dhe se tashmë ata janë të integruar në mënyrë administrative. Udhëheqësit e serbëve të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në institucionet e Kosovës që prej 15 muajsh.

Kyeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka biseduar po sot me ministrin maqedonas të mbrojtjes lidhur me gjendjen në Kosovë dhe në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.

XS
SM
MD
LG