Lidhje

Në Andijon të Uzbekistanit gjendje përgjithësisht e qetë


Qyteti Andijon në Uzbekistanin Lindor ishte përgjithësisht i qetë të djelën pas dy ditë dhune ndërmjet ushtarëve dhe demonstruesve anti-qeveritarë, nga të cilat gjetën vdekjen afro 500 vetë. Megjithatë ka patur njoftime për përleshje mes personave të armatosur dhe trupave qeveritare në një rajon pranë kufirit me Kirgistanin. Sipas këtyre njoftimeve, gjatë përleshjeve u vranë disa ushtarë.

Forcat ushtarake uzbeke kanë bllokuar një pjesë të qytetit, ku dy ditë më parë ushtarët hapën zjarr kundër demonstruesve.

Dëshmitarët thonë se shumë banorë janë mbyllur në shtëpi, ndërsa të tjerët kërkojnë trupat e të afërmve ose po varrosin viktimat.

Vlerësimet për numrin e viktimave janë të ndryshme. Sipas një numri të madh dëshmitarësh, të premten qindra vetë u vranë, kur trupa të ushtrisë uzbeke qëlluan me armë zjarri ndaj protestuesve të paarmatosur.

Por Presidenti Islam Karimov tha se vetëm një numër njerëzish janë vrarë duke theksuar se ushtarët ishin urdhëruar të mos qëllonin kundër grave dhe fëmijëve. Ai fajësoi për përleshjet elementët radikalë islamikë, që përpiqen të përmbysin qeverinë. //az//

XS
SM
MD
LG