Misioni i fondit Monetar i cili qëndroi për dy javë në Shqipëri, deklaroi sot se megjithë përmirësimet në pamjen e përgjithshme makroekonomike, një rritje ekonomike e nxitur nga eksportet ende nuk ka zënë vend dhe pengohet nga mungesa në infrastrukturë dhe dobësi institucionale. Misioni i Fondit Monetar ishte në Shqipëri për të bërë rishikimin e fundit të programit tre vjeçar për reduktimin e varfërisë, i cili në fund të këtij viti pritet të pasohet nga një program i ri.
Shqipëria vazhdon të vlerësohet për ruajtjen e qëndrueshmërisë makroekonomike. Sipas misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar politikat e matura fiskale dhe monetare që e kanë lejuar Bankën e Shqipërisë që të ulë normat e interesit e të mbajë inflacion të ulët dhe rezerva të mjaftueshme valutore, pasqyrojnë themele më të forta ekonomike dhe besim të rritur të aktorëve të tregut.
Misioni vlerësoi se deri më tani janë rujatur linjat e parashikuara në zbatimin e buxhetit. Nëse kjo disiplinë do të ruhet gjatë gjithë vitit atëherë për të parën herë do të arrihet suficiti në veprimtarinë korrente që nga fillimi i tranzicionit.
Kjo nënkupton, tha kreu i Misionit Julio Escolano se qeveria do të marrë hua vetëm për të investuar. Por qëndrueshmëria e parametrave kryesorë makroekonomikë nuk është gjithshka:
"Megjithë përmirësimet në pamjen e përgjithshme makro-ekonomike, një rritje ekonomike e nxitur nga eksportet ende nuk ka zënë rrënjë dhe vazhdon të pengohet nga mungesa në infrastrukturë dhe dobësi institucionale", tha zoti Escolano.
Në kuadrin e një defiçiti ende të lartë tregtar dhe rënies së mundshme me kalimin e kohës të transfertave të jashtme (duke përfshirë këtu dërgesat e emigrantëve), impulsi i rritjes, vazhdoi ai - duhet të vijë nga rritja e produktivitetit në sektorin privat. Shqipëria ka nevojë për të tërhequr investime direkte të mëdha strategjike të nevojshme për të rritur pjesën e vet të tregut si në tregun vendas dhe në ato të huaja.
"Progresi në këtë drejtim – saktësoi kreu i misionit të Fonidt Monetar - do të kërkojë investime publike në infrastrukturë, po ashtu si dhe përmirësime të prekshme në integritetin e institucioneve publike dhe të klimës së biznesit në përgjithësi".
Misioni tha gjithashtu se mirëpret përfundimin e sukseshëm dhe të shpejtë të privatizimit të Albtelekomit, i cili duhet të çojë në përmirësimin dhe në një ofertë më konkuruese të shërbimeve të telekomunikacionit.
Misioni i Fondit Monetar ndodhej në Shqiupëri për të bërë rishikimin e fundit të marrëveshjes tre vjeçare për programin e reduktimit të varfërisë, vlera totale e së cilës llogaritet në mbi 42 milion dollarë.
Pas tij Fondi Monetar do të përcaktojë së bashku me autoritetet shqiptare zbatimin e një programi të ri. Sipas ministrit shqiptar të Financave, Arben Malaj sfidat kryesore të ekonmisë shqiptare janë:
"Ruajtja e qëndrueshmërise makroekonomike dhe shfrytëzimi i burimeve që sigurojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë. Përmirësim cilësor i administrimit fiskal duke aplikuar teknologjitë moderne në administratën tatimore e doganore me synim reduktimin e abuzivizmit, korrupsionit dhe ekonomisë informale, Forcimi i shtetit ligjor dhe rritja e kapaciteteve institucionale"
Ministri Malaj theksoi se prioritet përcaktues në marrëveshjen e re do të jenë reformat dhe projektet që përmirësojnë administrimin fiskal. Edhe Misioni i Fondit Monetar u shpreh se në afatin e mesëm një nga sfidat kryesore është përmirësimi i grumbullimit të të ardhurave, duke përfshirë këtu zgjerimin e bazës së taksueshme, forcimin e administrimit në taksa dhe dogana, si dhe formalizimin e veprimtarive ekonomike.
Përparimi në rritjen e nivelit të investimeve të huaja dhe reduktimi i shkallës së lartë të ekonomisë informale, tha zoti Escolano, mund të bëhet vetëm me një sistem modern të administrimit tatimor.