Lidhje

Administrata e presidentit Bush synon ti japë një dinamizëm të ri angazhimit të saj për zgjidhjen e statusit të Kosovës


Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thonë se administrata e presidentit Bush synon ti japë një dinamizëm të ri angazhimit të saj për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Plani i ri i administratës do të paraqitet nesër nga Nënsekretari i Shtetit për çështjet politike Nikolas Burns në një seancë të Kongresit.

Muajt dhe javët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë dhënë sinjale se dëshirojnë të veprojnë më me gjallëri në këtë aspekt. Nënsekretari i Shtetit Nikolas Burns kohët e fundit ishte në Evropë për të kërkuar mbështetjen e aleatëve në rigjallërimin e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Nesër, ai do ta paraqesë zyrtarisht planin e tij në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në një seancë të me titull Kosova – Statusi Aktual dhe i Ardhshëm.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit i thanë Zërit të Amerikës se administrata synon të rigjallërojë përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe se në deklaratën që do të bëjë nesër në Kongres, zoti Burns pritet që ti shtojë një numër elementësh të rinj politikës së tanishme amerikane për Kosovën. Ata thanë se administrata dëshiron të shfaqë seriozitetin e saj përsa i përket angazhimit në rajon.

Ndërkohë sot, Gazeta Washington Post citon një zyrtar të lartë të administratës i cili ka theksuar nevojën për një strategji për zgjidhjen e gjendjes aktuale, pasi ngrirja e gjendjes për dy vjet a më shumë, është shprehur ai, ka të ngjarë të rrisë trysninë deri në një pikë kritike.

Së shpejti Kombet e Bashkuara do të emërojnë ambasadorin norvegjez pranë Natos, Kai Eide për të gjykuar nëse Kosova është gati për bisedimet e statusit përfundimtar. Nëse ai jep një vlerësim pozitiv pas shqyrtimit të gjendjes, Kombet e Bashkuara më pas do të organizojnë negociata ndërkombëtare për të diskutuar nëse Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë, të shpallet e pavarur ose zgjidhja të përfshijë një ndërthurje të këtyre alternativave.

Sipas Uashington Postit, administrata do të nxisë nga njëra anë Kosovën drejt zgjidhjes që propozon, ndërsa nga ana tjetër do të paralajmërojë Serbinë se kapja e dy kriminelëve më të kërkuar të luftës në Bosnje, Karaxhiç dhe Mlladiç, është kusht për marrëdhënie normale me Shtetet e Bashkuara dhe Naton. Nisma e re e administratës, thotë Uashington Posti, duket se është pjesë e përpjekjeve të Sekretares amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs për të shqyrtuar dhe zgjidhur çështje të lëna pas dore gjatë mandatit të parë të presidentit kur administrata ishte e përqëndruar në luftën kundër terrorizmit. Gjithnjë sipas gazetës, zyrtarët e administratës thonë se nuk mund të parashikojnë se si do të përfundojë procesi disa-vjeçar për të ardhmen e Kosovës dhe shtojnë se administrata nuk do të shprehet në mbështetje të ndonjë alternative të veçantë.

Në seancën e nesërme të Kongresit do të flasin edhe disa të ftuar të tjerë: administratori apostolik i Prizrenit, Imzot Mark Sopi, kleriku katolik nga Kosova Lush Gjergji, Ministri i Mjedisit Ardian Gjini dhe Shirley Cloyes DioGuardi e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me qendër në Nju Jork. Të enjten, nënsekretari Burns do të flasë rreth planit për Kosovën në qendrën Woodrow Wilson po në Uashington dhe ne do tju sjellim hollësi në emisionet tona nga të gjitha këto aktivitete.

XS
SM
MD
LG