Lidhje

Engel: Zgjedhjet e lira do të garantonin vazhdimësinë e marrëdhënieve të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë


Një nga anëtarët e Kongresit Amerikan Eliot Engel thotë se mënyra më e mirë për të garantuar vazhdimësinë e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të ishin zgjedhje të lira dhe të drejta në korrik. Zoti Engel tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në se votimet e këtij viti nuk janë të rregullta, Shqipëria do të bënte hapa mbrapa në rrugën e integrimit euro-atlantik. Ligjvenësi Eliot Engel është njeri prej autorëve të rezolutës për zgjedhjet në Shqipëri që u paraqit dje në Dhomën e Përfaqësuesve. Rezulota është paraqitur njëkohësisht edhe në Senat.

Zëri i Amerikës: Në rezolutën për Shqipërinë vlerësohen shumë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, megjithatë vihet në dukje se zgjedhjet e këtij viti do të jenë një faktor qendror për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Cili është komenti juaj lidhur me këtë pjesë të rezolutës?

Eliot Engel: Rezoluta para së gjithash konfirmon miqësinë e fortë mes popullit shqiptar dhe atij amerikan. Aty thuhet se Kongresi amerikan kërkon të sigurohet se zgjedhjet e korrikut do të jenë të lira dhe të drejta. Duam të sigurohemi që këto zgjedhje do të zhvillohen në një frymë demokratike, që gjithkush të jetë në gjendje të shprehë pikëpamjet e tij, të ketë një transparencë të plotë, që njerëzit të lejohen të votojnë lirisht, dhe votimet të zhvillohen në bazë të OSBE-së.

Zëri i Amerikës: Në zgjedhjet që janë zhvilluar gjatë 15 vjetëve të fundit në Shqipëri, që pas komunizmit, ashtu siç vihet në dukje edhe në rezolutë ka pasur shumë probleme, madje disa herë votimet kanë qenë aq difektoze, saqë janë vënë seriozisht në pikëpyetje rezultatet e tyre. Pse Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i tolerojnë më këto probleme?

Eliot Engel: Shpresojmë që ato të mos ndodhin më. Kjo është arsyeja që ne po paraqesim rezolutën. Populli shqiptar dhe partitë politike duhet të kuptojnë se Shtetet e Bashkuara, si mike të Shqipërisë, po ndjekin me vëmendje dhe shpresojnë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Në të kaluarën ka patur akuza që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira dhe të drejta. Unë kam folur si me përfaqësues të qeverisë, ashtu edhe të opozitës dhe të dyja palët po bëjnë përpjekje që zgjedhjet këtë herë të jenë të lira. Për t’u siguruar për këtë, ne do t’i ndjekim ato nga afër. Shpresoj që unë vetë të jem në Shqipëri më 3 korrik, në se do të kem mundësi, që t’i shikoj vetë se si do të zhvillohen zgjedhjet. Ne po shohim nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara dhe shpresojmë që këto zgjedhje t’u japin mundësi qytetarëve shqiptarë që të shprehin lirisht vullnetin e tyre për udhëheqësit e tyre gjatë viteve të ardhshme.

Zëri i Amerikës: Klasa politike shqiptare herë pas here i ka përdorur si kapital politik marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe pikërisht kjo rezolutë tërheq vëmendjen që nuk do të tolerohen zgjedhje të parregullta, pavarësisht nga këto marrëdhënie. Cili është komenti juaj mbi këtë fakt?

Eliot Engel: Nuk ka popull në botë që të jetë më miqësor dhe më pro-amerikan, se sa ai shqiptar dhe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara ka një lidhje të fortë. Ne mendojmë se mënyra më e mirë për të garantuar vazhdimësinë e kësaj miqësie të fortë, është që të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë arsye, ne theksojmë në rezolutë që ne kemi ndjenja të forta miqësie ndaj Shqipërisë, por se mënyra sesi do të zhvillohen zgjedhjet do të përcaktojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në të ardhmen. Ne nuk po përpiqemi t’i diktojmë popullit shqiptar se për kë të votojë, pasi i takon vetë popullit ta vendosë këtë, por ne duam të jemi të sigurt se rezultati i zgjedhjeve do të pasqyrojë votën e popullit. Por nëse zgjedhjet nuk janë të lira dhe të ndershme, ne do të mbajmë qëndrim. Por unë parapëlqej të jem optimist dhe të shoh nga e ardhmja dhe besoj se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme dhe pavarësisht se cila forcë politike fiton, vullneti i popullit shqiptar do të respektohet.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni që Shqipëria është tani në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Eliot Engel: Tani që trashëgimia e komunizmit ka mbetur pas dhe Shqipëria ka patur disa vjet kohë për t’u bërë vend demokratik, mendoj se ka ardhur koha që njerëzit presin që udhëheqja në Shqipëri të marrë përsipër zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mendoj se pesë, ose edhe 10 vjet më parë ishte e vështirë, sepse demokracia ishte diçka e re në Shqipëri, por tani ne duam që ajo të konsolidohet, kështu që nuk mendoj se as ne, as populli shqiptar dhe as komuniteti ndërkombëtar nuk mund të tolerojnë më zgjedhje që nuk janë të lira dhe të ndershme.

Zëri i Amerikës: Disa nga problemet më të rënda aktuale të Shqipërisë janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Në shumë raste janë akuzuar edhe qeveritarët për përfshirje në këtë korrupsion. Çfarë masash mendoni se duhet të marrë qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e korrikut për të luftuar këto dukuri?

Eliot Engel: Është një problem i madh, për të cilin dëgjojmë të flitet shpesh në Washington: për akuza për korrupsion, për trafik droge, për lidhje të ndryshme të tyre me qeverinë. Nuk mund të them nëse janë të vërteta, apo jo, por janë gjëra për të cilat flitet shpesh dhe mendoj se kushdo që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve, një nga përparësitë kryesore, duhet të jetë lufta ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe çdo lloj korrupsioni brenda ose jashtë qeverisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që autoritetet shqiptare të ndërmarrin masa të shpejta, të rrepta dhe të vendosura, që t’i tregojnë botës se janë seriozë për të luftuar korrupsionin dhe për t’u bërë pjesë e një demokracie të re.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se do të ndikojë mbajtja e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen euro-atlantike, për perspektivën dhe aspirtatat euro-atlantike të Shqipërisë?

Eliot Engel: Unë jam përkrahës i fortë i integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në institucione të tjera. Mendoj se është diçka shumë e rëndësishme. Mendoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar do të ndjekë me kujdes sesi zhvillohen këto zgjedhje. Prandaj këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, nëse ato dëshmojnë se Shqipëria ka lëvizur drejt demokracisë, shanset që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s dhe e gjithë organizatave të tjera ku dëshiron të hyjë do të përmirësohen shumë. Por nëse ka përsëri probleme dhe nuk janë plotësisht demokratike, nëse ka korrupsion dhe jo transparencë të plotë, atëherë kjo e kthen rrugën e Shqipërisë drejt këtyre institucioneve disa vite prapa. Megjithatë unë jam optimist dhe kam shpresa që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe se Shqipëria do të ecë me hapa të shpejta drejt anëtarësimit në NATTO dhe organizata të tjera.

XS
SM
MD
LG