Lidhje

Siria hedh poshtë se udhëheqës të kryengritësve në Irak janë takuar muajin e kaluar në territorin e saj


Zyrtarët sirianë mohuan akuzat e ushtrisë amerikane se udhëheqës të kryengritësve në Irak, të lidhur me Abu Musab Al Zarqawin, janë takuar muajin e kaluar në Siri.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme i tha të enjten Zërit të Amerikës se Siria po bën përpjekje maksimale që nga viti i kaluar për të ndaluar kryengritësit të futen në Irak.

Damasku, tha zyrtari, i ka kërkuar Uashingtonit, bashkëpunim më të madh në fushat e sigurimit dhe zbulimit, duke shtuar se gjendja në Irak përbën shqetësim për këdo në rajon.

Të mërkurën një zyrtar amerikan e lidhi takimin që Uashingtoni pretendon se është bërë në Siri, me shtimin e dhunës së kryengritësve kohët e fundit, që ka shkaktuar 400 të vrarë që nga fillimi i muajit Maj.

Nga dhuna e së enjtes në rajonet qendrore dhe veriore të Irakut humbën jetën të paktën 13 vetë, mes tyre edhe një ushtar amerikan.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Iranit u takua të enjten me Ajatollahun e Madh, Ali al-Sistani, në shtëpinë e këtij të fundit në Naxhaf. Ajatollahu i cili ka lindur në Iran, është figura më e lartë në hierarkinë e klerikëve shi’itë. Nuk ka hollësi nga bisedimet, por të dy ata bënë thirrje për qetësi në Irak. //az//

XS
SM
MD
LG