Lidhje

Sekretari i Sigurisë Kombëtare kërkon më shumë bashkëpunim me evropianët


Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Michael Chertoff bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Evropë dhe gjetkë në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Sekretari Chertoff i bëri këto komente në Washington, disa ditë para një udhëtimi në Evropë, ku do të zhvillojë konsultime me homologët e tij evropianë.

Në fjalën që mbajti para gazetarëve dhe akademikëve, sekretari Chertoff sugjeroi se kur vjen fjala për luftën kundër terrorzimit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet ta luftojnë zjarrin me zjarr. “Kjo nuk është një luftë që ne do ta fitojmë ashtu sikurse fituam Luftën e Dytë Botërore, duke çuar forca të mëdha në fushën e betejës. Kjo është luftë kundër rrjeteve. Në këtë luftë ne duhet të krijojmë rrjetin tonë për të luftuar atë të armikut.” Rrjeti kundër terrorizmit, për të cilin bën fjalë zoti Chertoff përbëhet nga vende që bashkëpunojnë ngushtë me njeri-tjetrin në fushën e zbulimit, sigurisë dhe fusha të tjera, për të gjetur dhe shkatërruar organizatat terroriste.

Administrata e Presidentit Bush ka kohë që thotë se bashkëpunimi transatlantike në fushën e zbulimit dhe format e tjera të bashkëpunimit vazhdojnë të jenë të fuqishme, megjithë mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre lidhur me luftën në Irak. Por Sekretari Chertoff thotë se bashkëpunimi duhet çuar një hap përpara. “Si mund të bashkëpunojmë më mirë dhe jo thjesht në raste të veçanta por si mund të ndërtojmë një partneritet të vërtetë, i cili do të operojë në një mision të përqëndruar, ku ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë matanë oqeanit, për të plotësuar një mision të tillë, i cili do të krijojë kushtet e sigurisë për të gjithë botën?”

Mënyra për të realizuar këtë qëllim do të jetë në qendër të udhëtimit të ardhshëm të sekretarit Chertoff në Evropë.

Një çështje tjetër për tu diskutuar mund të jetë politika e re e administratës Bush për pashaportat. Duke filluar nga 26 qershori, udhëtarët që nuk kanë nevojë për viza hyrjeje për në Shtetet e Bashkuara duhet të kenë pasaporta të lexueshme nga pajisjet e sigurimit. Shumë nga këta janë qytetarë nga vende të Evropës Perendimore.

Sekretari Chertoff kërkon gjithashtu teknologji të reja për identifikimin dhe kontrollin e hollësishëm si të njerëzve, edhe të bagazheve. Ai mbështet idenë e krijimit të të ashtuquajturve “zonave të sigurisë” në aeroporte ku njerëzit dhe bagazhet e kontrolluar paraprakisht mund të lëvizin me shpejtësi dhe me efikasitet nga njeri vend në tjetrin, duke i lejuar kështu zyrtarët e rendit të përqëndorhen në kërcënimet aktuale.

XS
SM
MD
LG