Lidhje

Presidentët Bush e Karzai, dakort të forcojnë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të sigurimit


Presidenti Bush dhe Presidenti afgan Hamid Karzai ranë dakort të forcojnë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të sigurimit. Dy presidentët u takuan sot në Shtëpinë e Bardhë.

Dy presidentët u takuan në një kohë që tensionet mes vendeve të tyre janë shtuar. Por në komentet publike të dy udhëheqësit bënë përpjekjet maksimale për t’u treguar sa më të ngrohtë dhe në komentet e tyre u përqëndruan në të ardhmen.

Para takimit, Presidenti Karzai tha se dëshironte më shumë kontroll mbi operacionet ushtarake amerikane në vendin e tij. Po ashtu ai tha se të gjithë të arrestuarit afganë që mbahen nga trupat amerikane duhet t’i rikthehen qeverisë së tij dhe bëri thirrje për një ndihmë më të efektshme ndërkombëtare për të shkatërruar bimët narkotike.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Presidenti Bush tha se rreth 20 mijë trupat amerikane në Afganistan do të mbeten nën komandën amerikane. Por presidenti shtoi se ato do t’i marrin në konsideratë shqetësimet afgane ndërsa përpiqen të gjejnë terroristët e mbetur të Al-Kaidës. “Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie bashkëpunimi dhe këshillimi. Komandantët tanë dhe misioni ynë diplomatik atje këshillohen me qeverinë afgane.” Presidenti Bush tha më tej se Shtetet e Bashkuara do të dëshironin t’i transferonin me kalimin e kohës, të ndaluarit në bazën e Guantanamos në Kubë, që mbahen nga forcat amerikane, nën kontrollin e qeverisë afgane.

Por që të bëhet kjo, tha Presidenti Bush, në Afganistan duhet të ekzistojnë objektet e duhura për mbajtjen e tyre. “Ne duam që njerëzit të kthehen. Por nga ana tjetër duam që atje të ketë objekte ku ata të strehohen, të ushqehen dhe të jenë në mbikqyrje.” Kohët e fundit ka patur njoftime për keqtrajtime të të ndaluarve në Guantanamo.

Presidenti Karzai e bëri më se të qartë se ai është i shqetësuar rreth kësaj çështjeje, por shtoi se në se ka patur keqtrajtime, ato janë bërë nga disa individë dhe nuk pasqyrojnë ndjenjat e popullit amerikan.

Presidenti Karzai përmendi të njejtën gjë, kur u pyet rreth artikullit të revistës Newsweek, që u bë shkas për dhunë në Afganistan. Revista më pas u detyra ta tërhiqte artikullin, duke thënë se nuk ishte e sigurtë për faktet në të. “Ngjarja e revistës Newsweek nuk është një ngjarje amerikane. Kjo është ajo që kuptojmë ne në Afganistan”, tha presidenti.

I pyetur nga gazetarët, presidenti afgan po ashtu theksoi vendosmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për të luftuar bimët narkutike, që përdoren për prodhimin e heroinës. Në disa rajone të vendit, tha ai, gjatë vitit të fundit, numri i këtyre bimëve është ulur ndjeshëm. “Në se kjo prirje vazhdon, në Afganistan, brenda 5 ose 6 vjetësh nuk do të kemi më bimë narkotike.”

Presidenti Karzai e quajti tregëtinë e drogës një mallkim, që i ka dhënë Afganistanit një emër të keq. Çelësi për të eliminuar bimët narkotike tha ai, është që paralelisht me shkatërrimin e tyre, fermërëve t’u jepen bimë të tjera alternativë për të kultivuar.

XS
SM
MD
LG