Lidhje

GNK: Perëndimi duhet ta vazhdojë trysninë ndaj Serbisë


Megjithëse Serbia ka bërë një farë përparimi përsa i përket krimeve të luftës, qëndrimit ndaj Kosovës dhe reformave ekonomike, trysnia ndërkombëtare ndaj këtij vendi është e nevojshme të vazhdojë që vendi të mos rrëshqasë pas. Ky është përfundimi në të cilin arrin Grupi Ndërkombëtar i Krizave në një raport të fundit për gjendjen në Serbi të botuar të hënën.

Gjatë muajve të parë të vitit 2005 Serbia ka krijuar një imazh të mirë për vete, duke bërë një ndryshim të ndjeshëm të qëndrimit rreth bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë. Serbia, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ka dërguar sinjale se është disi më e gatshme të angazhojë si komunitetin ndërkombëtar edhe shqiptarët e Kosovës në dialog rreth statusit të Kosovës. Dhe kjo politikë ka dhënë rezultate.

Në vend të vazhdimit të izolitmit të Sërbisë ashtu siç u kërcënua në fillim të vitit, autoritetet e Beogradit kanë marë miratimin e Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet mbi marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, një hap ky i rëndësishëm drejt anëtarësisë.

Sidoqoftë në fusha të tjera të rëndësishme, politikat e Beogradit kanë qënë regresive. Këto qëndrime të Beogradit, duke bërë një hap përpara dhe një hap mbrapa, tregojnë se vazhdimi i presionit të komunitetit ndërkombëtar do të jetë i nevojshëm për të siguruar që reformat vazhdojnë dhe përparimi i vërtetë ndodh. Ka kohë që Serbia e ka zëvendësuar retorikën me një politikë konkrete ndaj Kosovës, duke përsëritur të njëjtin qëndrim se Kosova nuk mund të jetë kurrë e pavarur, ndërkohë që ka injoruar realitetin politik e demografik në vend si dhe pikpamjet e komunitetit ndërkombëtar.

Në të njëtën kohë, dështimi i Sërbisë për t’u përballur me të kaluarën, veçanërisht spastrimin etnik në Kosovë, i ka kushtuar asaj besueshmërinë morale lidhur me këtë çështje. Sërbia ka dështuar të arrestojë personelin policor dhe ushtarakët përgjegjës për krimet e kryera, ndërkohë që nuk ka patur reforma serioze në fushën e sigurimit. Përkundrazi, qeveria sërbe ka mbështetur dhe përforcuar në mënyrë aktive strukturat paralele sërbe në Kosovë dhe ka bllokuar punën e misionit të UNMIK-ut. Në fillim të muajit mars zyrtarët lanë të kuptohet se po rivlerësonin qëndrimin ndaj Kosovës. Kjo ndodhi pasi me sa duket Beogradi e kuptoi se komuniteti ndërkombëtar do të ecte drejt statusit përfundimtar të Kosovës, me ose pa Serbinë.

Parrulla “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, përmbledh mendimin mbizotërues në Beograd. Kjo, theksohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, përbën përparim. Në fund të fundit, thuhet në raport, zyrtarët e Beogradit, synojnë një zgjidhje, që nuk do t’i bënte ata përgjegjës për humbjen e Kosovës. Udhëdheqësit në Beograd, shkruan raporti, kanë pak dëshirë për të kthyer sundimin serb në Kosovë, por shqetësimi i tyre kryesor është të gjejnë një zgjidhje territoriale për tre komunat veriore të banuara nga serbët dhe pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Por ky qëndrim i Beogradit është ende në përpunim e sipër dhe ende nuk dihet në se Serbia do të kërkojë ndarjen e këtyre rajoneve nga Kosova. Ajo që dihet, thuhet në raport, është se zyrtarët në Beograd mezi e presin një konferencë ndërkombëtare për statusin përfundimtar, që t’u jepte atyre justifikimin e duhur politik, për të thënë se nuk kishin asnjë alternativë tjetër për zgjidhjen që u arrit. Megjithëse Beogradi po mban një qëndrim të ri publik për Kosovën, thuhet në raport, ai është kufizuar vetëm për çështjen e statusit. Në terren Beogradi vazhdon të pengojë përpjekjet ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, theksohet në raport, bie në sy këmbëngulja që Beogradi të jetë përfaqësuesi i serbëve të Kosovës dhe që ata duhet t’i bojkotojnë institucionet e saj. Ky qëndrim u përsërit edhe më 10 maj në takimin e qeverisë të kryesuar nga Kryeministri Koshtunica.

Megjithatë shumë politikanë serbë të Kosovës janë kundër këtij qëndrimi të Beogradit. Në përfundim, thekson raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, pa trysninë ndërkombëtare, forcat reformatore në Serbi mund ta gjejnë veten në pakicë dhe nën trysninë e partive nacionaliste. Rezultati i kësaj do të ishte një Serbi, që gradualisht e merr veten nga ana ekonomike, por që vazhdon të mbetet burim i mundshëm paqëndrueshmërie në rajon.

XS
SM
MD
LG