Lidhje

SHBA rigjallëron përpjekjet për ndryshime në Lindjen e Mesme


Shtetet e Bashkuara po i rigjallërojnë përpjekjet për ndryshime në Lindjen e Mesme. Dje, në prag të bisedimeve të Bashkimit Evropian me zyrtarë iranianë lidhur me çështjet bërthamore, Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se bota nuk duhet të tolerojë asnjë përpjekje të Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara vazhduan përpjekjet për të sjellë demokraci në Lindjen e Mesme të hënën, kur Zonja e Parë Laura Bush shprehu mbështetje për planet e presidentit egjiptian Hosni Mubarak për reforma politike.

Duke folur para grupit lobist pro-izraelit, Komisioni i Çështjeve Amerikano-Izraelite, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs mbajti përsëri një qëndrim të prerë ndaj çdo përpjekjeje të Iranit për të prodhuar armë bërthamore. "Shtetet e Bashkuara e kanë përqëndruar vëmendjen ndërkombëtare në përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë. Së bashku me aleatët tanë, ne po punojmë të njohim qartë përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Bota nuk duhet të tolerojë asnjë përpjekje të Iranit për të prodhuar armë të tilla. Nuk mund të tolerojmë gjithashtu përpjekjet e Iranit për të dëmtuar qeveritë demokratike me akte terroriste," tha Sekretarja e Shtetit.

Sekretarja Rajs shtoi gjithashtu se udhëheqësit iranianë, duhet të kenë të qartë se në mbarë Lindjen e Mesme po hedhin rrënjë reformat, dhe kjo prirje do të frymëzojë iranianët të kërkojnë lirinë dhe të drejtat e tyre.

Ndërkaq, Zonja e Parë Laura Bush theksoi një temë të ngjashme gjatë vizitës në Egjipt. Zonja Bush vlerësoi përpjekjet e presidentit Hosni Mubarak që ka ndërmarrë një hap shumë të guximshëm, siç u shpreh ajo, duke u hapur rrugën zgjedhjeve presidenciale me konkurim kandidatësh, dhe jo me një referendum mbi presidentin ekzistues. "Jam shumë, shumë e gëzuar nga ideja e zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend. Mendoj se presidenti Mubarak është treguar shumë i guzimshëm dhe i mençur që e ndërmori hapin e parë," tha zonja Bush.

Duke folur pranë piramidave, zonja Bush shtoi se reformat politike lëvizin ngadalë. Nesër, egjiptianët hedhin votat lidhur me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës së tyre për të lejuar më shumë se një kandidat të konkurojë në zgjedhjet e para presidenciale. Kritikët thonë se kjo masë për reforma nuk është aq e thellë sa duhet.

XS
SM
MD
LG