Lidhje

Diskutim për Aktin Patriotik


Akti Patriotik u miratua nga Kongresi vetëm pak javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Akti u dha agjencive të ruajtjes së rendit më shumë kompetenca për të hetuar terroristët e dyshuar në Shtetet e Bashkuara dhe e bëri më të lehtë për agjencitë e zbulimit të shkëmbejnë informata sekrete me agjencitë e brendëshme të ruajtjes së rendit.

Disa nene të këtij ligji skadojnë në fund të këtij viti, prandaj debati në Kongres lidhur me mbajtjen e tyre në fuqi është intensifikuar.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Robert Mueller i tha një komisioni të Senatit se Akti Patriotik është bërë një element esencial për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga terroristët.

"Aftësia për të shkëmbyer informata mes komunitetit të zbulimit dhe komunitetit të ruajtjes së rendit ka qënë me shumë rëndësi për të garantuar sigurinë e shtetasve amerikanë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Po me aq rëndësi ka qënë shkëmbimi i informatave mes agjencive të ndryshme dhe me homologët tonë jashtë vendit".

Por kritikët e aktit po bëjnë presion për ndryshime që do të pakësonin disa nga kompetencat hetimore të qeverisë që ata mendojnë se janë tepër ndërhyrëse në jetën e individit.

Edhe ligjvënësit që mbështesin Aktin Patriotik kur ai u miratua 4 vjet më parë thonë se disa ndryshime të tij janë të nevojshme. Senator Byron Dorgani është demokrat nga Dakota e Veriut.

"Ai u miratua shumë shpejt pas 11 shtatorit. Mendoj se në Kongres askush nga ne nuk kërkon që Akti Patriotik të shfuqizohet tërësisht. Por atij i duhen bërë disa ndryshime në përputhje me kohën".

Ligjvënës të tjerë po kërkojnë që të shtohen kompetencat hetimore në bazë të Aktit Patriotik kur ligjit t’i afrohet afati i skadimit.

Një nga propozimet që i janë paraqitur Komisionit të Senatit për Zbulimin është ai që parashikon t’i jepen FBI-së kompetenca për të sekuestruar të dhëna personale dhe biznesi në hetimet e rasteve terroriste pa marrë leje nga gjykatësi.

Grupe si Lidhja Amerikane e Lirive Civile e kundërshton idenë si një ndërhyrje të panevojshme në jetën private të individit dhe po përpiqet të tërheqë mbështetje si nga liberalët ashtu edhe konservatorët që i shqetëson çështja e lirive civile.

XS
SM
MD
LG