Lidhje

Charles English: E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë Ballkanit është në Evropë


Gjendja në Kosovë dhe e ardhmja e saj ishin dje në qendër të një diskutimi që u organizua edhe në qendrën Woodrow Wilson. Mes të ftuarve të tjerë foli edhe zyrtari i lartë i departamentit të Shtetit Charles English.

Charles English, Drejtor i Zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, tha se mësimi i nxjerrë nga vitet 1998-1999 është se pa pëlqimin e banorëve, askush nuk mund ta qeverisë Kosovën.

"Mendoj se Kosovën duhet dhe mund ta qeverisin vetë banorët e saj. Ata duhet ta bëjnë këtë me vështrimin nga Evropa, ata duhet ta bëjnë këtë me garanci të besueshme dhe respekt për të drejtat e pakicave, por nuk mendoj se mund ta bëjnë një gjë të tillë pa ndihmë nga miqtë e tyre në çdo fazë të procesit dhe siç tha edhe nënsekretari Burns, ne jemi këtu në Washington dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë".

Zoti English tha Shtetet e Bashkuara shpresojnë që raporti i Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurimit të arrijë në përfundimin që janë plotësuar kushtet për fillimin e procesit për statusin perfundimtar.

Duke argumentuar qëndrimin amerikan që nëse rishikimi i standardeve është i favorshëm, negociatat për statusin përfundimtar të drejtohen nga një evropian, Diplomati i lartë amerikan, tha:

"E ardhmja e Kosovës, statusi i Kosovës, përgjigjia për Kosovën është në Evropë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi. Si Kosova, ashtu edhe Serbia dhe Mali i Zi duhet të kuptojnë se zgjidhja e vërtetë e çështjes së statusit nuk ka të bëjë aq shumë me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, sesa me marrëdhëniet e tyre respektive me Brukselin".

Bruce Jackson, President i Projektit për Demokracitë në Tranzicion, tha se për Kosovën nuk bëhet fjalë thjesht për statusin, por për një integrim të të gjithë rajonit në Evropë:

"Ne duhet të largohemi nga koncepti i menaxhimit të një krize dhe përqendrimi tek Kosova, tek drejtimi që duhet të marrë rajoni dhe të përcaktojmë se si të zgjidhet i gjithë problemi i rajonit".

Ai hodhi edhe idenë që nëse Begradi integrohet në Bashkimin Evopian, kjo do të zgjidhte edhe shumë probleme të tjera në rajon, pasi shumë pjesëtarë të elitës në Beograd e kuptojnë që është më e thjeshtë që Serbia të anëtarësohet në BE, pa Kosovën dhe Malin e Zi.

Ndërsa zoti English u shpreh qartë kundër ndarjes së Kosovës, disa analistë thanë se të gjitha variantet duhet të shtrohen për diskutim, duke u mbështetur tek ajo që duan njerëzit në terren. Megjithatë ata e pranuan se Shtetet e Bashkuara po ecin drejt pavarësisë. Njëri prej tyre ishte Steven Meyer, profesor i Shkencave politike në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare.

"Po lëvizim drejt fazës së ardhshme, drejt pavarësisë, pavarësisht nga ajo që thotë zoti English, Shtetet e Bashkuara po shkojnë në këtë drejtim".

Një ide më e qartë për zhvillimet e mëtejshme rreth procesit të statusit do të mësohet pas takimit të Këshillit të Sigurimit këtë të premte.

XS
SM
MD
LG