Lidhje

Mark Schneider: Me përshpejtimin e proceseve drejt një statusi përfundimtar për Kosovë, ndryshojnë disa qendrime të Serbisë


Mark Schneider, nënpresident i Grupit Ndërkombëtar të Krizave - organizatë që përpiqet për zgjidhjen e konflikteve në botë - thotë se me përshpejtimin e proceseve drejt një statusi përfundimtar për Kosovën, kanë ndryshuar edhe disa qendrime të Serbisë. Por ai thotë se bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga serbët dhe qendrimi i Beogradit në këtë aspekt mund të japin efektin e kundërt.

Zëri i Amerikës: Zoti Schneider, a mund të na përshkruani dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Schneider: Kemi një lëvizje të konsiderueshme për sa u përket marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat më parë kanë qenë tepër statike. Gjatë muajit të fundit, Kryeministri Koshtunica i ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës për bisedime mbi çështje që lidhen me statusin përfundimtar. Çdo gjë që e shpejton një dialog të tillë, është pozitive. Pra, Serbia po e pranon se kushtet po ndryshojnë. Në të njëjtën kohë, komuniteti ndërkombëtar ka tani një kalendar veprimi që është hartuar në bashkëpunim me palët e ndryshme në Kosovë dhe që merr parasysh edhe pikëpamjet e Serbisë përsa i përket çështjes se si mund të kapërcehej gjendja e tanishme në Kosovë drejt përcaktimit të statusit përfundimtar. Të gjitha këto po e ndryshojnë mjaft dinamikën. Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka rekomanduar që ky proces të ecë shumë më shpejt dhe të kuptohet qartë që Kosova nuk do të kthehet më nën sundimin e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Zoti Schneider, Beogradi vazhdon të ngulë këmbë që Kosova të kthehet nën Serbinë, ndërkohë që kjo nuk duket një ide realiste.

Schneider: Edhe në këtë aspekt ka patur një farë ndryshimi në deklaratat dhe qendrimet e tyre gjatë dy muajve të fundit. Një ndryshim tjetër është fakti që Beogradi po përdor tani frazën "më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi". Kjo është mjaft ndryshe nga gjuha që serbët përdornin një vit më parë. Serbët duhet të pranojnë se kushtet kanë ndryshuar, nëse duan të shkojnë drejt marrëdhënieve më të pavarura dhe normale në Evropë, gjë që nuk do të ndodhte, po qe se nuk heqin dorë nga përpjekjet e mëparshme për ta kthyer Kosovën nën Serbinë. Në fakt, edhe nënsekretari i Departamentit të Shtetit, Nick Burns, deklaroi se Kosova nuk do të kthehet në statusin e vitit 1999.

Zëri i Amerikës: Zoti Schneider, ndërkaq Beogradi vazhdon të nxisë serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në institucionet vendase. Si do të ndikojë kjo në rolin e Beogradit kur të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës?

Schneider: Grupi i Krizave ka argumentuar me forcë që kjo është një politikë që sjell efekt të kundërt. Ajo u mohon serbëve të Kosovës mundësinë të thonë fjalën e tyre në institucionet vendase, ndërkohë që miratohen ligjet e vendit. Serbia duhet të bëjë të kundërtën. Ajo duhet të kërkojë që serbët e Kosovës të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u angazhuar dhe për të paraqitur me forcë kërkesat e tyre në kuadër të strukturës institucionale. Ndërkaq udhëheqja e serbëve të Kosovës po fillon të bëhet e vetëdijshme se është në interesin e saj që të marrë pjesë në institucione. Ajo nuk fiton pikë nëse nuk hyn në lojë. Është në interes të komunitetit serb të marrë pjesë në procesin politik.

Zëri i Amerikës: Rusia është një nga vendet pjesëmarrëse në Grupin e Kontaktit. Ajo konsiderohet si një nga miket më të ngushta të Serbisë. A mund ta përshkruani rolin e Rusisë deri tani në Grupin e Kontaktit dhe cili do të ishte qendrimi rus ndaj statusit përfundimtar të Kosovës?

Schneider: Kuptohet që Rusia ka pikëpamjet dhe interesat e veta lidhur me Ballkanin. Ka qenë pjesëmarrëse aktive në Grupin e Kontaktit. Ajo i ka pranuar të gjitha masat që janë marrë përsa i përket statusit, si dhe idenë që ka shprehur Grupi i Kontaktit se nevojitet një kalim i qartë e i përcaktuar drejt statusit përfundimtar. Rusia ka përkrahur idenë e një të dërguari të posaçëm për rishikimin e standardeve e pas kësaj është shprehur për një negociator të posaçëm, që do të ngarkohej për të ndihmuar në hartimin e një procesi i cili do të rezultonte në një status përfundimtar të Kosovës. //az//

XS
SM
MD
LG