Lidhje

Skandali i revistës Newsweek për Kuranin


Revista amerikane Newsweek ka tërhequr një artikull në të cilin pretendohej gabimisht se ushtarë amerikanë kishin përdhosur Kuranin e shenjtë gjatë marrjes në pyetje të të ndaluarve të dyshuar si terroristë në bazën detare amerikane në Gjirin Guatanamo të Kubës.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se mungesa e respektit për Kuranin e shenjtë nuk është lejuar kurrë dhe as nuk do të lejohet kurrë nga Shtetet e Bashkuara”: “Mungesa e respektit për Kuranin e shenjtë, theksoi zonja Rajs, është një sjellje e neveritshme për ne. Respekti për lirinë fetare të të gjithë individëve është një nga parimet themelore të Shteteve të Bashkuara.”

Njoftohet se demonstrata paqesore pati në Indonezi, Pakistan dhe në territoret palestineze. Por, të paktën 15 vetë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë demonstratave të dhunëshme në Afganistan pas botimit të artikullit të revistës Newsweek.

Sipas agjencive të lajmeve, forcat e sigurimit hapën zjarr kundër demonstruesve, të cilët po qëllonin me gurë ndërtesat qeveritare dhe qendrat e agjencive të ndihmave. Dhuna shpërtheu në qytetin lindor afgan të Xhalalabadit. “Në qytet, tha zyrtari afgan Sardar Shah, janë bërë dëme të mëdha. Demonstruesit u kanë vënë zjarrin shumë gjërave.” Ata, theksoi zoti Shah, janë armiqt e paqes dhe të qendrueshmërisë në Afganistan, njerëz që nuk duan të shohin njerëzit të jetojnë në paqe.” Agha është një tregtar në Ghazni, një qytet në pjesën qendrore të Afganistanit. “Të tjerët, i tha ai gazetës Washington Post, shfrytëzuan demonstratën tonë për qëllimet e tyre.” “Bismilahi, ne, i tha korrespondentit të Washington Postit një rrobaqepës në Ghazni, duhet të kishim pritur për prova se Kurani ishte përdhosur.”

Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë për vdekjet në Afganistan, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Skot Maklellen. Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, u bëjnë thirrje të gjithë miqve të tyre të kundërshtojnë nxitjet për dhunë nga ata që do të shtrembëronin pikëpamjet dhe vlertat e Shteteve të Bashkuara.”

XS
SM
MD
LG