Lidhje

Irak: Forcat amerikane fillojnë një operacion të ri kundër kryengritësve


Forcat amerikane në Irak filluan sot një operacion të ri kundër kryengritësve në qytetin perendimor të Hadithas për të ndaluar veprimtarinë e rebelëve, që kanë vrarë më shumë se 600 vetë në mbarë Irakun gjatë muajit të fundit.

Forcat irakiane po marrin gjithashtu pjesë në operacionin e koduar Tregu i Ri, ofensiva e dytë madhore në provincën al-Anbar këtë muaj. Ushtria amerikane tha se kryengritësit në Haditha kanë përdorur taktika të sofistikuara përfshirë një sulm kundër një spitali tre javë më parë nga i cili u vranë katër amerikanë. Shumë nga kryengritësit besohet se janë besnikë të terroristit të kërkuar Abu Musab al Zarkaui.

Dje faqja elektronike e grupit të tij njoftoi se Zarkaui është plagosur dhe u bëri thirrje myslimanëve të luten për shërimin e tij. Sot një faqe tjetër islamike tha se Zarkaui kishte marrë një plumb në mushkrinë e djathtë dhe ishte çuar në një vend fqinjë për tu kuruar. Asnjë nga njoftimet nuk është vërtetuar.

XS
SM
MD
LG