Lidhje

Grupi i Krizave shpreh shqetësimin për tensionet politike në Kosovë


Grupi Ndërkombëtar i Krizave botoi sot një raport të ri për Kosovën të titulluar: Kosova pas Haradinajt. Raporti është një analizë e problemeve dhe tensioneve të brendshme në Kosovë dhe ndikimit negativ që do të kishin ato ndërsa komuniteti ndërkombëtar po përgatitet për të filluar procesin për statusin përfundimtar. Raporti ngre shqetësime serioze për gjendjen politike në Kosovë.

Raporti i sotëm i Grupit Ndërkombëtar të Krizave është një kritikë e ashpër ndaj partive politike në Kosovë, që siç thuhet në të, me qëndrimet dhe luftën me njëra-tjetrën, rrezikojnë të dëmtojnë procesin e pritshëm për statusin përfundimtar.

Mosbesimi ndaj njëra-tjetrës i dy partive kryesore, LDK-së dhe PDK-së, shkruan raporti, po i pengon forcat kryesore politike të arrijnë një konsensus për bisedimet për statusin përfundimtar. Tensioni i kohëve të fundit mes tyre, thotë raporti, rrezikon që të pasohet edhe me vrasje.

Megjithëse komuniteti ndërkombëtar po fillon të lëvizë drejt një forme pavarësie për Kosovën, shkallëzimi i konfliktit të brendshëm politik, dhe vrasja e vëllait të ish-kryeministrit Haradinaj, thekson raporti, tregojnë se rreziqet për paqëndrueshmëri janë serioze.

Aftësia, ose paaftësia, e partive në Kosovë për të bashkëpunuar gjatë muajve të ardhshëm, do të ketë pasoja për aftësinë Kosovës për të funksionuar si shtet në të ardhmen, kur prania e tanishme ndërkombëtare të shndërrohet në një mision të vogël vëzhgues.

Në Kosovë, thotë Grupi i Krizave, ekziston mundësia reale e fraksionalizmave, ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri. Partitë në Kosovë, duhet të jenë të ndërgjegjshme dhe të punojnë për të shmangur një skenar të tillë, ose përndryshe ato do të mbajnë përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për krijimin e shtetit.

Raporti përmban kritika edhe për UNMIK-un, i cili, siç thuhet në të, ndonëse ka dalë nga plogështia, duket se po ndjek më shumë strategjinë si të dalë nga Kosova se sa si të ndërtojë aty institucione shtet-formuese.

Nxitimi që vihet re tani për t’u përgatitur për proceisn e statusit, është i debatueshëm dhe nuk ka për t’i rezistuar provës së kohës, thuhet në raport. UNMIK-u, sipas Grupit të Krizave duhet të lëvizë me vendosmëri dhe shpejtësi për të mbyllur shërbimet e fshehta që mbajnë partitë politike, si dhe për të luftuar korrupsionin, që të lëna pa u zgjidhur, do ta dëmtonin rëndë Kosovën në të ardhmen.

Raporti i sotëm i Grupit Ndërkombëtar të Krizave përkon me njoftimin nga Prishtina, se PDK-ja krijoi një qeveri në hije, të quajtur, kabineti i qeverisjes së mirë.

Këto janë pikërisht kritikat që bën Grupi i Krizave në këtë raport. Ndonëse mendimi i Grupit të Krizave është se shpërbërja e koalicionit gjithë-përfshirës ka çuar në krijimin e një qeverisje më të efektshme për të plotësuar standartet, gjithsesi, çmimi që po paguan Kosova për shkak të tensionit politik dhe gjendjes së sigurisë është i lartë.

Grupi i Krizave thekson se Partia Demorkatike duhet ta pranojë humbjen në zgjedhjet e tetorit dhe të punojë për bisedimet për statusin përfundimtar dhe jo të kërkojë një rol qeverisës për vete nga komuniteti ndërkombëtar dhe të godasë minisitrat e LDK-së.

PDK-ja, thotë raporti, ose beson gabimisht se ka ende shumë kohë para se të fillojë procesi për statusin, ose e quan kaq të papranueshëm sundimin e LDK-së, sa që do të preferonte më mirë që procesi i statusit përfundimtar të mos fillonte derisa të gjendej një mënyrë për të dobësuar dominimin e LDK-së.

LDK-ja nga ana e saj, thuhet në raport, ka treguar paaftësi drejtuese. Presidenti Rugova ndonëse me kushtetutë duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, pranoi të takohet me udhëheqësit e opozitës vetëm pas ndërhyrjes së shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Izolimi dhe pasiviteti i tij, shkruan raporti, kanë ndihmuar në krijimin e asaj gjendjeje që po pengon konsensusin për statusin përfundimtar.

Raporti e thekson qartë se partitë në Kosovë, me përjashtim të synimit të përbashkët për pavarësi, ende nuk kanë arritur të formojnë një pozicion të qartë, ende nuk është parë ndonjë vizion i strukturimit të një shteti të ardhshëm, ende nuk është vënë re ndonjë debat ose marrëveshje për këto çështje nga partitë kryesore.

Grupit të Kontaktit nuk i është dorëzuar ndonjë dokument për këtë qëllim. Kushtetuta, flamuri, sistemi elektoral, statusi i pakicave dhe kushtet, në të cilat do të integrohej veriu i populluar nga banorë serbë, vazhdojnë të mbeten tema tabu, të patrajtuara.

Forumi Poliitk, thekson raporti, duket se është zgjidhja më e përshtatshme për një punë të tillë. Nga ana tjetër, koha po ecën dhe Serbia po rifiton terrenin e humbur politik, thuhet në raport. Shqiptarët, vazhdon më tej ai, rrezikojnë të dalin të papërgatitur në tryezën e bisedimeve. Në se nuk arrihet një marrëveshje paraprake mes tyre, partitë do t’i mbajnë të bllokuar bashkëbiseduesit në tryezë në qëndrimet e tyre maksimaliste pa qenë të përgatitur për alternativa të tjera.

Në se kjo ndodh, Kosova do të ndodhej e papërgatitur ndaj propozimeve të mundshme serbe për kompromis.

XS
SM
MD
LG