Lidhje

Një specialist  thotë se privatizimi i Albtelekomit nuk justifikohet në shumë aspekte


Privatizimi i Albtelekomit nuk justifikohet në shumë aspekte, tha Ismet Hamiti - ish-zyrtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve(BNT) me seli në Gjenevë, organizatë ku aderojnë 189 vende. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hamiti thotë se koha e shitjes së Albtelekomit ka qenë e papërshtatshme përsa u përket prirjeve të tregut ndërkombëtar dhe se nuk mendon që kjo shitje do të ketë ndikim në përmirësimin e shërbimeve telefonike për konsumatorët dhe të sjellë ulje të tarifave në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Hamiti, ditët e fundit u shpall privatizimi i Albtelekomit nga një konsorcium turk, gjë që ngjalli debate te forta. Cili është komenti i juaj?

Ismet Hamiti: Mendoj se qeveria Shqiptare, autoritetet shqiptare nuk kanë patur ndonjë përgjegje bindëse ndaj pyetjes "Përse shitet kjo pasuri e popullit shqiptar?" Pikërisht kjo pyetje duhet shtruar së pari, kur tjetërsohet një pasuri kaq e rëndësishme, kaq e madhe e publikut shqiptar, e popullit shqiptar. Natyrisht nuk ka patur një përgjigje bindëse. Një pasuri shitet për një hall, për të plotësuar një nevojë shumë më të rëndësishme nga sa vlen ajo pasuri. Rastet në vendet e tjera kanë qenë të ndryshme. Diku telekomi është shitur, sepse qeveria është ndodhur para falimentimit dhe i është dashur të shesë diçka për të vazhduar funksionimin e shtetit, e diku tjetër ka patur arësye të tjera të rëndësishme. Mirëpo, në rastin konkret, në Shqipëri, nuk ka përgjigje bindëse se çfarë ka ndër mend të bëjë qeveria shqiptare me të hollat, me fondet e fituara nga shitja e Albtelekomit. Dikush që e quan këtë si suksesin më të madh të privatizimit që nga viti 1997, të dalë e t’i thotë publikut se me këto të holla, me këto fonde ne do të bëjmë diçka që është më vlefshme për publikun shqiptar se Albtelekomi.

Zëri i Amerikës: Po mirë, zoti Hamiti, privatizimi i Albtelekomit, thuhet se do të rrisë edhe më tej shkallën e liberalizimit të tregut të telefonisë në Shqipëri e, për pasojë, edhe konkurrencën, gjë nga e cila mund të përfitojnë konsumatorët.

Ismet Hamiti: Me shitjen e Albtelekomit nuk ka ndodhur asgjë tjetër, veçse është ndërruar pronari dhe ndërrimi i pronarit nuk ka të bëjë aspak me liberalizim. Domethënë, prona e publikut shqiptar tashti është kthyer në pronë të një individi apo dy individëve apo pesë individëve, por kjo s’ka absolutisht të bëjë me liberalizimin apo rritjen e konkurrencës. Këtë e ka dëshmuar gjithashtu edhe i ashtuquajturi privatizim i AMC-së dhe i futjes së Vodafonit (në treg). A keni parë në Shqipëri ndonjë luftë çmimesh ndërmjet këtyre dy operatorëve?!

Zëri i Amerikës: Është folur që "firmat ose korporatat e huaja mund të sjellin në Shqipëri, përveç fondeve, edhe teknologji të lartë".

Ismet Hamiti: Fondet për zhvillimin e telekomunikacioneve asnjëherë nuk kanë qenë problem. Thjesht, telekomunikacioni është biznes fitimprurës dhe fondet për zhvillimin e telekomunikacionit gjenden mjaft lehtë në tregun e kapitalit botëror. E dyta, nuk besoj se ndonjë ekspert i ndonjë konsorciumi do të sillte sillte në Shqipëri dije (ekspertizë) më shumë nga sa ekziston dije në këtë fushë brenda Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hamiti, a mendoni se në momentin e privatizimit Albtelekomi kishte vlerën e tij më të lartë?

Ismet Hamiti: Pasuri si Albtelekomi dhe pasuri të tjera, në të vërtetë, mund të kenë çmime të ndryshme në faza të ndryshme kohore. Në momentin aktual, kompanitë telekomunikuese në tregun botëror nuk kanë ndonjë çmim të lartë, prandaj nuk ka qenë koha që Albtelekomi të shitej. Tani është koha të blihen asete të tilla në tregun botëror. Ai që vepron me përgjegjësi, do të blente asete të tilla, sepse e kanë çmimin më të ulët. Në të vërtetë kohët e fundit është duke u zhvilluar një fenomen shumë i rëndësishëm, një kthesë shumë e rëndësishme në platformat teknologjike të sistemeve komunikuese. Po ndodh një rikthim i rrjeteve fikse, të cilat mendohej se do të vdesin dalëngadalë, dhe kjo kthesë ndodh për shkak të konvergjencës së rrjetit fiks dhe rrjetit mobil. Pra, edhe nga aspekti strategjik, duke patur parasysh këtë kthesë, nuk ka qenë momenti i duhur që të tjetërsohet një pasuni siç është Albtelekomi. Me konceptin e ri të konvergjencës së këtyre dy rrjeteve, rrjeti fiks fiton gjithnjë në vlerë, fiton një rol qendror, në të vërtetë në integrimin, në konvergjencën e të dy rrjeteve.

XS
SM
MD
LG