Lidhje

Cili është Kodorkovski dhe si arriti të bëhej më i pasuri i Rusisë?


Në Moskë mbaroi më në fund gjyqi i gjatë dyvjeçar i njërit prej njerëzve më të pasur të Rusisë. Gjykata e shpalli manjatin e naftës Mikhail Khodorkovski fajtor për një numër akuzash, përfshirë akuzën e mashtrimit dhe të shmangies nga taksat, duke e dënuar atë me 9 vjet burg, minus periudhën që ai e ka kryer. Por cili ishte Khodorkovski dhe si ndodhi që nga njeriu më i pasur i Rusisë, fati i tij përfundoi në duart e gjykatës.

Njoftimi u shpall në ditën e 12 të procesit të vështirë të leximit të vendimit. Ky ishte gjyqi që u ndoq me një vemendje të paparë ndonjëherë në Rusinë pas-sovjetike dhe që është kritikuar gjerësisht si i motivuar politikisht. Khodorkovski, ish presidenti i kompanisë së naftës Yukos dhe që dikur vlerësohej si njeriu më i pasur i Rusisë, ka kaluar tashmë 583 ditë në burg, pra i mbeten tani rreth 7 vjet e gjysmë burgim. Khodorkovski rrinte me një vështrim të përhumbur kur iu shpall dënimi.

I akuzuari tjetër bashkë me të, Platon Lebedev, u shpall fajtor nën të njëjtat akuza dhe mori të njëjtin dënim. “Asnjë njeri i arësyeshëm nuk mund ta kuptojë atë që sapo thatë,” iu drejtua ai trupit gjykues.

Ngritja e Khodorkovskit në kulmet e pasurisë dhe të fuqisë filloi gjatë kohës kur president ishte Boris Yelsini në fillim të viteve 90. Nga shqetësimi se në fuqi mund të vinin komunistët, Yelsini u bëri thirrje për fonde biznesmenëve më të pasur. Meqenëse qeveria nuk qe në gjendje të shlyente këto kredi, biznesmenëve iu dha kontrolli i pasurive natyrore të Rusisë me çmime tepër të ulta. Kjo shënoi fillimin e epokës së oligarkëve. Khodorkovski bleu gjigantin e naftës Yukos në një ankand shtetëror në vitin 1995 me një çmim fare të ulët, 350 milion dollarë.

Gjatë pesë vjetëve që pasuan, ai e ktheu Yukosin në kompaninë më të madhe të vendit. Pasuria e Khodorkovskit arriti sipas vlerësimeve në 15 miliard dollarë. Ai shihej si oligarku kryesor i vendit. Por Khodorkovski ra viktimë e Kremlinit kur ai hyri në politikë, duke u dhënë donacione partive të opozitës dhe duke kritikuar presidentin Vladimir Putin.

Simpatizantët e tij thonë se gjyqi i Khodorkovskit ishte pjesë e një fushate të Kremlinit për ta ndëshkuar dhe për të frenuar ambiciet e tij politike. Dënimi që ka marrë do ta mbajë Khodorkovskin në burg përtej zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008 dhe ndoshta edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2012.

Khodorkovski u arrestua në tetor 2003, kur forcat speciale hynë me forcë në avionin e tij privat në një port të Siberisë. Khodorkovski mendonte se protestat publike në Perëndim dhe brenda Rusisë do ta bënin atë të paprekshëm. Një deputet liberal i parlamentit, Vladimir Rizhkov, tha dje se ekipi i Khodorkovskit duhet të shikojë mundësinë e apelimit të vendimit pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila sipas tij, do të merrte një vendim mbi bazën e arësyes dhe të ligjit.

Njëkohësisht me gjyqin kundër Khodorkovskit, kompania Yukos është ngakuar me detyrime taksash që kapin rreth 28 miliard dollarë. Uzina kryesore e kompanisë u shit nga shteti për të paguar një pjesë të këtyre taksave.

XS
SM
MD
LG