Lidhje

Tranzicioni në Bankën Botërore


Banka Botërore me 184 vende anëtare, me seli këtu në Uashington, do të ketë një president të ri duke filluar nga dita e nesërme. Në këtë post vjen Paul Ulfovic, studiues dhe diplomat i cili deri para pak kohësh ishte zëvendës sekretar i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara. Zoti Ulfovic pason në postin e ri Xhejms Ulfensonin, i cili e ka drejtuar Bankën që nga viti 1995. Në materialin në vazhdim ju sjellim hollësi të këtij tranzicioni në Bankën Botërore:

Ky është një institucion i madh dhe i fuqishëm. Me mbi 10 mijë punonjës dhe me kontributet nga vendet e pasura, Banka Botërore është më i madhi institucion për zhvillim në botë. Presidenti i ri i Bankës Botërore është një figurë që ka krijuar polemika të shumta. Paul Ulfovic, i cili më parë ka qenë numri dy i Departamentit të Mbrojtjes, konsiderohet si një ndër artitektët kryesorë të luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut.

Që pas emërimit të tij si president i Bankës Botërore 3 muaj më parë, zoti Ulfovic është përpjekur t’u kundërvihet zërave se nuk është i angazhuar sa duhet në luftën kundër varfërisë globale, ose se ai është mbështetës i qëndrimit të njëanshëm amerikan.

Paul Wolfowitz: Kam besim të thellë në misionin e Bankës. Nuk do ta kisha pranuar emërimin në këtë post po të mos kisha besim. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se presidenti Bush ka besim në misionin e Bankës.

Ai beson në zbutjen e varfërisë. Pjesa më e madhe e shumës vjetore të kredive prej 20 miliard dollarësh u shkon vendeve më të varfëra, kryesisht në Afrikë dhe Azi.

Nansi Bërdsell, ish-zyrtare e Bankës, e cila drejton Qendrën jo-fitimprurëse për Zhvillim Global, beson se zoti Ulfovic do të bëjë një punë të mirë. Por, ashtu si të tjerët, ajo mban qëndrim kritik ndaj traditës së Bankës Botërore, e cila që nga themelimi i saj 1944, është kryesuar nga një amerikan. Ajo mban një qëndrim edhe më kritik ndaj procesit zgjedhor. "Nuk është çështja tek shtetësia e presidentit, por tek procesi zgjedhor i cili nuk është transparent. Ky proces nuk është i qartë për numrin e madh të vendeve, të cilëve iu shërben Banka. Nuk dëgjohet sa duhet zëri i vendeve në zhvillim, të cilët janë ata që përdorin fondet e Bankës Botërore".

Zonja Bërdsell beson se programi i zotit Ulfovic në bankë duhet të përqëndrohet në përpjekjet për një përdorim sa më efektiv të fondeve: Nancy Birdsall Një çështje kryesore në programin e tij duhet të jetë të kërkojë procese të pavarura për të vlerësuar rrjedhën e fondeve të ndihmave.

Veçanërisht ndihmat për vendet më të varfëra si ato në Afrikë, shumë prej të cilëve janë të varur në një masë të madhe nga ndihmat për të bërë të mundur investimet për zhvillim.

Megjithëse drejtimi i Xhejms Ulfensonit në bankë konsiderohet përgjithësisht si i suksesshëm, ai vetë ndjehet i zhgënjyer që nuk arriti të sigurojë mbështetje më të madhe për misionin e bankës në zbutjen e varfërisë. " Kjo është çështje që lidhet me paqen dhe sigurinë". Megjithatë, shumë veta nuk e rendisin këtë çështje në krye të planit të punës. Zoti Ulfovic do të qëndrojë në postin e presidentit të Bankës për një mandat 5 vjeçar.

XS
SM
MD
LG