Lidhje

Presidenti Bush e cilësoi absurd raportin e Amnesty International


Presidenti Bush e cilësoi “absurd” raportin e organizatës Amnesty International, i cili kritikon Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut. Në një konferencë për shtyp sot në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë një vend që mbështet lirinë në mbarë botën.

Në një raport të publikuar javën e kaluar, organizata Amnesty International e krahason burgun amerikan në Guantanamo të Kubës me kampet e të burgosurve të regjimit sovjetik. Presidenti tha se raporti bazohej në akuza të të burgosurve, të cilët e urrejnë Amerikën.

Gjatë konferencës për shtyp, presidenti i bëri gjithashtu thirje Kongresit të veprojë për të vënë në zbatim planet e tij të politikës së brendshme, përfshirë edhe miratimin e një ligji për energjinë para pushimeve të gushtit si dhe reformimin e sistemit federal të pensioneve. Presidenti u zotua të vazhdojë përpjekjet për të vënë në jetë propozimet e tij për planin e pensioneve.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International kritikoi Bashkimin Evropian për mospërfshirje të masave konkrete për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në ligjet anti-terroriste të bllokut.

Në një raport të publikuar sot organizata me qendër në Londër tha se mospërfshirja e këtyre masave ka çuar në shkelje serioze brenda Bashkimit Evropian. Amnesty International u ka bërë thirje vendeve anëtare të Bashkimit të marrin masa që të ketë procedura të qarta për hartimin e listave të personave që dyshohen si terroristë, dhe që përdorimi i urdhër-arresteve të mbikqyret me kujdes.

Organizata thekson gjithashtu se përkufizimi që blloku jep për terrorizmin është shumë i mjegullt, gjë që ka çuar në paqartësi ligjore. Javën e kaluar Amnesty International kritikoi Shtetet e Bashkuara për mospërfillje të shtetit ligjor në vazhdën e luftës kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG