Lidhje

Një anketë parashikon fitore të të majtëve në zgjedhjet shqiptare të 3 korrikut


Organizata “Mjaft” dhe Instituti “Gallup” publikuan sot një sondazh të opinionit publik, sipas të cilit, parashikohet një fitore e partive të majta në zgjedhjet e 3 korrikut, megjithë vlerësimet negative që dhanë qytetarët e anketuar për qeverisjen socialiste dhe frenimin e reformave të integrimit euro-atlantik.

Sipas të dhënave, Partia Demokratike e opozitës mund të fitojë rreth 34% të votave, po aq edhe Partia Socialiste në pushtet, ndërsa në krahun e majtë parashikohen edhe 10% të tjera për Lëvizjen Socialiste për integrim të zotit Ilir Meta, çka i ngre forcat e majta në 44% të mbështetjes së publikut.

Janë 1mijë e 400 qytetarë të anketuar një javë më parë në gjithë territorin e vendit nga Instituti “Gallup” që mendojnë se dy hallet më të mëdha që ka aktualisht Shqipëria janë papunësia dhe korrupsioni. Shumica dërrmuese e qytetarëve janë shprehur me shqetësim se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian po ecën me ritme të ngadalta, duke bërë përgjegjës për këtë qeverinë dhe forcat politike.

Rreth 40% e publikut mendon se punët në Shqipëri po ecin në drejtimin e gabuar dhe afro 30% shprehen se vendi po përjeton zhvillime pozitivëe. Sipas sondazhit, më shumë se gjysma e njerëzve mendojnë se qeveria duhet të ndryshojë ministrat dhe politikat pas zgjedhjeve.

Perceptimi i opinionit publik mbi situatën ekonomike rezulton gjerësisht në një shkallë negative. Mbi 60% e të intervistuarve mendojnë se rritja ekonomike është shumë e ngadaltë dhe pjesa më e madhe e tyre fajësojnë qeverinë për këtë.

Opinioni publik shqiptar shprehet se ka një besim maksimal tek institucionet ndërkombëtare si NATO, BE dhe OSBE, ndërsa gjykatat dhe prokuroria shqiptare renditen të fundit në besimin e publikut.

Gjetja kryesore sipas analistëve të sondazhit, është fakti që gjysma e të intervistuarve e vlerësojnë situatën politike shumë të tensionuar; 60% i quajnë këto zgjedhje si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe se mbi 65% e të anketuarve shprehen të sigurtë se do të marrin pjesë në votime, duke parathënë një pjesëmarrje të gjerë të popullit në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut.

XS
SM
MD
LG