Lidhje

Letonia ratifikoi me shumicë dërmuese projekt-kushtetutën evropiane


Letonia ratifikoi sot me shumicë dërmuese projekt kushtetutën evropiane. Por kundërshtimi i saj nga Franca dhe Holanda e ka venë në dyshim të ardhmen e bllokut. Kundërshtimi i votuesve holandezë shihet si një goditje e rëndë pasi Holanda ka qënë tradicionalisht një vend pro-Evropian. Megjithatë udhëheqësit evropianë u bënë thirrje vendeve anëtare të mos heqin dorë nga përpjekjet për kushtetutën.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhose Manauel Barroso u bëri thirrje vendeve të organizatës të mos ndërmarrin ndonjë hap të njëanshëm para takimit të lartë të Bashkimit Evropian këtë muaj. Por a ka shpresa për të ardhmen beteja politike për kushtetutën evropiane?

Në pamje të parë, kushtetuta e Bashkimit Evropian duket e vdekur. Ndërsa duhet miratimi i 25 vendeve që ajo të hyjë në fuqi, kundërshtimi nga Franca dhe Holanda ishte një goditje e rëndë për shpresat e udhëheqësve evropianë që synonin të lehtësonin procesin vendim-marrës të bllokut të zgjeruar. Por udhëheqësit kanë ende shpresa.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana tha se përpjekja për ratifikimin e saj do të vazhdojë deri në afatin përfundimtar vitin e ardhshëm.

“Fati i saj nuk do të mësohet deri në Nëntor të vitit 2006. Dhe deri atëhere ne do të punojmë 24 orë në ditë me të njejtën energji, me të njejtën vendosmëri si më parë.”

Kryeministri britanik Toni Bler paralajmëroi këtë javë se zhvillimet e ditëve të fundit mund ta dëmtojnë Evropën ekonomikisht. “Në thelb është një pyetje edhe më e thllë, që ka të bëjë me të ardhmen e Evropës dhe veçanërisht me të ardhmen e ekonomisë. Si do të arrijë Evropa të përballojë trysninë nga globalizimi dhe ndryshimet tekonologjike. Detyra jonë është ta bëjmë ekonominë e Evropës të fortë e të begatë, që të përballojë sfida të tilla.”

Mbështetja për Bashkimin Evropian në Holandë, një nga vendet themeluese të organizatës ka qënë tradicionalisht e fortë. Por shumë holandezë janë të shqetësuar se vendi i tyre me vetëm 16 milionë banorë do të humbiste nga një super-shtet me seli në Bruksel që do të dominohej nga Gjermania, Franca dhe Britania.

Analisti politik Xhon Palmer i Qendrës së Politikave Evropiane në Bruksel fajëson për humbjen e referendumit komunikimin e pakët midis udhëheqësve evropianë dhe elektoratit të tyre. “Vendet anëtare dështuan shumë kohë para këtij referendumit, në detyrën e tyre për t’ua bërë njerëzve të qartë se ku do të merreshin vendimet dhe kush do të mbante përgjegjësi për to.”

Shumë analistë politikë si Simon O’Connor i institutit studimor Qendra në Bruksel, besojnë se votimi i këtyre ditëve kundër referendumit, mund të jetë një gjpë shumë e mire për të ardhmen e Evropës. “Është ende e mundur që nga kjo të dalë një aspekt pozitiv, në se Bashkimi Evropian reflekton tani dhe nuk nxiton me ratifikimin në vendet e tjera, që kanë plane për referendume. Kjo do të ishte kundërproduktive.”

Shumë udhëheqës evropianë thonë se procesi i ratifikimit duhet të vazhdojë derisa të gjitha vendet të thonë fjalën e tyre. Por diplomatët thonë se një qëndirm i tillë mund të ndryshojë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit të planifikuar për në fund të muajit.

XS
SM
MD
LG