Lidhje

Kadare fitues i çmimit “Man Booker International”


Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare u shpall të premten fitues i çmimit “Man Booker International”, i cili u jepet autorëve, që kanë dhënë kontribut të shquar në letërsinë botërore. Kryetari i jurisë, John Carey, e quajti zotin Kadare një shkrimtar universal, i cili ka mundur të përfshijë mbarë kulturën në veprën e tij, historinë, pasionet, folklorin, politikën, fatkeqesitë. Çmimi “Man Booker International”, i cili u krijua vitin e kaluar, është i hapur për autorë nga të gjitha vendet e botës, vepra e të cilëve është shkruar ose përkthyer gjerësisht në anglisht. Çmimi jepet për krijimtarinë letrare në përgjithësi të shkrimtarit dhe jo për një vepër të vetme. Çmimi “Man Booker International” është varianti ndërkombëtar i çmimit prestigjioz britanik me te njejtin emër, që u jepet vetëm shkrimtarëve britanikë, irlandezë ose të vendeve të komunuelthit. Mes 18 finalistëve për çmimin e parë “Man Booker International”, kishte disa laureatë të çmimit Nobel, si Saul Bellow, Gunter Grass, Gabriel Garcia Markes dhe Kenzaburo Oe.

Intervistë e shkrimtarit Ismail Kadare për Zërin e Amerikës pas marrjes së çmimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, ju jeni shkrimtari i parë, që fitoni këtë çmim mes shumë emrave të njohur. Çfarë nënkupton ky çmim per ju?

Ismail Kadare: Ka qënë një kënaqësi për mua. Një çmim do të thotë një vlerësim. Gjithashtu është kënaqësi ideja që do t’i gëzojë lezuesit e mi kudo që të ndodhen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se çmimi i sotëm do t’ju ndihmojë edhe për çmimin Nobel në letërsi, për të cilin ju keni qenë vazhdimisht kandidat gjatë viteve të fundit?

Ismail Kadare: Këtë sinqerisht nuk mund ta them. Nuk e di, mund të them një hamendje të gabuar, nuk e di.

Zëri i Amerikës: Në komentet e para pas çmimit të sotëm, ju u shprehët se çmimi do t’i japë botës një perspektivë te re për Ballkanin, jo vetëm si rajon trazirash e tensionesh, por edhe si prodhuesh arritjesh në art dhe letërsi. Megjithatë është disi vështirë të shkëputesh nga njoftimet e ditës nga ky rajon, siç është për shembull, rasti i zgjedhjeve në Shqipëri, kur komentet e vetme që dëgjohen nga komuniteti ndërkombëtar janë shqetësimet për zhvillimin e tyre të parregullt?

Ismail Kadare: Po kjo është krejtësisht e vërtetë. Prandaj kur më pyetën nga Londra për përshtypjet e para thashë pikërisht këtë gjë: që do të më pëlqente sikurse të gjithë shqiptarëve, sikurse gjithë ballkanasve, që nga kjo zone e botës, të mos vijnë vetëm njoftime të hidhura dhe lajme që të ngjethin mishtë, por të vijnë edhe lajme të gëzuara. Arti gjithmonë jep lajme të gëzuara. Pavarësisht që andej vazhdojnë të vijnë këto lajme jo të mira, prapëseprapë një prurje artistike si ky çmim, një gëzim, një festë artistike, do të arrijë t’i zbusë, t’i drejtojë mendjet e popujve të Ballkanit, në gjera më të thella, më të qëndrueshme, më pak pasionante, në kuptimin e keq të fjalës, se sa politika. Prandaj unë e kam këtë besim dhe mendoj që ndonëse kultura e bën aksionin e saj shumë ngadalë, e bën në mënyrë të sigurtë, shumë më të sigurtë se politika.

Zëri i Amerikës: A jeni optimist për kulturën në Shqipëri sot?

Ismail Kadare: Po jam optimist, pavarësisht. Kultura shqiptare sot ka probleme shumë të vështira, veçanërisht ajo ka keqkuptime jashtëzakonisht të vështira. Por ato do të kapërcehen, janë një lloj takse që paguhet gjithmonë në prag të ndryshimeve të mëdha.

Zëri i Amerikës: Kosova po ashtu do të jetë këtë vit në qendër të vëmendjes. Por ndërsa po afrohet momenti që shqiptarët e kishin pritur prej kohe, një raport i fundit, i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ve në dukje se, si për ironi, një nga problemet kryesore që duhet të kapërcejë Kosovea sot është edhe përçarja mes vetë shqiptarëve.

Ismail Kadare: Mendoj se pavarësisht se ne nuk na pëlqen, duhet të jemi të ndërgjegjshëm, se ne shqiptarët, të gjithë, e kemi sëmundjen e përçarjes jashtëzakonisht të fortë, por këtë sëmundje jemi të detyruar ta përballojmë. Por për ta përballuar, duhet ta njohim dhe ta pranojmë. Është një nga cenet e kombit shqiptar, një cen i cili nuk mund të ndihmojë lirinë e shqiptarëve, s’mund të ndihmojë pavarësinë, s’mund të ndihmojë sigurinë e tyre. Prandaj unë mendoj, se nuk duhet të na vijë keq që na e vë bota në dukje, përkundrazi, duhet të na vijë keq, që bota vazhdon të na vejë në dukje diçka, që ne nuk arrijmë ta korrigjojmë, që nuk arrijmë ta ndreqim.

XS
SM
MD
LG