Lidhje

Profesor Nicholas Pano analizon klimën politike në Shqipëri


Nicholas Pano, studiues dhe analist i njohur i çështjeve shqiptare, ish profesor i historisë në Universitetin Western Illinois, thotë se zgjedhjet e 3 korrikut janë me rëndësi jetike për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri, për marrëdhëniet e saj me perëndimin dhe mbi të gjitha një nga kushtet themelore për anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, çfarë vlerësimi do t’i bënit klimës aktuale politike në Shqipëri?

Nicholas Pano: Shqipëria sapo ka filluar fazën zyrtare të fushatës, pas një sërë sondazhesh të opinionit që tregojnë se Partia Demokratike dhe aleatët e saj po shkojnë në këto zgjedhje si alternativa më e preferuar. Nuk mund të them se ka një prirje të qartë për fitoren e Partisë Demokratike, por zhvillimet duket se po shkojnë në atë drejtim.

Ka shenja që tregojnë se rezultati i zgjedhjeve do të jetë më i ngushtë nga sa kanë pritur disa, por në një atmosferë zgjedhore si ajo e Shqipërisë është shumë herët të parashikohet se cili do të jetë rezultati përfundimtar. Por për mendimin tim, duke patur parasysh gjithë spektrin e zhvillimeve duket se Partia Demokratike është më e preferuar, pjesërisht për shkak të ndarjes së Partisë Socialiste që nxiti Fatos Nano. Për mendimin tim, në qoftë se socialistët i humbasin zgjedhjet, Fatos Nano duhet të konsiderohet fajtor si arkitekti i disfatës së Partisë Socialiste. Sado ironike që të duket për logjikën normale, fakti është se kjo parti praktikisht e përjashtoi në 2004-tën nga radhët e veta grupin Meta, duke e larguar atë nga posti udhëheqës.

Kështu nga njera anë është një Parti Socialiste e dobët dhe e përçarë, dhe nga ana tjetër Partia Demokratike që ka treguar forcë brenda saj. Udhëheqësi i PD-së Sali Berisha krijoi Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP) për të zgjuar ide të reja, për të sjellë në parti elementë të rinj, duke i dhënë një jetë të re partisë. PD-ja është përpjekur të bëjë gjithashtu aleanca me partitë e vogla që u ndanë prej saj, duke krijuar kështu një opozitë më të bashkuar, duke e vënë vetë PD-në në një pozitë më të fortë se më parë. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e Ilir Metës nga ana e saj ka disa kandidatë shumë tërheqës politikë, por anketat tregojnë se ajo nuk gëzon ndonjë mbështetje të madhe popullore dhe në zgjedhje me një rivalitet kaq që madh, LSI-ja mund të jetë një faktor që do të dobësonte shanset e PS-së për të fituar.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara, demokraci të tjera perëndimore, zyrtarë të struktuarve euro-atlantike dhe organizatave të ndryshme, kanë kërkuar nga Shqipëria të marrë të gjitha masat që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta. Kohët e fundit kjo u shpreh fare qartë në rezolutat e paraqitura në Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, respektivisht nga senatorët Sem Braunbek dhe Hillëri Klinton, dhe nga kongresmenët Kristofër Smith dhe Eliot Engel. Për mendimin tuaj, cila është domethënia e gjithë këtij preokupimi?

Nicholas Pano: Patjetër që këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Shqipëria ka bërë një farë përparimi drejt demokracisë dhe ka patur një periudhë tranzicioni. Rënjët e demokracisë, rrënjët e pjesëmarrjes në jetën politike të vendit nuk janë të thella në Shqipëri. Të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, ndoshta me përjashtim të atyre të vitit 1992 kanë qënë të manipuluara.

Mendoj ajo që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po përpiqen t’i bëjnë të qartë Shqipërisë është se shfaqje të tilla nuk mund të tolerohen më dhe se Shqipëria duhet të ecë vendosmërisht në rrugën e ndërtimit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ndërtimit të një vendi që të jetë i përgjegjshëm në arenën ndërkombërare. Shqipëria duhet t’i tregojë botës se është e aftë të mbajë zgjedhje të ndershme, të lira dhe të drejta dhe se populli shqiptar do t’i respektojë rezultatet e tyre.

Në qoftë se këto zgjedhje do të manipuloheshin, kjo do të shkaktonte vështirësi politike në vend dhe Shqipëria nuk mund të përballojë më trazira politike. Në momentin e tanishëm, Shqipëria duhet të analizojë problemet që ndesh vendi dhe t’i marrë ato seriozisht.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, Shqipëria ka një sërë problemesh sociale, pëfshirë edhe korrupsionin në nivele të ndryshme qeveritare. Ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë se Shqipëria mund të hyjë në kategorinë e shteteve të dështuara nëse nuk forcohet shteti ligjor dhe nëse nuk bëhen përpjekje serioze kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe arrestimin e zyrtarëve të korruptuar. Brenda vendit dëgjohen akuza dhe kundër akuza të vazhdueshme lidhur me këto probleme që mbeten ende të pazgjidhura. Në kushtet e Shqipërisë, si mund të trajtohet dhe zgjidhur ky problem?

Nicholas Pano: Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë. Ky është një problem shumë serioz dhe i vazhdueshëm. Mendoj se korrupsioni i zyrtarëve është njollë në demokracinë shqiptare dhe shpresoj se çdo qeveri e re që do të vijë në pushtet do të ndërmarrë një luftë të vëtetë kundër korrupsionit. Në disa raste Fatos Nano është zotuar për çrrënjosjen e korrupsionit në partinë e tij, por individë të akuzuar për korrupsion janë anëtarë të kabinetit të tij qeveritar. Ato që duhet tani nuk janë fjalët por masat. Unë do të sugjeroja se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, duhet caktuar një prokuror i posaçëm dhe duhet krijuar një grup këshillues me ekspertë ndërkombëtarë që të bashkpunojë me të dhe shpresoj që agjenci ndërkombëtare dhe qeveri të ndryshme do të ndihmojnë financiarisht për të mbështetur një ndërmarrje të tillë. Kjo strukturë do të ndihmonte që Shqipëria të godiste korrupsionin politik.

Ajo që nuk duhet të ndodhë në Shqipëri është që me një fitore të mundëshme të demokratëve të fillojnë persekutimet e ish zyrtarëve socialistë pa ndjekur normat ligjore të pranueshme nga komuniteti ndërkombëtar. Strukura që unë sugjerova më parë do të shërbente edhe për t’i dhënë fund akuzave dhe kundërakuzave pa fund mes rivalëve politikë dhe lufta e paprinciptë politike.

Zëri i Amerikës: Analistë në Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime se me një fitore tjetër të Partisë Socialiste, shanset e Kryeministrit Fatos Nano për të të mbetur një nga figurat kryesore udhëheqëse të vendit janë të mëdha. Në thelb të këtyre shqetësimeve janë diskutimet se korrupsioni zyrtar në Shqipëri shkon deri tek ai dhe se në disa raste ai nuk është treguar një udhëheqës i përgjegjshëm. Si e shikoni ju figurën e Kryeministrit Nano?

Nicholas Pano: Besoj se Fatos Nano e ka të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik. Zoti Nano është një individ i aftë për të udhëhequr vendin, por në qoftë se vazhdon kursin e veprimeve të tij të papërgjegjëshme, ai do të dëmtonte jo vetëm partinë e tij por edhe Shqipërinë. Në një rast të tillë, do t’u përkiste elementëve të shëndoshë brenda partisë së tij ta detyronin zotin Nano të largohej nga pushteti.

Këto zgjedhje janë një provë e madhe për Nanon po aq sa janë edhe për Berishën. Populli shqiptar nuk është i predispozuar të durojë edhe për katër vjet të tjerë indiferencën e Kryeministrit Fatos Nano ndaj shqetësimeve të shqiptarëve. Ndërkohë që ai e kalon kohën nëpër kafe pa i kushtuar vemendje situatave të vështira në vend, viktima të tragjedive shoqërore dergjen në morg. Kryeministri Nano bën një jetë tepër luksoze në një vend tepër të varfër. Dhe me të drejtë shqiptarët duhet të jenë të shqetësuar nga stili i tij i jetesës, po aq sa edhe nga stili i tij arrogant i udhëheqjes.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, janë shprehur shqetësime këtu në Shtetet e Bashkuara se me një fitore të Partsë Demokratike në zgjedhjet dhe eventualisht me ardhjen e kryetarit të saj, Sali Berisha, në pushtet, shanset e Shqipëri për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, janë tepër të pakta. A shikoni ndonjë bazë për komente të tilla?

Nicholas Pano: Këto zgjedhje janë një provë e madhe për Sali Berishën. Më shqetëson niveli i retorikës deri në fazën e tanishme të fushatës, por mendoj se ai duhet të demostrojë se mund të jetë një udhëheqës konstruktiv, që nuk synon të ndjekë një politikë hakmarrëse. Partia Demokratike ka elementë të aftë për të drejtuar vendin, në qoftë se zoti Berisha nuk tregohet i aftë të përballojë sfidat e shekullit të 21-të. Siç kanë treguar sondazhet e opinionit në Shqipëri, Sali Berisha nuk është i pari në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij. Në fakt si zoti Berisha ashtu edhe Kryeministri Fatos Nano, renditen mjaft poshtë.

Por Sali Berisha ka një mbështetje të fortë në radhët e Partisë Demokratike dhe një shans të mirë për një rol udhëheqës në shtetin shqiptar. Në qoftë se ai vjen në postin e Kryeminsitrit, ai do të kishte rasin të koregjonte disa nga politikat e gabuara që ndoqi gjatë periudhës që drejtoi Shqipërinë, duke krijuar kështu një imazh të ri për vete dhe për partinë e tij.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, duke patur parasysh gjithë dinamikën e zhvillimeve në Shqipëri, a shikoni ndonjë mundësi reale që nga zgjedhjet e 3 korrikut të dalin udhëheqës të rinj, të aftë për të drejtuar vendin?

Nicholas Pano: Në dy partitë ka udhëheqës më të rinj me aftësi drejtuese. Mendoj se një nga rezultatet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve do të jetë se ose Nano ose Berisha, varet se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, do të largohet nga skena politike. Si Nano ashtu edhe Berisha kanë thënë se do të largohen nga udhëheqja e partisë në qoftë se humbasin në zgjedhje. Berisha ka shkuar edhe më tej, duke thënë se do të heqë krejtësisht dorë nga politika. Kjo do të shënonte një moment të ri në tranzicionin e Shqipërisë, kur një apo më shumë parti politike do të dalin me udhëheqës të rinj që do të përcaktonin një kurs të ri për vendin. Nuk dua të përmend emra, por jam plotësisht i sigurt se Shqipërisë nuk i mungojnë individë të aftë për ta udhëhequr.

XS
SM
MD
LG