Lidhje

Analisti Misha Gleni mbi procesin për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës


I dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Kai Aide, do të japë në muajt e ardhshëm vlerësimin e tij mbi përparimet e arritura në Kosovë, i cili mund t’i hapë rrugën fillimit të negociatave për statusin përfundimtar. Por një analist i çështjeve të Ballkanit thotë se nuk janë krijuar ende kushtet për fillimin e shpejtë të negociatave në një të ardhme të afërt, duke theksuar problemet në respektimin e të drejtave të pakicave dhe mungesën e dialogut Beograd-Prishtinë. Misha Gleni, gazetar dhe autor librash me temë nga zhvillimet në Ballkan, foli në një diskutim të organizuar nga Qendra Woodrow Wilson.

Në dëshminë e tij para Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan, Shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen foli me tone pozitive për përparimin e arritur në Kosovë, ndërkohë që nën-sekretari amerikan i Shtetit Nik Bërns, u shpreh optimist se negociata mund të fillojnë në shtator të këtij viti. Por analisti thekson se kushtet nuk janë pjekur ende për negociatat mbi statusin, si rezultat, zoti Gleni thotë se Kai Aide mund të mos i hapë dritën e gjelbër fillimit të shpejtë të negociatave për statusin përfundimtar:

"Procesi i negociatave varet nga ato që do të thotë zoti Kai Aide, dhe nuk është e thënë që në vlerësimin e tij ai do të thotë që ka ardhur koha për negociatat e statusit përfundimtar, pasi trajtimi i pakicave është ende problematik dhe nuk ka shenja që po shënohet përmirësim," thotë zoti Gleni.

Komuniteti ndërkombëtar, vazhdon analisti e ka kuptuar se ruajtja e statu-kuosë mbart rrezikun e rritjes së tensioneve dhe e ka pranuar në një mënyrë se pavarësia e Kosovës me disa kushte, do të jetë rezultati përfundimtar i diskutimeve për status. Problemi qëndron në faktin se aktorët e përfshirë në këtë proces, pikërisht Grupi i Kontaktit nuk ka aktualisht një konsensus për planin e veprimit në Kosovë. Këshilla që paraqet analisti: stimuj për të angazhuar palët në dialog në mënyrë që zgjidhja të jetë jo vetëm e përlqyeshme për Prishtinën, por edhe e pranueshme nga Beogradi:

"Cfarë duhet bërë tani? Së pari duhet përqëndruar vëmendja në çështjen e standarteve dhe duhet të fillojnë përpjekjet për të përgatitur terrenin për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por për momentin nuk ka stimuj që t’i nxisin palët të angazhohen në dialog me njëra-tjetrën. Për sa kohë vazhdon kjo gjendje, të dyja këto palë do të vazhdojnë të anojnë nga pozita ekstreme, nga ku nuk mund të ketë ndonjë dialog konstruktiv," thotë zoti Gleni.

Për këtë thekson analisti, një rol më i madh i takon Bashkimit Evropian, për të tërhequr Serbinë në tryezën e negociatave, duke i premtuar asaj një të ardhme në gjirin e bllokut. "Kjo mendoj unë është çështja më e rëndësishme, sepse nëse Serbia nuk e propozon, ose së paku e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk do të gjendet dot një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën. Serbia duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Bashkimi Evropian nuk është treguar shumë efektiv në këtë drejtim. Ky institucion është i vetmi që mund të ofrojë stimuj të mirëfilltë, përmes një rruge të qartë për Serbinë që të përfshihet në Bashkimin Evropian."

Një tjetër pengesë në këtë drejtim, thotë zoti Gleni, është edhe kundërshtimi i kushtetutës evropiane nga Franca dhe Holanda, duke e vënë në pikëpyetje zgjerimin e mëtejshëm të bllokut me vende të Ballkanit perëndimor. Kjo ka dëmtuar kapitalin diplomatik të këtij blloku në Ballkan.

Analisti shprehet se qetësia aktuale në Kosovë fsheh tensione të rrezikshme. Gjendja mund të precipitojë fare lehtë në konflikt, qoftë social apo etnik, prandaj, thotë zoti Misha Gleni, të gjitha palët duhet të angazhohen seriozisht për të kapërcyer statu-kuonë.

XS
SM
MD
LG