Lidhje

Kosovë: Mbledhje e grupeve të punës së Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave që s’u dihet fati


Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha të enjten në Prishtinë se që nga marsi i këtij viti është ndriçuar fati i 200 personave të zhdukur gjatë luftës, trupat e të cilëve janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjarëve të tyre.

Komentet bëhen pas takimit të grupeve të punës të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave të pagjetur. Në bisedimet që kryesohen nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, dy palët shprehën të enjten gatishmërinë që të vazhdojnë dialogun.

Zyrtarë e Kosovës dhe Serbisë diskutuan të enjten në Prishtinë mbi fatin e rreth 3 000 personave të zhdukur gjatë konfliktit në Kosovë dhe në periudhën menjëherë pas tij.

Ky është raundi i tretë i bisedimeve të tilla të organizuara nga OKB-ja me synimin për të afruar palët ndërkohë që Kosova përgatitet të hyjë në fazën delikate të zgjidhjes së statusit të saj përfundimtar.

Bisedimet kryesohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq me qendër në Gjenevë dhe shihen si një hap drejt zgjidhjes së statusit të diskutueshëm politik të Kosovës.

Çështja e të zhdukurve vazhdon të jetë një ndër më të mprehtat midis Prishtinës dhe Beogradit.

Qindra njerëz që figuronin të zhdukur në konflikt janë gjetur në varre masive në Kosovë dhe Serbi, por fati i 3 000 personave të tjerë mbetet i panjohur.

Zyrtarët u takuan në ndërtesën e qeverisë së Kosovës, gardhi rrethues i së cilës është mbuluar me fotografi të personave të zhdukur.

Shoqata të personave të zhdukur ka vendosur pankarta në qendër të Prishtinës me të cilat kërkojnë të dinë për fatin e tyre dhe u kërkojnë autoriteteve të veprojnë më me shpejtësi.

Zyra e OKB-së për Personat e Zhdukur ka vënë në skenë edhe një pjesë teatrale për të rritur ndërgjegjësimin rreth çështjes.

Pjesa quhet "Një dimër i gjatë" dhe flet për një familje, babai i së cilës rezulton i zhdukur që nga koha e luftës. Historia vazhdon pastaj me konfliktin midis nënës, e cila nuk i pranon ndryshimet dhe vajzës, që nuk mund të presë më. Në skenë hyn një person, i cili kërkon para në shkëmbim të informacioneve për fatin e babait të familjes.

Thomas Monaghan, shef i Departamentit të Drejtësisë pranë UNMIK-ut komenton: "Çështja e të zhdukurve është një problem i madh në Kosovë dhe nuk do të zgjidhjet me pjesë teatrale, por aktivitete të tilla janë një mënyrë për të filluar dhe për t’i bërë njerëzit të mendojnë. Ato i bëjnë njerëzit të lenë mënjanë diferencat dhe të shikojnë atë që e përbashkët. Pavarësisht nga përkatësia etnike, nëse je familje serbe, shqiptare, turke apo rome, vuajtja është e njëjtë".

Kontaktet midis udhëheqësve shqiptarë të Kosovës dhe zyrtarëve të Beogradit kanë qenë të rralla që pas përfundimit të konfliktit.

Takimi i parë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e personave të pagjetur u mbajt në mars 2004, por bisedimet u ndërprenë për shkak të dhunës në Kosovë. Ato rifilluan në mars të këtij viti. Grupet e punës kanë hartuar një listë të përkohshme ku numri i personave të pagjetur arrin në 2 716 veta, pjesa më e madhe shqiptarë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG