Lidhje

Pollo: Pas dy mandatesh Partia Socialiste nuk duhet të qeverisë më


Kryetari i Partisë Demokratike të Re, Genc Pollo ndodhet në Uashington për të folur në Institutin Woodrow Wilson mbi situatën në prag të zgjedhjeve në Shqipëri. Zoti Pollo largohet nga Shtetet e Bashkuara të premten për të vazhduar fushatën elektorale në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollo, fillimisht, cili është synimi i kësaj vizite, në një kohë që fushata elektorale në Shqipëri është në kulmin e saj.

Genc Pollo: Për mua është privilegj që të flas në Qendrën Woodrow Wilson, në një institut kaq me reputacion në Uashington. Ishte parashikuar të zhvillohej në maj, por për shkak të rrethanave të këtushme u la për datën e sotme (e enjte). Sidoqoftë është një vizitë e shkurtër, unë sapo erdha dhe nesër nisem, duke hyrë direkt në fushatë. Takimi i parë pasi se të mbërrij në Rinas, është në Laç, në Kurbin dhe do të vazhdoj me intensitet. Kështu që nga kjo anë nuk përbën ndonjë problem për fushatën. Vizita është një rast i mirë, si për të folur para një audience të zgjedhur në Qendrën Woodrow Wilson, ashtu edhe për të takuar zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane dhe të Kongresit.

Zëri i Amerikës: OSBE-ja u shpreh këto ditë se parakushtet për zgjedhje më të mira janë plotësuar. Sipas jush, si ka qënë ecuria e deritanshme. A jeni të kënaqur me procesin e përgatitjes së zgjedhjeve?

Genc Pollo: Kodi zgjedhor është i mirë, shumë më i mirë se kodet e mëparshme. Në përgjithësi fushata ka ecur mirë. Ne si koalicion opozitar kemi shqetësim për listat e zgjedhësve, sepse verifikohen një numër jo i vogël zgjedhësish të lënë jashtë, ndoshta me qëllim, ndoshta për gabim, por disa bashki, disa kryetarë bashkie refuzojnë t’i regjistrojnë në bazë të kërkesës së tyre dhe në bazë të ligjit. Ka shqetësim për përdorimin e burimeve shtetërore për kandidatët e Partisë Socialiste, ka shqetësim për një pjesë të kandidatëve socialistë, të cilët janë funksionarë të lartë dhe sipas kushtetutës duhet të japin dorëheqjen. Disa prefektë dhe ndonjë tjetër, është diçka minimale. Funksionarët e lartë si drejtori i KESH-it, apo Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, apo Drejtori i Tatimeve të Tiranës, apo Drejtori i Policisë Ndërtimore, që janë kandidatë të Partisë Socialiste, në frymën e kushtetutës, në gërmën e ligjit, po edhe në një frymë të përgjithshme të etikës, të atij kodi që kryetarët e partive parlamentare kanë nënshkruar, ata duhet të jepnin dorëheqjen, sepse kështu po cënojnë zgjedhjet, duke përdorur hapur të gjitha mundësitë që u jep posti i tyre, agjencia e tyre, drejtoria e tyre, në favore të garës personale.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollo, pak a shumë këtë herë e djathta po del në zgjedhje me një aleancë më të fortë se më parë. Me marrëveshjet që janë realizuar me Partinë Demokratike, a nuk rrezikohen partitë e vogla të humbasin identitetin e tyre?

Genc Pollo: Jo nuk e besoj. Qëllimi ynë ka qënë rotacioni dhe një qeverisje më e mirë dhe duke u nisur edhe nga ky qëllim, por edhe nga kodi zgjedhor, nga sistemi me një raund, që po zbatohet për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, mendoj që ne i kemi bërë një shërbim të madh kauzës që synojmë. Secila parti prezanton pikëpamjet e veta. Secila parti përpiqet në mënyrë të koordinuar, që të maksimizojë mandatet dhe të formojë mazhorancën e ardhshme. Jam i sigurtë, duke patur sensin e terrenit, apo të fushatës, gjykoj që opozita është rshumë më në avantazh sesa Partia Socialiste dhe qeveria Nano në këto zgjedhje, kështu që mendoj që kryesorja, rotacioni politik, do të arrihet dhe pastaj secila parti në bazë të ideve të veta do të negociojë dhe do të arrijmë patjetër një marrëveshje për qeverinë e ardhshme dhe programin e saj.

Zëri i Amerikës: Sipas marrëveshjes, Partia Demokratike ju ka lënë ju 3 zona të lira, ndërkohë ju keni paraqitur kandidatë për të 100 zonat. Cila është llogjika e këtij veprimi. Do të ndeshen, për shembull, kandidatët tuaj me një kandidat të PD, në një zonë të caktuar për sistemin mazhoritar ?

Genc Pollo: Kjo është një gjë që për elektoratin shqiptar është bërë e qartë. Ligji detyron zgjedhje me një raund dhe mandati fitohet apo digjet për 5 apo 10 vota. Ne në mazhoritar i kemi unifikuar kandidaturat, jo vetëm Partia Demokrate e Re, por edhe partitë e tjera të koalicionit, ndërsa lista e proporcionalit është më vete dhe secila parti lufton më vete për të mbledhur sa më shumë vete. Pra nuk është një koalicion i shkrirë plotësisht, por është bashkuar në mazhoritar, për të qënë në garë edhe brenda vetes në sistemin proporcional dhe mendoj se është një zgjidhje e mirë dhe e arësyeshme, duke patur parasysh dhe qëllimin tonë për arritjen e mazhorancës së ardhshme.

Zëri i Amerikës: Sa shpreson partia juaj të arrijë në këto zgjedhje.

Genc Pollo: Shpresoj që ne do të ruajmë dhe do shtojmë rezultatin që kemi patur. Mund të them që kjo është më se e realizueshme. Koalicioni ynë patjetër do të jetë mazhoranca e ardhshme, pasi dy mandate të Partisë Socialiste, qeveria Nano, janë diskredituar mjaftueshëm për të mos fituar një mandat të tretë. Ata janë problem jo vetëm për shumicën e shqiptarëve, por janë problem edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe në takimet e këtushme në Uashington, do të diskutojmë pikërisht këtë, qëndrimin ndaj krimit dhe korrupsionit, situatën e tyre, gjera që janë bërë shqetësim edhe për qeverinë amerikane, mënyra se si janë trajtuar nga qeveria Nano, por edhe më tej marrëdhëniet e rëndësishme midis dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Problemet e korrupsionit, të krimit të organizuar në Shqipëri janë përmendur shpesh herë. Por në se opozita vjen në pushtet, a do të jeni ju në gjendje t’i luftoni ato?

Genc Pollo: Çështja e tyre, është çështje viullneti për t’i luftuar. Nuk është çështje deklaratash të formuluara në mënyrë korrekte, është çështje veprimi. Ajo që mund të shihet si rezultat-pasojë e qeverisë Nano është një retorikë përgjithësisht korrekte nga njera anë dhe një veprim që është vite dritë larg asaj që thuhet. Dhe është pikërisht ajo që duhet të ndryshojë. Natyrisht ka dhe shumë politika të tjera që duhen korrigjuar, por në radhë të parë duhet vullneti për të ndryshuar realisht situatën dhe në dy mandate Partia Socialiste dhe Nano kanë treguar që nuk janë të aftë ta arrijnë këtë.

XS
SM
MD
LG