Lidhje

David Phillips:  Rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri duhet të respektohen


David Phillips, analist pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë prestigjoze me qendër në Nju Jork, i tha Zërit të Amerikës se komuniteti ndërkombëtar duhet t’ia bëjë të qartë cilitdo në Shqipëri se duhet të respektojë rezultatet e zgjedhjeve dhe se ndihma e huaj do të lidhet me faktin se sa të lira e të drejta do të jenë këto zgjedhje. Zoti Phillips është edhe autor i një raporti të botuar këto ditë nga Komiteti Amerikan për Politikën e Jashtëme ku bëhet thirrje që qeveria, e cila do të dalë nga zgjedhjet, të ndjekë ligjërisht ish zyrtarët e lartë të ndërlikuar në korrupsion dhe të lidhur me krimin.

Zëri i Amerikës: Çfarë ka ndryshuar në Shqipëri dhe në rajon vitet e fundit që zgjedhjet e 3 korrikut po tërheqin kaq shumë vemendje ndërkombëtare?

David L. Phillips: Më kujtohet kur isha në Shqipëri një javë pas vizitës së ish sekretarit amerikan të shtetit James Baker dhe në atë kohë shqiptarët përqafuan demokracinë dhe afirmuan miqësinë me Shtetet e Bashkuara. Kjo miqësi mbetet e fortë por qeveria amerikane mund të bëjë më shumë për të ndihmuar Shqipërinë dhe populli shqiptar mund të bëjë më shumë për t’i kërkuar llogari qeverisë së tij në mënyrë që vendi të plotësojë standardet ndërkombëtare për demokracinë.

Zëri i Amerikës: Vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve do të ketë rëndësi mjaft kritike. Cilat janë aspektet kryesore që duhen patur parasysh nga vëzhguesit?

David L. Phillips: Kjo zgjedhje janë absolutisht kritike për Shqipërinë. Ato duhet që të jenë patjetër të lira e të ndershme. Partitë politike të Shqipërisë është e nevojshme t’i vëzhgojnë këto zgjedhje pa i provokuar votuesit. Por ka gjithashtu rëndësi të madhe që edhe komuniteti ndërkombëtar të marrë pjesë në vëzhgimin e tyre. Në këtë aspekt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ndihmojë duke nxjerrë lejet për vëzhguesit brenda 72 orësh para zhvillimit të zgjedhjeve. Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar i ndihmave duhet t’ia bëjë fare të qartë cilitdo që i fiton zgjedhjet se duhet të respektojë rezultatet dhe se ndihma e huaj do të lidhet me faktin se sa të lira e të drejta do të jenë zgjedhjet.

Zëri i Amerikës: Në një raport të Komitetit Amerikan për Politikën e Jashtëme, ju thoni se Shqipëria rrezikon të bëhet një shtet i falimentuar. Cilat janë shenjat kryesore që shikoni ju?

David L. Phillips: Shtetet e falimentuar janë shtete që humbasin kontroll mbi territorin e tyre, ato kanë kufij porozë, qeveri të paefektëshme dhe si rrjedhojë kthehen në pika tranziti për armët, drogën dhe trafikun e qenieve njerëzore. Ato mund të bëhen gjithashtu strehë për organizatat terroriste. Askush në Shqipëri apo në Shtetet e Bashkuara nuk dëshiron që kjo të ndodhë. Shqipëria tani është në një moment kritik të rrugës së saj: ajo ose do të forcojë qeverisjen dhe do të çojë më tej integrimin në strukturat euroatlantike, ose, nëse udhëheqja merr vendimin e gabuar, ajo mund të rrëshqasë në gjendjen e një shteti të falimentuar, gjë që do të ishte në dëm të të gjithëve.

Zëri i Amerikës: Ju sugjeroni që komuniteti ndërkombëtar të publikojë lista të zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. Përse mendoni se nuk është bërë kjo deri tani dhe a dini shembuj të tjerë që të jetë vepruar kështu?

David L. Phillips: Kjo është bërë në vende të tjera të Ballkanit, në Haiti dhe në vende që janë në kufirin e rrëshqitjes drejt shtetit të falimentuar. Qeveria e re që do të vijë në Shqipëri duhet të provojë se e ka seriozisht lidhur me luftën kundër korrupsionit. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të arrestojë dhe të ndjekë ligjërisht shkelësit e rangjeve të larta, qofshin këta nga sektori privat ose ish zyrtarë të qeverisë. Lista e zyrtarëve që kanë iminitet duhet të shkurtohet dhe njëlloj si Interpoli që boton një listë të kriminelëve të njohur, komuniteti ndërkombëtar duhet të botojë një listë të shqiptarëve që njihen si të përfshirë në krimin e organizuar në mënyrë që transaksionet e tyre financiare dhe udhëtimet e tyre personale të kufizohen.

Zëri i Amerikës: Cilat janë interesat kryesore të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri?

David L. Phillips: Ekziston një miqësi e madhe midis popullit shqiptar dhe atij amerikan. Unë kam udhëtuar shumë në botë, por askund nuk kam gjetur njerëz që t’i duan kaq shumë amerikanët. Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht ndihmuese në luftën kundër terrorizmit. Në Afganistan ka trupa shqiptare. Ndërkohë që shumica e vendeve po e ulin praninë e tyre me trupa në Irak, Shqipëria po e shton atë. Pra është e nevojshme të ketë bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, por prirjet janë të gjitha pozitive dhe shpresat janë që këto prirje pozitive të zgjerohen dhe të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Si mund ta ndihmojnë SHBA Shqipërinë më tepër në të gjitha aspektet kritike për cilat folëm? Sa e efektëshme ka qenë ndihma deri tani?

David L. Phillips: Nuk duhet të kemi asnjë dyshim se e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë. Udhëheqësit politikë të Shqipërisë duhet të angazhohen për politika që çojnë përpara objektivat e vendit – për integrimin në strukturat euro-atlantike, bazuar në procesin e asocim-stabilizimit, por siç e pamë në vitet 90, asgjë nuk ndodh në Ballkan pa angazhimin amerikan. Prandaj administrata e Presidentit Bush duhet të angazhohet më shumë në Shqipëri, duke udhëhequr një grup konsultativ vendesh dhuruese për Shqipërinë dhe duke marrë pjesë në nisma të ndryshme që i drejtojnë financimet në aspekte të tilla përparësore si përmirësimi i infrastrukturës dhe sidomos në fushën e shtetit juridik, të trainimit të gjyqtarëve, reformimit të policisë dhe administrimit të ekonomisë. Nëse në Shqipëri nuk ka sundim të ligjit, përparimet demokratike të vendit do të bllokohen.

Zëri i Amerikës: Mendoni se pjesmarrja e Shqipërisë me trupa në Irak dhe Afganistan i ka zbutur paksa kritikat që Shtetet e Bashkuara do t’i kishin drejtuar qeverisë shqiptare përsa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar?

David L. Phillips: U takon vetë shqiptarëve të ngrenë zërin e protestës kur vërejnë korrupsion dhe krim të organizuar. Thjesht sepse administrata e Presidentit Bush mund të kërkojë të mbyllë sytë para këtyre problemeve pasi qeveria shqiptare bashkëpunon në luftën kundër terrorizmit nuk do të thotë se vetë qytetarët shqiptarë nuk duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë. Qeveria amerikane është e preokupuar për çështjen e kriminalitetit dhe të korrupsionit por politika e saj përmban aspekte të shumëfishta. Politika për popullin shqiptar është që ai të ketë paqe dhe begati në vendin e tij. Shoqëria civile duhet të ndërmarrë hapa më aktivë për t’i kërkuar llogari dhe transparencë qeverisë, me anë të pjesmarrjes aktive të organizatave jo-qeveritare dhe sidomos përmes një shtypi të pavarur.

XS
SM
MD
LG