Lidhje

Nicholas Burns: Bisedimet për statusin e Kosovës mund të fillojnë në  vjeshtë 


Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha në një takim me gazetarët në Departamentin e Shtetit se Shtetet e Bashkuara do të qendrojnë aktivisht të angazhuara në rajonin e Ballkanit, si në aspektin diplomatik ashtu edhe atë ushtarak, për të ndihmuar popujt e rajonit për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më paqësore, të lidhur me fatin e pjesës tjetër të Evropës.

Shtetet e Bashkuara besojnë se viti 2005 është një vit me shumë rëndësi për Kosovën, tha nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Prishtinë, Beograd dhe Bosnje-Hercegovinë. Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin diplomatik në trajtimin e çështjes së Kosovës.

“Në qoftë se gjithçka shkon mirë në procesin e vlerësimit të standardeve, kjo do të çonte në fillimin e bisedimeve për statusin këtë vjeshtë”.

Zoti Burns theksoi se nëqoftë se vlerësimi që do t’u bëjë këtë verë standardeve diplomati norvegjez Kai Aide, i cili do të fillojë punën në Prishtinë të hënën e ardhëshme, është pozitiv dhe ai këshillon fillimin e bisedimeve për statusin me miratimin e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin plotësisht atë. Nicholas Burns tha se Shtetet e Bashkuara do të qendrojnë aktivisht, shumë të angazhuara gjatë gjithë procesit.

“Në qoftë se negociatat për statusin e Kosovës fillojnë në vjeshtë, gjë që nuk është një qind përpind e sigurt, sepse varet nga OKB-ja, Shtetet e Bashkuara, Sekretarja Rice do të emërojnë një negociator të posaçëm, si zëvendës të zotit Aide, i cili do të jetë thellësisht i angazhuar në proces”.

Zoti Burns përsëriti edhe një herë qendrimin amerikan, që shprehu para pak javësh në Kongres, se statuskuoja lidhur me statusin e papërcaktuar të Kosovës nuk është më e qendrueshme, e dëshirueshme apo e pranueshme dhe lë të hapur mundësinë për përsëritjen e dhunës etnike.

Pyetjeve të bëra me insistim nga gazetarët se cili është vizioni i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës, zoti Burns iu përgjegj se atë do ta përcaktojnë vetë palët e interesuara nëpërmjet negociatave. Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk imponojnë asnjë zgjidhje, por lidhur me idenë e ndarjes së Kosovës, zoti Burns theksoi se është jashtë çdo diskutimi.

Për sa u përket detyrimeve të Prishtinës, nënsekretari Burns tha se respektimi i të drejtave të pakicave në Kosovë është çështja kyçe në mbarëvajtjen e procesit. Ndërsa për sa u përket detyrimeve të Beogradit ai theksoi me forcë se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar, si dhe popujt e vetë rajonit të Ballkanit presin arrestimin dhe dërgimin në Hagë të ish gjeneralit sërb Ratko Mladic, i cili dyshohet se fshihet në Sërbi. Po ashtu ai theksoi detyrimin e sërbëve të Bosnje-Hercegovinës për dorëzimin e ish udhëheqësit të tyre Radovan Karadxhiç.

XS
SM
MD
LG