Lidhje

Pse indiano-amerikanët janë të shkëlqyer në drejtshkrim


Javën e kaluar në Washington, Anurag Kashyap, një indiano-amerikan 13 vjeçar, la pas 272 konkurrentë të tjerë nga gjithë Shtetet e Bashkuara, kur fitoi konkursin kombëtar të drejtshkrimit. Në fakt, katër finalistët kryesorë ishin me origjinë indiane. Pse ky lloj konkursi është bërë kaq popullor në komunitetit indiano-amerikan?

Në finalet e konkursit të sivjetshëm të drejtshkrimit kishte 30 fëmijë me origjinë nga India. Shumë prej tyre kanë ardhur në Shtetet e Bashkyuara që kur ishin foshnja, ose kanë lindur këtu. Fituesi Anurag Kashyap erdhi me prindërit e tij, pa i mbushur akoma 2 vjeç.

Doktor Ratnam Chitturi i Fondacionit Veri-Jug, me qendër në Çikago të Ilinoit thotë se ka shumë faktorë që kontribuojnë në suksesin akademik të fëmijëve me kulturë indiane.

“Së pari është komuniteti, prindërit, ata janë të arsimuar, kështuqë e dinë vlerën e arsimimit dhe sesa i rëndësishëm është në shoqërinë moderne të shekullit të 21-të. Ata merren shumë me edukimin e fëmijëve për t’i bërë ata të suksesshëm, i përkrahin. Është diçka që ka lidhje me familjen për ta”.

Fondacioni Veri-Jug u krijua në vitin 1989 për të ndihmuar në mbëshetjen financiare për shkollimin e fëmijëve që nuk ishin në gjendje në Indi. Tani ai ka 60 degë në Shtetet e Bashkuara dhe jep bursa për fëmijët indiano-amerikanë që kanë nevojë.

Në vitin 1985, Balu Natarajan u bë indiano-amerikani i parë që fitoi konkursin e drejtshkrimit. Që nga viti 1999, ka indiano-amerikanë të tjerë kanë fituar.

Paige Kimbell, drejtorja e konkursit kombëtar të drejtshkrimit thotë se kjo organizatë nuk i kushton rëndësi përkatësisë etnike të pjesëmarrësve. Por ajo thotë se kampionët e drejtshkrimit shpesh vijnë nga familje ku i jepet rëndësi të lexuarit dhe sukseset në arsim vlerësohen shumë.

“Kështu që mundet që indianët në veçanti janë krenarë për kushtet që u krijojnë fëmijëve, duke inkurajuar suksesin e tyre në arsim”.

Doktor Chitturi vë gjithashtu në dukje se kultura indiane është shumë e prirur që të kërkojë sukses dhe çdo brez i ri përpiqet të jetë më i suksesshëm se paraardhësi.

“Edhe nëse pyet një prind që është inxhinier ai mund të thotë se do që fëmijët e tij të jenë më të suksesshëm sesa ai vetë. Të njëjtën gjë do të thotë edhe një doktor”.

Për shumë njerëz konkurset e drejtshkrimit nuk kanë të bëjnë thjesht me fjalë dhe shqiptimin e tyre, por janë një rrugë për t’u mësuar të rinjve të kenë synime dhe disiplinën e nevojshme për t’i realizuar ato. Me suksesin e vazhdueshëm të nxënësve indiano-amerikanë në konkurse kombëtare drejtshkrimi, doktor Chitturi thotë se në komunitetin e tyre këto lloj konkursesh do të jenë për një kohë të gjatë të preferuara.

XS
SM
MD
LG