Lidhje

250 serbë bllokojnë urën mbi lumin Ibër


Sot u rihap ura e Mitrovicës, e cila në një farë mënyrë simbolizon ndarjet etnike në Kosovë. Ura u hap megjithëse u bllokua përkohësisht nga protestuesit. Rihapja e urës është një përpjekje për të zbutur tensionet midis shumicës shqiptare në jug të saj dhe pakicës serbe në veri.

Rreth 250 serbë bllokuan urën mbi lumin Ibër në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës menjëherë pasi ajo u hap për trafikun në orën 9 të mëngjesit. Gyorgy Kakuk, zëdhënës i OKBsë, shpjegon: "Rreth orës 9 e 20 minuta serbët vendas u mblodhën prapa meje këty në këtë zonë, u nisën për në veri të urës dhe e bllokuan atë. Çdo gjë u zhvillua paqësisht dhe demonstrata spontane përfundoi në orën 10".

Ura ishte planifikuar të hapej për një orë në mëngjes dhe një orë në mbrëmje gjatë gjithë javës si pjesë e një rihapjeje graduale tha Larry Miller, zëdhënës i policisë së OKBsë.

Gjatë gjashtë viteve të kaluara ura ka qënë skenë e përleshjeve periodike midis shumicës shqiptare që jeton në jug të lumit dhe pakicës serbe në veri.

Javën e kaluar paqeruajtësit e Natos ia dorëzuan kontrollin e urës policisë së OKBsë. Ura ka qënë e mbyllur për trafikun që nga përleshjet e dhunëshme të marsit 2004 që lanë 19 persona të vdekur dhe gati 900 të plagosur. Rihapja e saj është një përpjekje për të lehtësuar gradualisht tensionet para bisedimeve të rëndësishme që priten këtë vit për të përcaktuar të statusin e ardhshëm të Kosovës.

XS
SM
MD
LG