Lidhje

Bugajski: Perëndimi i interesuar për demokratizimin e Ballkanit


Analisti politik Janush Bugajski thotë se bota perëndimore është e interesuar për demokratizimin e Ballkanit. Por, në mënyrë që të integrohen në institucionet euro-atlantike, vendet ballkanike duhet të zbatojnë reforma rrënjësore politike dhe ekonomike.

Janush Bugajski thotë se vendet ballkanike duhet të ndjekin shembullin e Bullgarisë dhe të Rumanisë: të zbatojnë reforma të nevojshme që do të hapnin rrugën drejt anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

Procesi i reformave në Kroaci po shkon shumë mirë, por Bashkimi Evropian ka pezulluar bisedimet për anëtarësim derisa Zagrebi të demonstrojë bashkëpunim të plotë me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte. Kroacia ka dështuar të kapë dhe të ekstradojë gjeneralin në arrati Ante Gotovina, i cili është akuzuar për krime lufte. Zoti Bugajski thotë se popullsia kroate mund ta humbë dëshirën për vazhdimin e reformave nëse nuk sheh stimuj konkretë drejt një të ardhme në Bashkimin Evropian.

Në mënyrë që të parandalohet një gjë e tillë, ai thekson se është me rëndësi jetike që Bashkimi Evropian t’i fillojë brenda këtij viti negociatat me Kroacinë për anëtarësim në bllok: “Mendoj se kjo do të përcillte një sinjal pozitiv për gjithë rajonin, vetë Serbisë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe vende të tjera.”

Zoti Bugajski pranoi se vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, mund t’a intepretojnë vendimin e kohëve të fundit të votuesve francezë dhe holandezë për të hedhur poshtë kushtetutën e Bashkimit Evropian si shenjë që Evropa nuk do ta mirëpriste anëtarësimin e tyre: “Kjo nuk do ta paralizonte Bashkimin Evropian. Ky është një projekt që vazhdon gati për 50 vjet. Dihet se do të ketë momente të vështira kur vendime të caktuara nuk pranohen, por është nevoja që të gjenden kahje të reja". Përfundimisht, këto vende evropiane nuk mund të ekzistojnë si njësi të izoluara, ato duhet të bashkërendojnë dhe të veprojnë së bashku.”

Kroacia nuk është i vetmi vend në rajon që pret fillimin e bisedimeve mbi statusin e saj të ardhshëm. I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Kai Ajde, do të përcaktojë brenda pak muajsh nëse Kosova ka bërë përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të qeverisjes në mënyrë që të fillojnë bisedime mbi statusin e saj të ardhshëm.

Janush Bugajski parashikon se më në fund Kosova do të jetë e pavarur. Në mënyrë që të hyjë në rrugën drejt këtij objektivi, është nevoja që qeveria kryersisht shqiptare e Kosovës të provojë se të drejtata e pakicave po mbrohen. Një Kosovë e reformuar, theksoi zot Bugajski, ku të drejtat e njeriut janë të garantuara dhe ku ekonomia të jetë e lirë, është në intersin e gjithë rajonit të Ballkanit, si edhe në interessin e mbarë Evropës.

XS
SM
MD
LG