Lidhje

Mbipesha, më shumë se 1 miliardë njerëz në botë klasifikohen si të shëndoshë


Për dekada të tëra, mbipesha dukej se ishte problem kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Por tani Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën klasifikohen si të shëndoshë.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë se 65 përqind e të rriturve amerikanë peshojnë mbi normalen dhe preken nga një numër sëmundjesh të zemrës, kanceri dhe diabeti. Përveç kësaj, qendra për kontrollin e sëmundjeve ka ndryshuar kriteret e saj përsa i përket peshës së rrezikshme për shëndetin.

Në mars të vitit 2004, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve tha se 400 mijë vdekje çdo vit e kishin origjinën tek mbipesha. Janarin e kaluar, ajo e pakësoi këtë numër në 365 mijë. Në Prill qendra e uli këtë shifër edhe më, duke thënë se vetëm 112 mijë vdekje ishin të lidhura me mbipeshën.

Javën e kaluar, ajo e ndryshoi pozicionin edhe njëherë duke deklaruar se edhe po të jesh pak mbipeshë nuk është mirë. Julie Gerberding është drejtoreshë e qendrës. "Duhet të kemi të qartë një gjë: Dhjamosja dhe mbipesha janë kërcënime serioze për shëndetin në vendin tonë".

Kështu mendon edhe Dr. David Katz në Univesitetin Yale. "Për shumë nga ne, mbipesha nuk është një gjendje e qëndrueshme. Por është një fazë shumë e rrezikshme drejt dhjamosjes".

Në debatin për mbipeshën janë në lojë shumë para përsa i takon dietës dhe industrive të restoranteve dhe ushqimit. Amerikanët shpenzojnë 40 miliardë dollarë në vit për tu dobësuar. Familjet amerikane harxhojnë mesatarisht 2 mijë dollarë në vit në restorante.

Richard Berman, zëdhënës për industrinë amerikane të ushqimit thotë se humbja e peshës varet nga secili individ. "Kjo është e vetmja sëmundje që mund të shërohet duke bërë ecje të gjata dhe pa bërë shumë teori, pra ne duhet të flasim për sëmundjet që janë më reale".

Por ndërsa debati vazhdon, të gjithë bien dakort në një pikë - se të jesh i shëndoshë nuk është mirë. Çështja është deri në ç’masë mund të jesh i shëndoshë pa rrezikuar jetën.

XS
SM
MD
LG