Lidhje

Presidenti Moisiu u kërkon gjykatave të regjistrojnë votuesit që nuk janë në listat e zgjedhjeve


Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i bëri sot thirrje gjykatave të përmbushin me transparencë dhe përgjegjësi detyrimin që kanë për të rregjistruar votuesit të cilët nuk e kanë emrin në listat përfundimtare.

Presidenti shfrytëzoi mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si kryetar i këtij organi për t’iu drejtuar edhe qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën për tu përfshirë në lista si një detyrim moral në një shoqëri demokratike.

Që prej javës së shkuar është mbyllur përgatitja e listës përfundimtare të votuesve. Cdo zgjedhës i cili nuk e ka emrin e tij në këto lista mund të përfshihet vetëm duke e kërkuar këtë nëpërmjet sistemit gjyqësor.

Ligji parashikon që kjo e drejtë mund të ushtrohet deri 24 orë përpara votimit. Presidenti Alfred Moisiu, njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjeti sot rastin që gjatë mbledhjes së radhës së këtij organi ti bëj thirrje gjykatave që të mos vonohen dhe të mos neglizhojnë në përmbushjen e kësaj detyre: "Në emër të KLD-së i bëj thirrje gjykatave të rretheve gjyqësore që ta përmbushin këtë detyrim ligjor me transparencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Ato duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme tekniko-administrative për të lehtësuar procesin dhe për të ndihmuar me shpejtësi dhe korrektesë shqyrtimin dhe vendimmarrjen mbi kërkesat e paraqitura. Nuk duhen toleruar vonesa dhe neglizhenca në përmbushjen e kësaj detyre ligjore".

Presidenti Moisiu i bëri thirrje njëkohësisht dhe qytetarëve të cilët nuk e gjejnë veten në listat e votuesve që ta kërkojnë këtë të drejtë: "Dëshiroj t’u drejtohem edhe qytetarëve - votues, që ata të kontrollojnë nëse ata janë të rregjistruar në listat përfundimtare të zgjedhësve. Nëse dikush nuk e gjen veten në këto lista, iu bëj thirrje atyre të përdorin të drejtën e tyre ligjore për t’ju drejtuar gjykatës. Krahas të drejtave kushtetuese, shtetasit kanë edhe detyrime morale dhe përgjegjësi qytetare, që përmes pjesëmarrjes aktive në votime të përmbushin rolin e tyre në një shoqëri demokratike e të civilizuar".

Listat e votuesve për këto zgjedhje, në ndryshim nga më parë, u hartuan nga njësitë e pushtetit vendor dhe deri javën e shkuara ato iu nënshtruan dhe një procesi verifikimi për të shmangur duplikimet apo spostimet në qendra të ndryshme të anëtarëve të një familje. Ministria e pushtetit vendor e cila udhëhoqi këtë process ka garantuar se listat për këto zgjedhjet janë më të mirat të hartuara deri më tani.

Pavarësisht kësaj ato nuk i kanë shpëtuar shqetësimeve të shprehuara nga forcat politike për deformime të tyre, ndonëse ta paktën deri më tani nuk janë lëshuar akuza të forta për manipulimin e tyre sic ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

XS
SM
MD
LG