Lidhje

Reformimi i OKBsë


Para 6 muajsh, Kongresi amerikan krijoi një grup pune për të studiuar reformimin e OKB-së. Këto ditë grupi i ekspertëve bëri publik sugjerimet për të riorganizuar OKB. Grupi i punës në të cilin bëjnë pjesë 12 ekspertë drejtohet nga ish Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe nga ish udhëheqësi i shumicës në Senat George Mitchell.

Grupi i punës propozon që qeveria amerikane duhet t’i kërkojë OKB-së të marrë masa që qeveritë sovrane të mbajnë përgjegjësi për parandalimin e gjenocidit, të vrasjeve në masë dhe të shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut, duke krijuar një Komision të ri për të Drejtat e Njeriut, anëtarët e të cilit të gëzojnë respekt dhe mbrojnë këto të drejta.

Ish udhëheqësi i shumicës në Senat, George Mitchell, bashkëkryetar i grupit të punës, thotë se komisionit ekzistues të OKB-së i mungon besueshmëria, pasi 7 nga 53 vendet në të, janë cilësuar si vende me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. “Është më se e qartë se disa vende me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut janë përfshirë në komisionin e OKB-së, me synimin kryesor, në mos të vetmin, për t’u mbrojtur nga kritikat për gjendjen e të drejtave të njeriut. Kjo është një nga arësyet pse ky komision ka rënë në këtë gjendje të rëndë dhe po përdoret për qëllime që janë plotësisht në kundërshtim me synimin për të cilin është ngritur. Dhe prandaj ai duhet të shkrihet.”

Sekretari i Përgithshëm i OKB-së, Kofi Annan, propozoi në fillim të vitit zëvendësimin e komisionit me një këshill për të drejtat e njeriut. Kombet e Bashkuara janë goditur nga skandalet, përfshirë atë me programin naftë-për-ushqime, i cili synonte të ndihmonte popullin irakian gjatë periudhës së sanksioneve ndaj Sadam Huseinit.

Ish Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, bashkëkryetari tjetër i grupit të punës, thotë se ka ardhur koha që problemet e OKB-së të zgjidhen. “Skandalet, paaftësia, dështimet janë më se të qarta, të freskëta në kujtesë dhe kanë ndodhur aq shpesh sa që ka lindur nevoja që gjerat duhen rregulluar, ose përndryshe do të vijë momenti, që OKB-ja nuk do të ketë më asnjë vlerë. Pra ata që kujdesen më shumë për OKB-në, kanë edhe arësyet më të mëdha për reformimin e saj.”

Zoti Gingrich tha se komisioni dy-partiak me 12 anëtarë, nuk u përqëndrua në skandale specifike, siç janë për shembull akuzat se Sekretari i Përgjithshëm ndikoi që kontrata e programit naftë për ushqime t’i jepej një firme zvicerane ku punon djali i tij Kojo Anani.

Një komision i ngritur nga vetë OKB-ja, që u kryesua nga ish drejtori i rezervave federale amerikane Paul Volker, është duke përfunduar hetimet për këtë program. Progrmai naftë-për-ushqime filloi në vitin 1996, rreth 6 vjet pas vendosjes së sanksioneve ndaj Irakut, kur ky vend pushtoi Kuvajtin. Programi i lejonte Irakut të shiste naftë dhe me të ardhurat të blinte ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera humanitare, por që u shpërdorua nga Sadam Huseini për të përfituar fonde të paligjshme.

Grupi i punës po ashtu bën thirrje për t’i dhënë fund gjenocidid në Sudan dhe rekomandon që OKB-ja të miratojë një praktikë të stilit të biznesit amerikan për reformat e brendshme dhe të mos tolerojë asnjë shkelje ose abuzim nga paqeruajtësit e OKB-së.

Danielle Pletka, anëtare e komisionit, thotë se reformat duan kohë të kryhen. “Një institucion me kaq probleme sa OKB-ja nuk mund të rregullohet për një muaj. Procesi do të jetë i gjatë. Duhet të ketë një fillim të guximshëm, angazhim të fortë, por le të mos pretendojmë se procesi do të përfundojë në shtator.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do t’i rishikojë rekomandimet e komisionit gjatë sesionit të 60 plenat të asamblesë së përgjithshme që fillon më 13 shtator.

XS
SM
MD
LG