Lidhje

Ndihma për viktimat - sfida kryesore në luftë kundër trafikut njerëzor


John Miller, Drejtor i Zyrës për Mbikqyrjen dhe Luftën kundër trafikut njerëzor, pranë Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se Ballkani përfshin të gjitha aspektet e këtij problemi, duke qenë vend burimi, tranziti dhe destinacioni për viktimat e trafikut njerëzor. Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit zoti Miller theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të këtyre vendeve, përfshirë Shqipërinë, për të luftuar trafikun.

Ambasadori Miller theksoi se vendet ballkanike ende nuk kanë strategji të qarta për tërheqjen e viktimave jashtë rrjetit trafikant, dhe për mbrojtjen e tyre pasi janë shkëputur nga këto rrjete: "Problemi me të cilin ndeshemi është si t’i inkurajojmë viktimat të kontaktojnë autoritetet. Këtë problem e ndeshim edhe në Shtetet e Bashkuara. Cfarë duhet bërë? A ka një linjë të posaçme telefonike ku mund të telefonojë viktima? A janë të kualifikuar si duhet forcat e rendit kur marrin në pyetje viktima në rrugë?," thotë zoti Miller.

Ambasadori theksoi se për këtë qëllim duhet të vazhdojë mbështetja për qendrat e strehimit të viktimave, duhet të ruhet vigjilenca. Por mbi të gjitha duhet vënë në funksionim një procedurë për identifikimin dhe drejtimin e viktimave në një institicion të caktuar për ndihmë pasi janë nxjerrë nga rrjeti i trafikut. Kjo është ndër përparësitë kryesore, tha ai.

Gjithnjë sipas zotit Miller, gratë dhe fëmijët përbëjnë pjesën dërrmuese të personave të trafikuar. Ambasadori foli për viktimat në shkallë botërore por theksoi se statistika të ngjashme vërehen edhe në analizën e trafikut njerëzor në Ballkan: "Nëse shikon shifrat e trafikut njerëzor në botë thuajse 80 për qind e viktimave janë femra dhe afro 1 e treta janë fëmijë. Pra janë fëmijët dhe gratë që vuajnë më rëndë pasojat e skallërisë moderne dhe kemi një përgjegjësi ndaj tyre për t’u kthyer dinjitetin. Por e kemi detyrë edhe ndaj vetes nëse duam të përmirësojmë sigurinë dhe stabilitetin në vendet tona, duke mos u lënë mundësi rrjeteve kriminale të dominojnë shoqërinë," tha Drejtori i Zyrës për Mbikqyrjen dhe Luftën kundër Trafikut.

Në përfundim të konferencës për shtyp, ambasadori Miller faleminderoi median për vëmendjen që i kushton këtij problemi, duke theksuar se raportimi i këtij fenomeni në shtyp ndihmon në ndërgjegjësimin e publikut. Si rrjedhojë rritet mobilizimi, qoftë përmes trysnisë së votuesve ndaj përfaqësuesve të tyre në parlament, e deri tek debati publik mbi këtë problem në shoqërinë civile, në kisha, xhami, shkolla. Kjo, tha zoti Miller rezulton në një angazhim më agresiv të autoriteteve kundër problemit.

XS
SM
MD
LG