Lidhje

Fati i personave të zhdukur gjatë konflikteve ballkanike


Gjashtë vjet pas luftës në Kosovë, rreth 3 mijë persona figurojnë ende të zhdukur. Dhjetë vjet pas luftës në Bosnjë, numri i të zhdukurve është ende 25 mijë. Në Kosovë, identifikimi bëhet nga zyra e UNMIK-ut për persona të zhdukur. Në Bosnjë, ai bëhet nga komisionet vendore boshnjake, me ndihmën e komisionit ndërkombëtar për persona të zhdukur. Procesi i identifikimit kërkon gjetjen e kufomave dhe dhënien e mostrave të gjakut nga familjarët e personave të zhdukur. Nëse mostrat përputhen, kufoma mund të identifikohet. Thënë ndryshe, familjarët do të kenë një varr ku të paktën mund të qajnë të afërmit e tyre.

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë, pasoi me një reaksion zinxhir, që solli pavarësi për disa nga anëtarët e saj, luftë të përgjakshme për pjesën më të madhe të ish-republikave, qindra mijëra të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të zhdukur. Sllovenët më pak, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, u vunë para provës së madhe, ushtrive serbe, të cilat nuk përbëheshin vetëm nga ushtria dhe policia e rregullt, por edhe nga forcat paraushtarake, apo njësitë vrasëse, të cilat paguheshin për të kryer pastrimin etnik.

Gjashtë vjet pas luftës në Kosovë, rreth 3 mijë persona figurojnë ende të zhdukur, dhjetë vjet pas luftës në Bosnjë, rreth 25 mijë persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Në Kosovë, identifikimi I personave të zhdukur, bëhet nga zyra e UNMIK-ut për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore me ndihmën e komisionit ndërkombëtar për persona të zhdukur, i cili bën analizën e ADN-së.

Në Bosnjë, identifikimi bëhet nga komisionet vendore boshnjake, me ndihmën e komisionit ndërkombëtar për persona të zhdukur, i cili bën analizën e AND-së. Procesi i identifikimit të personave të zhdukur, kërkon dy anë, gjetjen e kufomave dhe dhënien e mostrave të gjakut nga familjarët e personave të zhdukur. Nëse dy mostrat që merren, ajo e eshtrave dhe mostra e gjakut, përputhen, kufoma mund të identifikohet. Thënë ndryshe, këta trupa të tretur, do të kenë përsëri emrin që kishin dikur, sic thonë në Kosovë dhe Bosnjë, familjarët do të kenë një varr ku të paktën mund të qajnë për të afërmit e tyre. Në Tuzla merren mostrat e eshtrave, pritet një pjese eshtre e këmbës, e cila më pas bluhet për të nxjerrë prej saj analizën e ADN-së.

Për Kosovën, kjo bëhet në Kosovë. Analizat e ADN-së për mostrat e gjakut, të cilat nga Kosova dërgohen në Bosnjë apo për boshnjakët, merren në Bosnjë apo në vende të tjera ku jetojnë të afërmit e personave të zhdukur, bëhet në laboratorët në Tuzla. Profili unik i eshtrave nxirret në Sarajevë ndërsa ai i gjakut në Tuzla. Nga këto dy analiza nxirret profili unik i një individi dhe patologët në Kosovë dhe Bosnjë, përfundimisht thonë fjalën e fundit për identifikimin e një personi të zhdukur. John Davoren, shef i laboratorëve të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), shpjegon punën që bëhet këtu.

“Mijëra skeletë të futur në këta thasë, përfaqësojnë qindra, mijëra persona të zhdukur, të cilët u vranë, ekzekutuan, u varrosën, apo u rivarrosën disa herë për të fshehur gjurmët e krimit. Një kasetë e publikuar së fundi tregonte ekzekutimin nga forcat serbe të 6 burrave nga Srebrenica. Trupat e dy prej tyre që janë identifikuar, janë gjetur në periferi të Sarajevës,” thotë John Davoren, Shef i Laboratorëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të Kosovës të ekzekutuar nga forcat serbe, janë gjetur në varreza massive në Serbi, në periferi të Beogradit. Në një prej tyre, në varrezën massive të Batajnicës, në periferi të Beogradit, janë gjetur rreth 850 kufoma të shqiptarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG