Lidhje

Intervistë e përfaqësuesve të PS, PD dhe LSI për zgjedhjet e 3 Korrikut në Tiranë


Në qytetin e Tiranës gara për deputetët e ardhshëm të parlamentit shqiptar do të zhvillohet në 12 zona. Tirana është një nga qendrat e përplasjeve më të vështira mes të djathtës dhe të majtës. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2001 socialistët fituan ngushtë me 6 deputetë, kundrejt 5 vendeve të fituara nga demokratët. Një pjesë e tyre u përcaktuan madje dhe nga balotazhi. Në votimet e 3 korrikut do të ketë vetëm një raund dhe fituesi mund të shpallet edhe me vetëm 1 votë më tepër se kundërshtari. Socialistët, pavarësisht se prej dy mandateve radhazi zotërojnë pushtetin vendor, këtë herë hyjnë në zgjedhje të përçarë, pasi krahas tyre është edhe partia e re e krijuar nga ish kryeministri Ilir Meta. Por edhe e djathta ka të njëjtat probleme me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, të kryesuar nga pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu.

Intervistë me përfaqësuesin e Partisë Socialiste Musa Ulqini, të Partisë Demokratike Bamir Topi dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Dashi.

Zëri i Amerikës: Fillojmë me ju zoti Ulqini. Vëzhgues të ndryshëm thonë se fushata elektorale e PS po bazohet kryesisht tek sulmimi i kundërshtarit, tek rreziku i ardhjes së opozitës në pushtet, madje edhe parulla juaj për Tiranën është “Mbro Tiranën”. A ju duket normale një fushatë e bazuar në sulmin e kundërshtarit?

Musa Ulqini: Unë nuk besoj që është krejt kështu. Kryeargumenti i fushatës së 12 kandidatëve në qytet, është ajo çfarë mazhoranca socialiste ka realizuar në këto 8 vjet në kryeqytet. Sllogani ynë “Mbro Tiranën”, në fakt është një sllogan, i cili shpreh në thelb gjithshka, gjithë thelbin e fushatës tonë elektorale. Në fakt pozita e shikon Tiranën si modelin më të mirë të qeverisjes socialiste. Opozita e shikon Tiranën si një model që duhe zhbërë. Ajo flet kundër planit rregullues të kryeqytetit, ajo është kundër legalizimeve, anatemon ashpër administratën e bashkisë. Ajo thotë që Edi Rama duhet të futet në burg dhe gjithshka ka ndodhur në Tiranë në këto vite të qeverisjes socialiste, ajo i shikon me syze krejt të errëta. Është kjo arësyeja që ne jemi bashkuar të gjithë nën slloganin “Mbro Tiranën”, duke votuar kandidadët e Partisë Socialiste, pra të mbrojmë projektin tonë dhe ta çojmë këtë projekt më përpara për qytetin e Tiranës.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, Partia Demokratike, sot është në pozitën komode për të bërë premtime. Gjatë këtyre viteve Tirana ka pësuar ndryshime të mëdha. Përse atëhere duhet që votuesit t’ua japin ju besimin dhe të shkëputen nga qeverisja e tanishme, e cila i ka dhënë diçka Tiranës?

Bamir Topi: Unë dëshiroj t’ju them që realiteti në Tiranë është mjaft i ndryshëm përsa i përket përqëndrimit demografik krahasimisht me vite më parë. Tirana sot nuk është thjesht zona urbane në qendër, por një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Tiranës sot është në zonën suburbane, gati, gati në kontakt me zonën rurale që rrethon Tiranës. Pra do të thoja që imazhi i Tiranës i ofruar nga socialistët është vetëm imazhi i qendrës së saj, ku natyrisht edhe qendra vetë ka problemet e saj. Problemi i qeverisjes qendrore dhe i qeverisjes lokale të socialistëve, është pa dyshim një zhvillim jo-harmonik në Tiranë, ku pjesa e periferisë është totalisht e harruar me mungesë totale të politikave të punësimit, ku mesatarisht papunësia shkon në shifra alarmante, 65, 75 përqind dhe infrastruktura publike është në nivel mizerabël. Nga kjo pikëpamje, politikat e Partisë Demokratike dhe të opozitës në përgjithësi janë për të harmonizuar standardet e jetës në Tiranë që kanë të bëjnë me politikat e punësimit dhe infrastrukturën publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Dashi, Lëvizja Socialiste për Integrim, del si një forcë e re e majtë, në këto zgjedhje. Çfarë mund t’i ofroni ju elektoratit të Tiranës, ndryshe nga dy partitë e tjera, PS-ja dhe PD-ja?

Ilir Dashi: Si në gjithë platformën politike dhe ekonomike të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një forcë e re në një moment tepër të rëndësishëm të zhvillimit aktual që po kalon Shqipëria, edhe elektoratit të Tiranës i intereson të njohë dhe tashmë është bërë i njohur me një sërë pikësynimesh që Lëvizja Socialiste për Integrim ka për këtë metropol, ose më mirë të themi në një vend, që e ka nisur përsëmbari rrugës së metropolit, por me kontraste të mëdha, ku qoftë infrastruktura brenda, në qendër të qytetit, apo edhe standardi i jetesës ndryshojnë dhe janë në kontrast të dukshëm, shumë të madh me popullsinë që jeton jashtë unazës së vogël, me zona të stërmëdha informale, të cilat po vuajnë dita ditës, papunësinë, mungesën e perspektivës, jetesën shumë të ulët, shumë larg standardeve të qendrës, mes stresit dhe halleve për të nesërmen.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulqini, kryetari i partisë suaj Fatos Nano disa herë është shprehur ashpër kundër LSI, nga ana tjetër, një figurë tjetër popullore brenda PS, Edi Rama, vazhdon të këmbëngulë për bashkëpunim me LSI-në. A nuk janë këto mesazhe kontradiktore dhe çoroditëse për elektoratin tuaj?

Musa Ulqini: Nuk besoj sepse zoti Nano ka qënë i detyruar t’i bëjë me dije publikut të gjerë se akuzat e ashpra të udhëheqjes së LSI-së, të numrit një të LSI-së, kundër Partisë Socialiste dhe kundër qeverisë socialiste nuk janë korrekte, nuk janë të sakta, janë demagogjike, nuk janë të moraleshme se ne kemi qënë 7 vjet bashkë dhe pas 7 viteve ata nuk kanë asnjë të drejtë të na tregojnë ne me gisht për gjithshka nuk ka shkuar mirë gjatë viteve që kemi qeverisur bashkë. Ndërkohë që ajo çfarë ka deklaruar zoti Rama, është në sinkron të plotë me atë çfarë mendojnë shumica e anëtarëve të tjerë, të mbështetësve të tjerë të LSI-së, të cilët e kanë kuptuar dhe e kuptojnë shumë qartë se çdo votë në mazhoritar për kandidatët e LSI-së, shkon kundër logjikës së fitores, është pro kandidatëve të PD-së, është për të sjellë Berishën në pushtet. Pra më duket se nuk ka kontradiktë, është një gjë që respekton situatën që zhvillohet këtu brenda nesh në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, Partia Demokratike vazhdimisht është në pozita kritike për socialistët. Ka vëzhgues që thonë se me një qëndrim të tillë tërësisht mohues PD-ja do e ketë të vështirë të tërheqë votuesit e pavarur. Cili eshte komenti juaj?

Bamir Topi: Unë e sqarova disi në pyetjen e parë që Tirana ka ndryshuar. Ka ndryshuar në radhë të parë për shkak të investimeve të bizneseve private, por natyrisht edhe në sajë të përdorimit kryesisht në qendër të Tiranës, të fondeve të grumbulluara nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Por ajo që unë dalloj me shumë shqetësim është që i gjithë orientimi i investimeve të qeverisjes lokale të Tiranës, por shkon pikërisht në zemrën e bllokut të ish udhëheqjes komuniste, çka do të thotë, në atë zonë ku sot jetojnë ministra të Partisë Socialiste, jetojnë deputetë të PS dhe nëpunës të lartë të administratës shtetërore, të lidhurta ngushtë me interesat e Partisë Socialiste. Ne jemi të mendimit që, pa i dalë fare kundër investimeve që janë bërë për Tiranë, themi që periferia e Tiranës, zona suburbane, por edhe lagjet e vjetra të Tiranës, janë lënë totalisht jashtë investimeve, çka flet për një politikë jo harmonike të investimeve të Partisë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Dashi Shumë nga kandidatët tuaj kanë qënë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste gjatë gjithë këtyre viteve që kjo parti është në pushtet. Dhe shumë njerëz, me ose pa të drejtë, mund të mendojnë se ky fraksion u shkëput për interesat e veta, për çështje postesh. Atëhere përse të votojnë këta njerëz për ju? Si u përgjigjeni ju këtyre dyshimeve?

Ilir Dashi: Pikësëpari do më ndihmonte shumë sqarimi i përgjigjes që dha zoti Ulqini, lidhur me historinë e kësaj partie, të servirur në mënyrë të tillë, që gjithmonë kujtesa, që i bën Partia Socialiste shkëputjes së një grupi nga gjiri i vet para disa kohësh dhe dalja në një parti më vete, me një folozofi tjetër, me një mendësi moderne, për mua është jo e saktë, është jo serioze dhe nuk ka dialektikën e vet të të menduarit. Ne nuk kemi ndërmend të shikojmë mbrapa, ne shikojmë vetëm përpara. Prandaj në përgjigje të pyetjes suaj, ju them se edhe njerëzit e shkëputur mbartin gabimet e ekipit të mëparshëm, por është pikërisht mospranimi i gabimeve, që i ka bërë ata të shkëputen dhe sot me një parti shumë të madhe, të fortë dhe të fuqishme, ku pjesa dërmuese janë njerëz që s’kanë milituar ndonjëherë në partitë e mëparshme, e bëjnë më të fortë dhe më të qëndrueshme filozofinë e re të kësaj partie.

Zëri i Amerikës: Zoti Ulqini, dy bashkëbiseduesit tuaj përmendën pak a shumë të njejtat kritika që zhvillimi i Tiranës, është përqëndruar kryesisht në qendër të saj, që në se mund të shprehem në mënyrë fiugurative, është lyer fasada e saj, por po të gërrmosh më tej, problemet janë të shumta. A kanë kandidatët socialistë, partia tuaj një plan tjetër për të përmirësuar gjendjen në periferinë e Tiranës?

Musa Ulqini: Nuk është fare e vërtetë ajo që u pohua pak më sipër nga parafolësit, nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, pasi kushdo që banon në kryeqytet e shikon që sot, Tirana i ngjet një kantieri. Ky kantier nuk është zona e bllokut, siç tha gabimisht zoti Topi, ky kantier është në periferinë e Tiranës, sepse punimet më të mëdha sot dhe gjatë gjithë kësaj kohe po zhvillohen në zonat që janë në periferi të kryeqytetit. Planet më të mëdha në periferi të kryeqytetit janë në zonën e Laprakës, janë në zonën e Kombinatit, janë në zonën e Alliasit, janë në zonën e Kodrës së Prifitit, janë në zonën e Saukut. Këto janë projekjte të mëdha që prekin infrastrukturën në mënyrë të plotë, prekin shërbimet jetike të qytretarëve, janë projekte që sihen, që duken, që preken dhe që e bëjnë absolutiosht Tiranën modelin më të mirë, një model që duhet mbrojtur. Është akt-akuza më e madhe ndaj Partisë Demokratike, e cila me të gjitha mjetet, me të gjitha mjetet e saj propogandistike, kërkon dhe synon që këtë model, ta çbëjë. Unë besoj se ky është një bumerang për Partinë Demokratike dhe për vetë zotin Bamir Topi. Dhe ne kandidatët socialistë i jemi bashkëngjitur këtij projekti, ku janë të ingranuar si qeverisja vendore edhe qeverisja qendrore.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, tani që kanë mbetur vetëm dy javë nga dita e votimeve, si i vlerësoni ju si opozitë përgatitjet për procesin zgjedhor në Tiranë?

Bamir Topi: Unë besoj që forcat politike janë në terren. Partia Demokratike ka organizuar punën me shtabet elektorale dhe besoj që ne po shkojmë të sigurtë për ta fituar Tiranën. Në vijim të asaj që po thoja pak më parë, do të thoja, këto jo vetëm që nuk janë zgjedhje administrative për bashkinë e Tiranës, sikurse tentohet që t’i jepet asaj një natyrë siperfaqësore kësaj fushate politike, por kjo është në radhë të parë për plagët më të rënda të qeverisjes socialiste, që edhe në Tiranë ndihet shumë me një papunësi masive, me mungesë infrastrukture, me mungesë totale të sistemit arësimor në zonat periferike, por do të thoja edhe me një prishje të rëndë të të gjithë ekuilibrave ekonomikë në Tiranë: në radhë të parë monopolizimi i tregut të ndërtimit, ku është në mënyrë të dukshme diferenca në tregun e tokës, çka do të thotë që politika e Bashkisë së Tiranës në përputhje të plotë me qeverisjen qendrore, ka bërë që në Tiranë të ketë një zhvillim disharmonik dhe interesat e investimeve kanë shkuar për monopolet që kontrollohen nga Partia Socialiste. Unë e njoh shumë mirë Tiranën, jam qytetar i hershëm i saj dhe ju garantoj se zhvillimi në zonat e tjera të Tiranës, me përjashtim të Tiranës së Re, është një zhvillim jashtëzakonisht kaotik dhe për të ardhur keq. Kështu që çdo përfaqësues politik duhet të ketë kurajo t’i trajtojë gjerat realisht ashtu siç janë.

Zëri i Amerikës: Zoti Dashi, në këtë traditë të përplasjeve të vazhdueshme PS – PD në zgjedhje, a mendoni se forcave të tjera, si partia juaj, po u lihet hapësira e duhur për fushatë?

Ilir Dashi: Hapësira e duhur e fushatës lë për të dëshiruar pasi neve shohim një presion të madh nga të dy partitë që përdorin të gjithë favoret dhe potencialet që kanë, për t’i hedhur në funksion të kandidatëve të tyre, gjë që e bën të padrejtë garën dhe nuk dua të hyj në detaje, por ky është një fakt që shumë kandidatë të dyja partive PS-PD janë shumë të privilegjuar, qoftë nga pikëpamja e promovimit figurativ, apo e kohës televizive e të tjera. Megjithatë ne nuk shqetësohemi shumë, sepse unë do të thosha që dalja e LSI-së si forcë e re e së majtës së vërtetë, është shumë e antyrshme në një kohë kur realiteti shqiptar ka provuar gabime në qeverisje, ka provouar keqqeverisje deri në humbje të të dyja partive, ndaj dhe ne si forcë e re e shohim veten si e vetmja shpresë për të rikthyer besimin tek zgjedhësit.

XS
SM
MD
LG