Lidhje

Britania do të bëjë thirrje për ndryshim rrënjësot të përparësive të BE-së për shpenzimet


Sekretari i Jashtëm i Britanisë Jack Straw tha se kryeministri Tony Blair do të bëjë thirrje për një ndryshim të gjithanshëm të përparësive të Bashkimit Evropian lidhur me shpenzimit, në një fjalim që do të mbajë nesër në Parlamentin Evropian.

Zoti Straw tha sot se kryeministri Blair do të vërë në dukje se shumica e vendeve në bllokun me 25 anëtarë, me përjashtim të Britanisë dhe pak vendeve të tjera, nuk kanë qënë në gjendje të arrijnë objektivat ekonomike të caktuara në vitin 2002.

Ndërkohë, kryeministri i Luksemburgut, Zhan Klod Junker, vendi i të cilit do t’i kalojë Britanisë më 1 korrik kryesinë e radhës, tha se Londra nuk ka bërë as edhe lëshimin më të vogël drejt një kompromisi mbi shpenzimet e Bashkimit Evropian.

Në Paris, presidenti francez, Zhak Shirak, e akuzoi zotin Blair për sabotimin e takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian javën e kaluar. Ai tha se refuzimi nga Britania për të negociuar rreth dëmshpërblimeve prej miliarda dollarësh që Bashkimi Evropian t’i japë Britanisë, minon frymën për kompromis të BE-së për një të mirë të përbashkët për Evropën.

XS
SM
MD
LG