Lidhje

ODIHR-i nxjerr raportin e dytë për ecurinë e zgjedhjeve


Raporti i dytë i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR bën një përshkrim të ecurisë së deritanishme të procesit zgjedhor, problemeve që e kanë shoqëruar dhe pretendimeve që janë ngritur nga partitë politike.

Duke trajtuar temën e asaj që njihet si skema e Dushkut, e adoptuar tashmë nga dy partitë më të mëdha dhe aleatët e tyre, misioni i vëzhguesve shprehet se këto strategji janë realizuar duke shfrytëzuar dobësitë e sistemit elektoral.

“Potencialisht, këto strategji, vërehet se e zvogëlojnë besueshmërinë e sistemit elektoral për të shpërndarë mandate në bazë të kriterit kushtetues dhe hedhin hije mbi integritetin politik dhe zvogëlojnë transparencën e procesit”, thuhet në raport.

Socialistët sic dihet po veprojnë në nivel lokal duke punuar me simpatizantët dhe përkrahësit e tyre ndërsa demokratët dhe aleatët e djathtë i kanë zyrtarizuar marrëveshjet.

Në raport thuhet se “në raste të veçanta disa prej strategjive të partive mund të keqpërfaqësojnë përkatësinë politike të kandidatëve dhe rrjedhimisht ti keqorientojnë votuesit” dhe këtu jepet shembulli i listës proporcionale të partisë republikane ku figurojnë emrat 33 përfaqësuesve të partisë demokratike, deputetë të parlamentit që sapo u mbyll dhe anëtarë të Komitetit të Orientimit të politikave të kësaj partie.

Sipas raportit “ndonëse angazhimi i partive në zbatimin e strategjive të tilla mund të jetë në kufijte e ligjit veprime të tillla shmangin qëllimin e tij.”

Ndër problemet kryesore për misionin e vëzhguesve mbetet lista e votuesve. Misioni ka marrë ankesa dhe pretendime si nga partia Socialiste ashtu dhe nga partia demokratike ku që të dyja pretendojnë për manipulime të listave në zona të veçanta.

Kështu “socialistët pretendojnë se Bashkia e Shkodrës nuk ka vepruar në zbatim të urdhërit të gjykatës lidhur me listat ku përfshiheshin më shumë se 500 persona që ishin regjistruar me kodin 999” që do të thotë se ata nuk janë gjetur në banesën e tyre gjatë verifikimit.

Socialistët “pretendojnë sipas raportit se probleme të ngjashme ka dhe në bashkitë e tjera ku drejtojnë demokratët”. Ndërsa Partia Demokratike ka bërë ankime të ndryshme për heqje të votuesve nga listat në Durrës dhe në Tiranë në zonën 33 ku ajo “ka paraqitur edhe prova se rreth 2100 persona janë hequr nga lista”.

Për misionin një cështje shqetësues mbetet numri i lartë i personave në lista me kodin 999. Ata përfaqësojnë gati 18 përqind të numrit të përgjithshëm të zgjedhësve ose mbi 500 mijë votues.

Po ashtu në raport është ngritur dhe shqetësimi i regjistrimit të studentëve. Misioni shprehet se “cdo pengesë që con në heqjen e së drejtës së studentëve për t’u regjistruar duhet të evitohet”.

Duke folur për klimën e fushatës misioni i vëzhguesve shprehet se tonat janë bërë dukshëm më të ashpra dhe se ka ardhur në rritje numri i ankesave dhe pretendimeve për shkelje të dispozitave që lidhen me fushatën.

Një shqetësim i madh thuhet në raport “përbëjnë pretendimet e ardhura nga Durrësi, Tirana Kukësi e Gjirokastra për presion ndaj nëpunësve publik për të votuar për kandidatë të vecantë apo dhe për presion ndaj studentëve në Tiranë dhe Korçcë për të votuar për drejtuesit e universiteteve që janë në garë për deputetë”.

XS
SM
MD
LG