Lidhje

Sondazh i ri: Partia Demokratike kryeson me 1 pikë diferencë ndaj socialistëve


Në Shqipëri sondazhi i dytë i kryer nga Gallup International me porosi të organizatës Mjat tregon se Partia demokratike është forca më e votuar. Kjo parti ka marrë 35 përqind dhe kryeson me 1 pikë diferencë ndaj socialistëve që kanë 34 përqind të mbështetjes së të intervistuarve. Në vend të tretë është renditur partia e ish kryeministrit Ilir Meta e pasuar nga Lëvizja për zhvillim Kombëtar dhe republikanët me 3 përqind.

Sondazhi i dytë mbi zgjedhjet në Shqipëri i zhvilluar në një distancë kohore gati prej një muaji nga i pari është realizuar gjatë periudhës 13-20 qershor dhe gjatë tij janë intervistuar 1400 persona. Rezultatet e publikuara sot tregojnë se tendenca e votës së shqiptarëve anon lehtësisht nga Partia Demokratike.

Në sondazhin e parë Partia Demokratike dhe ajo Socialiste dy forcat që konkurojnë për pushtetin, rezultonin të ishin të barabarta, ndërsa këtë herë, të pyetur 'nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot kë parti do të votonit', të intervistuarit kanë preferuar Partinë Demokratike. Ajo kryeson me 1 pikë diference duke marrë një mbeshtetje prej 35 përqind përkundrejt 34 përqind të socialistëve. Në vend të tretë e pandryshueshme mbetet Lëvizja Socialiste për Integrim e ish kryeministrit Ilir Meta me 10 përqind. Pas saj vijnë sërish dy forca të djathta, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e kryesuar nga pretendenti i fronit mbretëror Leka Zogu dhe Partia Republikane, secila me nga 3 përqind. Të dyja këto forca krahasuar me rezultatet e mëparshme kanë pësuar rritje të mbështetjes së tyre.

Partia Demokratike kryeson ndaj socialistëve edhe në përshtypjen që shqiptarët kanë mbi atë që mund të fitojë zgjedhjet. 40 përqind mendojnë se ato do të fitohen nga Partia Demokratike dhe 37 përqind shohin si fitues të mundshëm socialistët të cilët në këtë pikë kanë ngushtuar diferencën krahasuar me sondazhin e parë.

Një moment interesant i sondazhit është edhe ai që lidhet me skemën që partitë e mëdha po aplikojnë duke kërkuar që në proporcional votat e mbështetsve të tyre të kalojnë të partitë e vogla aleate. Sipas rezultateve 50 përqind e quajnë plotësisht të pamundshme që t'i përgjigjen kësaj skeme të partive dhe vetëm 7 përqind e konsiderojnë të mundshme.

Sipas sondazhit është rritur ndjeshëm nurmi i shqiptarëve që mendojnë se situata politike është kritike, ndërkohë që rikonfirmohet qëndrimi se papunësia është problemi i parë më shqetësues për shqiptarët dhe në vend të dytë renditet cështja e korrupsionit.

Sondazhi i parë u përfshi në një vorbull polemikash mbi organizatorët e tij dhe që lidhej edhe me emrin e shoqatës Gallup International për shkak të ekzistencës dhe të një organizate tjetër Gallup Organization më seli në Shtetet e Bashkuara. Me qëllim që të shuhen mëdyshjet rreth kësaj cështjeje në krah të drejtuesve të organizatës Mjaft sot ishte dhe një përfaqësuese e degës bullgare të Gallup International. Po ashtu edhe rezultatet hasën në kundërshtim të forcave politike të cilat praktisht nuk e pranuan atë. Edhe sot socialistët nëpërmjet zëdhënsit të kryeministrit Nano deklrauan se sondazhi është produkt i kërcënimeve dhe presioneve edhe publike të bëra nga kryetari demokrat Sali Berisha. Zoti Dalipi u shpreh se respektohet institucioni i sondazhit por jo institucioni i kërcënuar i sondazhit.

XS
SM
MD
LG