Lidhje

Banka Botërore rishikon strategjinë e bashkëpunimit me Shqipërinë


Banka Botërore është duke rishikuar strategjinë e bashkëpunimit të saj me Shqipërinë. Sipas zyrtarëve të kësaj banke meqë të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë ritur, vendi nuk do të kualifikohet për hua me interesa të ulta, por do të fillojë t’u nënshtrohet interesave të tregut. Në këtë fazë të re, sfida kryesore për Shqipërinë mbetet krijimi i kushteve të shëndosha për zhvillimin e sektorit privat. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Drejtori Ekzekutiv Biaxho Bosone, një prej anëtarëve të bordit drejtues të Bankës diskutoi mbi bashkëpunimin në të ardhmen të Shqipërisë me Bankën Botërore.

Zëri i Amerikës: Zoti Bosone, në muajin gusht përfundon programi i Bankës Botërore me Shqipërinë dhe ju pritet të shqyrtoni strategjinë e bashkëpunimit në të ardhmen. Cila do të jetë kjo strategji? Çfarë do të shikojmë ndryshe nga programet e deritanishme?

Biaxho Bosone: Le të ndalem fillimisht në një vlerësim të përgjithshëm për Shqipërinë. Shqipëria e filloi me një ekonomi të mbyllur, autokrate, e izoluar nga pjesa tjetër e botës, tmerrësisht e varfër. Sot vendi ka ndryshuar shumë. Të ardhurat për frymë janë rritur shumë. Gjendja sociale dhe politike e vendit po ashtu është përmirësuar. Dhe nuk kanë kaluar shumë vite që nga dalja nga izolimi. Për këtë kanë meritë qevertitë e ndryshme dhe populli shqiptar. Por pa dyshim që ka edhe dobësi dhe tek to po përqëndrohet komuniteti ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Në Shqipëri ka ende varfëri, një pjesë e madhe e popullsisë jeton ende në varëfëri absolute. Në nivel institucional duhet të përmirësohet qeverisja. Megjithëse edhe aty ka patur përparim të madh. Pra ne shpresojmë vazhdimësinë e atyre që janë arritur deri tani. Ajo që Banka po nxit në Shqipëri është në radhë të parë krijimi i një klime që mbështet investimet e sektorit privat. Në fund të fundit sektori privat është baza e zhvillimit ekonomik. Një klimë favorizuese për biznesin do të thotë që në vend të ketë institucione dhe politika të shëndosha qeverisëse. Pra duhet të ketë një sektor të shëndoshë publik, që krijon klimën e përshtatshme për zhvillimin e sektorit privat. Veç kësaj, dhe që plotëson këtë element, është strategjia që mbështet faktorin e burimeve njerëzore, që u ofron njerëzve shërbimet bazë, kujdesin shëndetësor dhe arësimor, që ata të bëhen pjesë e procesit të zhvillimit, që nga aktorë pasivë të luajnë një rol aktiv në zhvillimin e vendit.

Zëri i Amerikës: Në bazë të programit të ri Shqipëria pritet të mos përfitojë më nga huatë e buta të deritanishme, me interesa të ulta dhe do të marrë hua me interesa më të larta. Si do të ndikojë kjo për vendin?

Biaxho Bosone: Kjo është një shenjë suksesi, është një shenjë përparimi e një vendi, kur si rezultat i zhvillimit ai duhet të dalë nga grupi i vendeve që përfitojnë nga huatë e buta të bankës. Në këtë fazë, që është e krahasueshme me atë të studentit që mbaron shkollën dhe del në jetë duke ecur me këmbët e tij, edhe Shqipëria, duhet të fillojë të mësojë të ecë me këmbët e saj në tregjet financiare të botës dhe të jetë një huamarrëse e besueshme, serioze, dhe e aftë të tërheqë kapital. Por kjo do të thotë nga ana tjetër se vendi do të humbasë përfitimet nga huatë e subvencionuara dhe duhet të përballojë kushtet e huave të tregut. Në se vendi është i përgatitur për këtë fazë, për këtë klimë biznesi, me institucione të forta, kjo do të thotë që edhe përfitimet do të jenë më të mëdha.

Zëri i Amerikës: Në kuadër të strategjisë së re Banka Botërore do të bëjë vlerësimin e gjendjes për Shqipërinë. Vlerësimi përmban edhe një koeficient rreziku dhe një prej faktorëve është ai politik. Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut. Si pritet të ndikojë klima politike në Shqipëri, për vlerësimin që do të bëni për të ardhmen e bashkëpunimit me këtë vend?

Biaxho Bosone: Do të shprehem në vija të përgjithshme. Shqipëria është një vend ku demokracia ka hedhur rrënjë. Unë do të prisja një proces normal elektoral, ku qeveria që do të dalë do të vazhdojë procesin e filluar, në mënyrë që Shqipëria të bëhet një vend kreditor i besueshëm në gjirin e komunitetit ndërkombëtar. Unë nuk do të prisja ndërprerje, që do ta nxirrnin Shqipërinë nga kjo rrugë e drejtë.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit Banka Botërore e ka përqëndruar vëmendjen e saj tek rajoni i Afrikës. A pritet që kjo strategji e Bankës Botërore të ketë ndikim tek programet për vende të tilla si Shqipëria?

Biaxho Bosone: Po, përpjekja në Afrikë, është një përpjekje shtesë veç asaj që Banka po bën sot dhe ka në plan të bëjë në të ardhmen. Unë nuk pres që Afrika të ndikojë në programet për vendet e tjera. Theksi i tanishëm është në Afrikë, pasi në se shihen synimet e mijë vjeçarit për vendet në zhvillim, Afrika ka nevojat më të mëdha. Por komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Bankën Botërore, ka thënë se këto përpjekje për Afrikën do të jenë shtesë dhe jo në kurriz të vendeve të tjera.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit Shqipëria nënshkroi një projekt me disa banka evropiane dhe me një firmë amerikane për hekurudhën elektrike Tiranë-Durrës. Banka Botërore dhe FMN-ja kanë shprehur disa rezerva për të. Cili është qëndrimi i Bankës Botërore lidhur me këtë projekt të qeverisë Shqiptare sot?

Biaxho Bosone: Ky është një program i rëndësishëm i infrastrukturës së transportit. Synimi është të lidhen dy qytete të mëdha dhe kjo në vetvete nxit zhvillimin. Kjo do të lejonte Shqipërinë të hynte në marrëdhënie me partnerët tregëtarë, me kushte tregu, dhe kjo është e rëndësishme në kontekstin e asaj që thashë më parë, se vendi duhet të mësojë si të ecë me këmbët e veta, në botën e sotme financiare. Pra ky projekt ofron mundësi për të hyrë në marrëdhënie biznesi me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Pra në këtë kuptim është një hap i rëndësishëm. Por pa dyshim, duhet të meren masa që procesi të jetë transparent, që nga kjo nismë të ketë përfitime ekonomike, pra në se ka transparencë dhe në se projekti nuk shton barën për buxhetin e vendit, atëhere, ai duhet të vazhdojë ashtu siç është planifikuar.

XS
SM
MD
LG