Lidhje

Përvjetori i parë i kalimit të sovranitetit në Irak


Sot është përvjetori i parë i kalimit të sovranitetit në Irak dhe me këtë rast presidenti Bush do të mbajë një fjalim, që do të transmetohet në televizion në gjithë vendin. Këtë fjalim presidenti e mban në një kohë kur kryengritja irakiane me dhunë duket se po vë në provë vendosmërinë amerikane dhe irakiane, ndërkohë që anketat e opinionit tregojnë se mbështetja amerikane për luftën është në rënie

Fjalimi i presidentit Bush është një pjesë e rëndësishme e fushatës së Shtëpisë së Bardhë për ta përqëndruar vëmëndjen në zhvillimet pozitive në Irak. Zyrtarë të administratës amerikane janë të shqetësuar se njoftimet e përditshme lidhur me shpërthimet vetëvrasëse dhe shtimin e vdekjeve në Irak po dëmtojnë mbështetjen e publikut për luftën dhe rindërtimin e Irakut.

Një anketë e fundit e opinionit publik e kryer nga rrjeti televiziv CBS dhe gazeta New York Times tregon se 37 përqind e amerikanëve e mbështesin presidentin Bush në mënyrën se si po e trajton luftën në Irak, në krahasim me 45 përqind që kjo mbështetje ishte në muajin shkurt.

Presidenti Bush thotë se personat që organizojnë akte të dhunshme kryengritëse po përpiqen të dëmtojnë mbështetjen e publikut si në Irak ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. “I gjithë synimi i tyre është që të frikësojnë popujt e të dy vendeve tona. Ata po përpiqen të bëjnë pikërisht këtë. Ata mendojnë se në se trondisin vullnetin tonë dhe ndikojnë opinionin publik, atëhere politikanët do të heqin dorë nga misioni. Unë nuk do të heq dorë nga misioni ynë sepse ne jemi angazhuar në një veprim pozitiv.”

Më shumë se 1 mijë e 700 amerikanë kanë humbur jetën në Irak dhe presidenti Bush thotë se mënyra më e mirë për t’i nderuar ata është që misioni të përfundohet. Ai ka hedhur poshtë thirrjet e disa anëtarëve të kongresit amerikan për të caktuar një afat për tërheqjen e trupave amerikane, duke thënë se një gjë e tillë mund të përforcojë forcat kryengritëse.

Pentagoni ka stërvitur ushtarë irakianë për të zëvëndësuar trupat amerikane dhe thotë se deri tani rreth 170 mijë forca irakiane të sigurimit janë rekrutuar, stërvitur, pajisur dhe dislokuar. Komandanti i Korpusit Shumë-Kombësh në Irak, gjeneral lejtnanti John Wines thotë se trupat irakiane të sapo stërvitura po e kryejnë mirë detyrën e tyre. “Kryerja e detyrës prej tyre në përgjithësi ka qënë shumë e mirë. Atje ku udhëhiqen më së miri, ata kanë treguar se janë patriotë, janë të gatshëm të luftojnë dhe se e bëjnë fare mirë detyrën e tyre.”

Ministri i jashtëm irakian, Hoshyar Zebari parashikon se duke u nisur nga niveli i tanishëm stërvitor, forcat shumë kombëshe mund të fillojnë të tërhiqen nga Iraku vitin e ardhshëm. “Në se në fillim të vitit 2006 do të tërhiqeshin disa forca kjo do të ishte e kuptueshme se deri atëhere aftësia e forcave tona ushtarake do të ishte më e madhe, ato do të jenë më të pajisura dhe më të stërvitura. Në teren tashmë shumë përgjegjësi po kalohen pak nga pak nga forca shumë kombëshe tek njësitë irakiane.”

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se shumë prej autorëve të sulmeve vetëvrasëse në Irak vijnë nga vende si Arabia Saudite, Egjipti, Jemeni dhe Sudani. Zyrtarë të lartë amerikanë, si për shembull sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice, po i bëjnë presion Sirisë që të sigurojë më shumë kufijtë e saj me Irakun. “Ne të gjithë pranojmë detyrimin tonë për ta ndihmuar Irakun që të pëmbushë premtimin e transformimit të tij demokratik. Fqinjët e Irakut, Siria në vecanti, duhet të sigurojnë kufijtë e tyre që të mos lejojnë kalimin e atyre elementëve që përpiqen të shkatërrojnë përparimin e bërë në Irak.”

Kritikët e administratës së presidentit Bush për mbarëvajtjen e luftës në Irak, si senatori Joe Biden, argumentojnë se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po bëjnë deklarata të gabuara rreth luftës. Senatori Biden, i cili kohët e fundit u kthye nga një vizitë në Irak, tha se zyrtarët e administratës po bëjnë vlerësime tepër pozitive mbi situatën atje. “Shkëputja midis retorikës së administratës dhe realitetit në terren ka krijuar jo vetëm një hendek por një humnerë mosbesimi. Në qendër të kësaj humnere janë 139 mijë trupat amerikane disa prej të cilëve janë në periudhën e tretë të sherbimit", tha senatori Biden.

Sfida e menjëhershme politike me të cilën përballet qeveria e re irakiane është hartimi i një kushtetute të re deri në 15 gusht. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan thotë se është shumë e rëndësishme që të gjitha grupet etnike dhe fetare të përfshihen në këtë proces. “Irakianët duhet të punojnë së bashku për të hartuar kushtetutën e re përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës që u përgjigjet kërkesave të të gjithë zgjedhësve. Arritja e konsensusit për një kushtetutë të re do të kërkojë kompromis dhe ne kemi parë që ky kompromis është i mundur dhe jep fryte.”

Në se asambleja e përkohshme e Irakut harton një kushtetutë deri në muajin gusht, ajo do të hidhet në votë në një referendum mbarë kombëtar në tetor. Zgjedhjet për një qeveri të përherëshme do të mbahen pastaj në dhjetor dhe zyrtarët e zgjedhur do të fillojnë nga detyra në fund të vitit.

XS
SM
MD
LG