Lidhje

Sot, përvjetori i kalimit të sovranitetit tek populli irakian


Sot është një vjetori i kalimit të sovranitetit tek populli irakian, ndërkohë që sulmet e kryengritësve vazhdojnë të shkaktojnë viktima mes ushtarakëve dhe civilëve.

Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se nuk mund të parashikojë kur Iraku do të jetë i sigurtë dhe i lirë nga dhuna e kryengritësve. “Ka shumë të paditura prandaj do të nguroja të parashikoja në se do të duhen kaq apo aq muaj apo vite. Nuk mund të them asgjë.”

Këto deklarata janë në kontrast me komentet e djeshme në Londër të kryeministrit irakian Ibrahim al-Jaafari, i cili tha se dy vjet do të jenë të mjaftueshëm për të vendosur sigurinë në vend.

Në konferencën për shtypin dje në Pentagon, sekretari Rumsfeld tha se qëllimi i koalicionit është të krijojë kushte në të cilat populli irakian të mundësojë sigurinë e tij. “Për një gjë kam shumë besim dhe mendoj se do të kem të drejtë. Ndershmërisht besoj se kjo kryengritje do të mposhtet nga populli irakian dhe jo nga vendet e koalicionit apo nga Shtetet e Bashkuara.”

Megjithë njoftimet e ndryshme, gjenerali i ushtrisë George Casey, komandat i forcave ndërkombëtare në Irak, thotë se ushtria nuk po negocion me kryengritësit. Ai tha se drejtuesit ushtarakë takohen herë pas here me udhëheqësit fisnorë dhe me ata sunni. “Ti quash këto diskutime negociata nuk është e drejtë. Ato janë diskutime dhe bëhen për të përfshirë udhëheqësit suni dhe popullin që ata përfaqësojnë në procesin politik. Por t’i karakterizosh ato si negociata me kryengritësit për t’i dhënë fund dhunës, nuk është dicka e saktë.”

Sot, në një vjetorin e transferimit të sovranitetit tek Iraku, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Bush do të flasë rreth strategjisë amerikane për sukses në Irak në fjalimin që do të mbajë sonte dhe që do të transmetohet në mbarë vendin në televizion.

XS
SM
MD
LG