Lidhje

Nano:Angazhimet tona nuk kanë natyrën e karremave elektoralë që vijnë me shumicë nga Berisha


Zëri i Amerikës: Zoti Nano, ju e keni bazuar fushatën tuaj në sulmet kundër figurës së kundërshtarit tuaj Berisha. Pas 8 vjet qeverisjeje, ju nuk e shihni të mundur të kërkoni një votë për socialistët dhe jo një votë kundër Berishës?

Fatos Nano: Në fakt, zgjedhësit shqiptarë ftohen të mos harrojnë dhe të jenë shumë të vërtetë në arësyetimin për të zgjedhur midis alternativës Berisha dhe alternativës sonë, të socialistëve dhe progresistëve që kemi transformuar vendin në tetë vjetët e fundit. Dhe nuk besoj se është e vështirë të shquhet se ky ballafaqim faktesh nuk ka të bëjë me një sulm personal timin ndaj Berishës apo të cilitdo prej kandidatëve të mi ndaj kundërshtarëve. Është një ballafaqim faktesh që flasin vetë. Alternativa e Berishës që mori fund në 97-ën ka një realitet të qartë të kristalizuar në mëndjen e të gjithë shqiptarëve. Ajo mbaroi me një krizë të rëndë të shtetit, të ekonomisë, të shoqërisë, të integritetit kombëtar dhe të sigurisë që u desh të rivendoset me shumë vështirësi: jo vetëm me 10-11 ushtri të huaja por me një kohë të gjatë në të cilën ne çrrënjosëm piramidat, kthyem njerëzit në punë, rivendosëm autoritetetin e ligjit dhe bëmë të mundur që shqiptarët jo vetëm të ndërtojnë mirëqënien dhe perspektivën e tyre me shfrytëzimin e hapësirave të lirisë së vërtetë që u rikthye në një shoqëri demokratike me institucione që nisën të funksionojnë, por edhe të bëhen bashkëpjesmarrës në këtë transformim të madh që ka ndodhur në Shqipëri në 8 vjetët e fundit.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, po ju drejtoj një pyetje që ia kam drejtuar edhe zotit Berisha: normalisht ekziston një praktikë që partitë në prag të fushatave, përveç programeve afatgjatë paraqesin edhe disa masa ose ndryshime që kërkojnë të realizojnë brenda një periudhe të shkurtër, për shembull 6 muajsh ose 100 ditore. Ju, a keni një plan të tillë?

Fatos Nano: Angazhimet tona nuk kanë natyrën e karremave elektoralë që vijnë me shumicë nga Berisha. Partitë e tjera kanë hyrë hyrë duket jo shumë të përgatura me platforma dhe alternativa në këto zgjedhje. Berisha përgjithësisht po hedh karrema elektoralë dhe do të duhej buxheti i Zvicrës, pavarësisht nga 100 apo 1000 ditë të shpallura apo të programuara prej KOP-it, që të bëheshin realitet tullumbacet dhe karremat elektoralë që ka lëshuar Berisha. Për pasojë, unë jam i bindur që për shkak të programimit korrekt, të saktë, ne do të fillojmë qysh në gjysmën e dytë të këtij viti, pra pas zgjedhjeve, zbatimin e strategjisë dhe të profilit të ri ekonomik të vendit që kemi studiuar së bashku me ekspertët e shoqërisë McKinsey, i cili synon që edhe një herë tjetër, që në dhjetëvjeçarin që na ndaj nga 2015-a, ose anëtarësimi në BE, të trefishojmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke zhvilluar manifakturën, prodhimin e mallrave për konsum apo montazhin e mjeteve të transportit me kapital të huaj të drejtpërdrejtë, me zhvillimin e turizmit si dhe me industritë e argëtimit. Së treti është elementi i prodhimit të ushqimeve biologjike që ka precedentë, siç është shembulli i Çekisë dhe kjo mund të bënte konkurrues edhe në fushën e prodhimit agroushqimor. Të gjitha këto marrin hov qysh në muajin shtator sepse kanë për t’u përgatitur një numër ndërhyrjesh në legjislacion për lehtësirat e ardhjes së kapitalit të huaj.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, sondazhet e kryera jo vetëm këtë prag zgjedhjesh kanë treguar se ka një pakënaqësi të madhe ndaj qeverisjes suaj. Ndoshta gabohem por gjatë kësaj fushate nuk kam dëgjuar të kërkohet ndjesë apo të pranohen ato gabime ose kostoja e shkaktuar për shkak të një lufte të gjatë të brendshme të partisë suaj.

Fatos Nano: Natyrisht gaboheni sepse prova më e freskët është mesazhi im gjithashtu televiziv i çeljes së fushatës në të cilën unë njoha jo vetëm progresin e madh por edhe gabime apo çështjet e pazgjidhura ende gjatë tetë vjetëve të qeverisjes sonë si dhe shpalla angazhime preçize për ti fiksuar këto gabime dhe për të rritur ritmin dhe kapacitetin e kapërcimit të problemeve që ende dhe natyrshëm shqetësojnë grupe apo faktorë të ndryshëm në opinion. Sidoqoftë ne kemi një njohje realiste të gjendjes, kemi strategji dhe programe shumë të orientuara për të ruajtur dhe bërë akoma më të qartë dinamikën e rritjes dhe shtrirjes së zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në të gjithë vendin në mënyrë të qëndrueshme dhe më të harmonizuar. Padyshim ne jemi shumë të orientuar zhvillimi i demokracisë së brendëshme, debatet e brendëshme janë një karakteristikë e spikatur e forcës politike që unë drejtoj... demokracia kjo është. Më në fund jemi ne shembulli më i gjallë që demokracia në Shqipëri është vibrante dhe unë besoj të gjitha debatet na kanë shërbyer për të korrektuar shënjestrën dhe për të krijuar ekipe gjithnjë e më efikase të cilat për mandatin e ri qeverisës që kërkojmë do të jenë një kombinacion shumë më i mirë i profesionalizmit me aftësinë për të krijuar një performancë në përgjigje të kërkesave të njerëzve.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, një çështje e trajtuar shumë gjerë është ajo e luftës kundër korrupsionit apo krimit të organizuar. Ju vetë e keni trajtuar këtë çështje, keni dhënë përgjigje për pyetje të shumta, keni folur dhe keni thënë se keni marrë masa të shumta, megjithatë është një pikë e cila mbetet pothuajse në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve madje kujtoj këtu edhe artikullin e fundit për shtypin shqiptar të zotit Solana pak ditë më parë, i cili thotë se qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve duhet të marrë masa të rrepta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra do të thotë se kjo luftë ka qënë e pamjaftueshme.

Fatos Nano: Natyrisht nuk është e mjaftueshme por dua të theksoj se kuadrin e institucioneve, të legjislacionit dhe të intrumentave të luftës kundër korrupsionit e kemi krijuar ne. Unë kam një iniciativë personale në këtë fushë me qeverinë e 1998, ku në studimin e parë në të cilin u angazhova me Bankën Botërore për Shqipërinë arritëm të identifikojmë gjendjen e më pas të përcaktojmë projekte dhe programe standarte të krijimit të intrumentave të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tashmë ka një numër hapash të rëndësishëm në legjislacion të cilat do ti lidhja me institucionet e reja të krijuara siç janë auditi i specializuar dhe i pavarur mbi përdorimin e fondeve publike mbi ekzekutivin apo nivelet e ndryshme të qeverisjes qëndrore apo vendore, është kontrolli i lartë i shtetit, është inspektoriati i lartë i deklarimit të pasurive dhe i kontrollit për funksionarët si dhe një numër institucionesh të tjera të pavarura deri tek avokati i popullit. Sidoqoftë më vjen mirë që partneriteti me aleatët dhe me agjencitë e specializuara të krijuara në këtë fushë është shumë veprues. Edhe në vizitën e fundit të drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Zbulimit të Shteteve të Bashkuara mora vlerësimin e tij për progresin e madh në këtë fushë e cila nuk po përfshin vetëm goditjen ndaj terrorizmit por edhe me gjithçka tjetër që lidhet me korrupsionin dhe krimin e organizuar që ushqen veprimtaritë terroriste edhe në shkallë rajonale apo për shkak të penetrimit të kufijëve tanë në fenomene të tilla globale. Besoj se kjo është edhe asryeja që ai e mirëpriti kërkesën time për të forcuar bashkëpunimin midis ekspertëve dhe asistencën jo vetëm të kësaj agjencie por edhe të agjencive të tjerë kundër krimit, korrupsionit, trafiqeve krahas suksesit dhe përvojës që kemi fituar në luftën kundër terrorizmit apo trafiqeve në tërësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano së fundi dua të ndalem në situatën politike brenda së majtës. Ju e nisët fushatën duke sulmuar ashpër Lëvizjen Socialiste për Integrim. Më pas ky qëndrim erdhi duke u zbutur deri në thirrjet që elektorati i saj të votojë për kandidatët tuaj. Ndërkohë ju jeni shprehur mjaftë të sigurtë në fitoren tuaj. Pse ju shqetëson atëherë që vota të shkoj edhe drejt kandidatit të LSI-së?

Fatos Nano: Këto zgjedhje përbëjnë një ballafaqim midis dy alternativave: Berishës dhe ne. Në polemikën apo në komunikimin elektoral me dhe për LSInë dua të theksoj se nuk ka dhe nuk ka pasur asgjë personale apo të personalizuar për individë apo sjellje të veçanta kandidatësh të tyre. Gjithçka po ndodh ka të bëjë me nevojën që votat e së majtës progresiste të mos çahen sepse në këtë rast do të përfitonte e kaluara dhe Berisha që edhe simpatizantët apo faktorët që përfaqësojnë LSInë e dimë mirë që është sërisht i pandryshuar, është i pandreqshëm dhe për pasojë komunikimi ynë apo i imi drejtëpërdrejt me ta lidhet me faktin që ata kanë të njëjtat interesa me ne dhe ata e duan Shqipërinë të qetë, dinamike dhe të sigurtë në rajon dhe në Evropë dhe prandaj çdo votë që nuk bashkohet, që çahet nga e majta progresiste është një votë për Berishën, është një votë kundër dëshirave të tyre dhe që shton riskun e një situate elektorale të paqëndrueshme apo që në rastin më të keq shkon në favor të Berishës.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano ju falenderoj për intervistën.

Fatos Nano: Ju falenderoj edhe unë sepse është gjithnjë një avantazh të komunikosh me dëgjuesit dhe shikuesit nëpërmjet Zërit të Amerikës që prej vitesh ndjek zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, pra ka ndjekur edhe transforminim e saj për shkak të qeverisjes sonë.

XS
SM
MD
LG