Lidhje

Eliot Engel: I përket popullit shqiptar të vendosë dhe jo amerikanëve se cili do të jetë udhëheqësi i tij


Kongresmeni Eliot Engel, demokrat nga New Yorku, niset sot për në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet e të djelës. Në një bisedë me kolegen Isabela Çoçoli, zoti Engel theksoi me forcë rëndësinë dhe vemendjen që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Kongresmen ju po shkoni në Shqipëri për zgjedhjet e 3 korrikut, përse po e ndërmerni një udhëtim të tillë?

Eliot Engel: Mendoj se zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. Shqipëria është në fakt në një udhëkryq. Ne duam që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme dhe dëshirat e popullit shqiptar të pasqyrohen në zgjedhje. Është me shumë rëndësi që zgjedhjet të jenë të tilla, pasi në të kaluarën ne kemi parë se ndershmëria dhe vërtetësia e zgjedhjeve kanë qënë të diskutueshme.

Ne duam të shikojmë që në këto zgjedhje se ata që shpallen fitues, fitojnë në të vërtetë, dhe ata që humbasin, kanë humbur në të vërtetë. Prandaj, së bashku me kolegun tim Chris Smith ne paraqitëm një rezolutë për këto zgjedhje, që u miratua para pak ditësh nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Unë po shkoj në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet së bashku me shumë të tjerë, sepse kam qënë gjithnjë i interesuar për Shqipërinë, sepse dua që lidhjet dhe marrëdhënit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuar të jenë gjithmonë të forta dhe në qoftë se ne i tregojmë botës se zgjedhjet në Shqipëri janë të lira dhe të ndershme dhe se ajo është pjesë e vendeve demokratike të botës, perspektiva e vendit do të jetë shumë premtuese.

Zëri i Amerikës: Janë shprehur shqetësime nga analistë të ndryshëm, që burojnë nga problemet e brendëshme që ka Shqipëria, si korupsioni, krimi i organizuar, monopolet ekonomike, e kështu me radhë, se zgjedhjet mund të mos jenë të lira dhe të ndershme. A keni arsye të dyshoni për mbarëvajtjen e tyre?

Eliot Engel: Unë kam rezerva, prandaj edhe po shkoj të vëzhgoj zgjedhjet. Shpresoj që të gjitha rezervimet të provohen të gabuara, sepse për mua nuk është me rëndësi se kush zgjidhet, për mua me rëndësi është që demokracia të hedhë rënjë të thella në Shqipëri. Është me shumë rëndësi që zgjedhjet të pasqyrojnë realisht dëshirën e popullit shqiptar për udhëheqësin e vet.

E ardhmja e Shqipërisë, anëtarësimi i saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian është kushtëzuar mes të tjerash, me lirinë dhe ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe zgjedhjeve të tjera në të ardhmen. Këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për të adresuar një herë e përgjithmonë ato probleme të brendëshme të vendit, që përmendët ju.

Në qoftë se këto zgjedhje do të manipuloheshin, realizimi i aspiratave të Shqipërisë do të vonohej për shumë e shumë vite. Unë nuk duan në asnjë mënyra të shikoj një gjë të tillë, unë dua që Shqipëria të bëjë pjesë në komunitetin e vendeve të lira dhe demokratike të botës.

Zëri i Amerikës: A mbështesni ju ndonjë eksponent të caktuar të skenës politike shqiptare që mendoni se do të ishte më i përshtatshëm se të tjerët për ta çuar Shqipërinë në këtë drejtim?

Eliot Engel: Unë nuk mbaj anën e asnjë pale në politikën shqiptare, kjo i përket popullit shqiptar të vendosë dhe jo amerikanëve. Por fakti që një numër i madh vëzhguesish po shkojnë në Shqipëri tregon se ne duam që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Sa më e madhe të jetë prania ndërkombëtare në Shqipëri ditën e zgjedhjeve, aq më të mëdha janë shanset që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Me rezolutën 155 të Dhomës së Përfaqësuesve dhe me praninë tonë në Shqipëri ne duam të themi se Shqipëria është në një udhëkryq, ajo ose do të shkojë përpara ose do të mbetet prapa. Do të ishte tragjike që ajo të mbetej prapa, sepse pas dekadash të tëra diktature dhe shtypjeje, ajo ka shansin të jetë një vend i lirë dhe demokratik, por duhet patjetër të veprojë si një vend i tillë.

Unë e kam thënë gjithnjë dhe e përsëris, se populli shqiptar është miku më i mirë i popullit amerikan, shqiptarët janë shumë pro-amerikanë, ata kanë një dashuri të sinqertë për Shtetet e Bashkuara dhe unë do ta ndihmoj Shqipërinë, në çdo mënyrë që të mundem, që ajo të ecë në drejtimin e duhur, prandaj dhe është me shumë rëndësi që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme.

XS
SM
MD
LG