Lidhje

Shqipëria në prag të zgjedhjeve vendimtare për të ardhmen e demokracisë në vend


Të dielën në Shqipëri mbahen votimet e 3 korrikut, të cilat janë konsideruar vendimtare për rrugën e mëtjeshme demokratike të Shqipërisë. Komuniteti ndërkombëtar pret që zgjedhjet e gjashta parlamentare që pas përmbysjes së komunizmit, të jenë plotësisht të lira dhe të drejta. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, fakti që Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, mund të marrin numër të përafërt votash, mund t’i hapë rrugë kontestimit të rezultateve prej tyre.

Votuesit do të zgjedhin deputetët për parlamentin e ardhshëm. Gara më e fortë zhvillohet mes Partisë Socialiste të kryeministrit Fatos Nano dhe Partisë Demokratike të ish-Presidentit Sali Berisha, të cilët prej vitesh janë mbërthyer në një luftë politike të ashpër. Prej më shumë se një dekade, pushteti në Shqipëri ka kaluar sa tek njëri tek tjetri mes tyre.

Zgjedhjet e së dielës janë votimet e gjashta parlamentare që pas rënies së komunizmit. Të gjitha zgjedhjet e mëparshme janë shoqëruar ose nga dhuna, ose nga manipulime të shumta. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli shpreson që këto zgjedhje të plotësojnë standardet perëndimore.

“Këto zgjedhje janë një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe do të ndiqen nga afër. Ato janë një shans për udhëheqësit politikë dhe shoqërinë civile të Shqipërisë, që t’i tregojnë botës, t’u tregojnë fqinjëve të tyre se po përmbushin standardet ndërkombëtare dhe po bëjnë përparim në rrugën drejt përfshirjes në komunitetin ndërkombëtar, si anëtare e një komuniteti të integruar euro-atlantik”.

Dan Redford është këshilltar politik në zyrën e Institutit Demokratik Amerikan në Tiranë. Ai thotë se nëse zgjedhjet janë të lira dhe të drejta, do të shtoheshin shanset e Shqipërisë për anëtarësim në institucionet euro-atlantike.

“Sigurisht që drejtimi i së ardhmes për Shqipërinë është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe në masë të madhe, siç janë shprehur edhe figura të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare, kjo do të varet nga cilësia e këtyre zgjedhjeve”.

Të dyja partitë konsiderohen si autoritare dhe besueshmëria e tyre ka rënë. Gjatë viteve të fundit të qeverisjes socialiste, në Shqipëri ka patur një rritje ekonomike të konsiderueshme dhe zoti Nano shpreson se përpjekjet e tij për integrimin e Shqipërisë në institucionet evropiane do t’i japin epërsi për votimin e së dielës.

Sipas anketave parazgjedhore, dy partitë kryesore gëzojnë mbështetje thuajse të barabartë, ndërsa Lidhja Socialiste për Integrim, po sipas sondazheve mund të marrë rreth 10 për qind të votave. Analistët shqetësohen se nëse rezultatet për socialistët dhe demokratët janë shumë pranë njëra-tjetrës, kjo mund t’u hapte rrugën secilës prej tyre që të kundërshtonte rezultatin. Rreth 450 vëzhgues të huaj, shumica të OSBE-së, do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e 3 korrikut.

XS
SM
MD
LG