Lidhje

Charles English: Zgjedhjet e 3 korrikut, ndoshta më kritiket që nga rënia e komunizmit


Charles English, Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se zgjedhjet e të djelës në Shqipëri janë ndoshta zgjedhjet më kritike që nga rënia e komunizmit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një domosdoshmëri për të treguar se Shqipëria me të vërtetë i takon familjes së vendeve demokratike të Evropës dhe NATO-s, tha diplomati amerikan.. Të ndjekim në vazhdim intervistën që zoti English i dha koleges Isabela Çoçoli.

Zëri i Amerikës: Zoti English, pothuajse për një vit, Shtetet e Bashkuara i kanë kushtuar vemendje të vazhdueshme zgjedhjeve të 3 korrikut në Shqipëri. A ka ndonjë arsye të posaçme për këtë vemendje?

Charles English: Arsye është shumë e thjeshtë. Ne besojmë se këto zgjedhje janë kritike për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe të ardhmen e vendit. Ndoshta këto janë zgjedhjet më kritike që nga rënia e komunizmit. Fakti është se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Ajo është gati ta kalojë atë për t’u integruar në strukturat evropiane dhe ato euroatlantike. Për t’ia arritur këtij qëllimi, është me shumë rëndësi për Shqipërinë që këto zgjedhje të vlerësohen nga komuniteti ndërkombëtar si të lira dhe të ndershme dhe të përmbushin të gjitha standarded demokratike.

Kjo është diçka që populli shqiptar e meriton. Ai meriton zgjedhje që shprehin plotësisht vullnetin e tij. Mbajtja e zgjedhjeve të tilla është një domosdoshmëri për të treguar se Shqipëria me të vërtetë i takon familjes së vendeve demokratike të Evropës dhe NATO-s, të këtij komuniteti shumë të rëndësishëm të demokracisë. Shpresoj dhe pres që rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të jenë shprehje e vullnetit të popullit shqiptar, dhe si të tilla të jenë të lira dhe të ndershme.

Zëri i Amerikës: A mbështesin Shtetet e Bashkuara në këto zgjedhje ndonjë segment të caktuar të spektrit politik shqiptar, ndonjë individ të caktuar?

Charles English: Ne mbështesim procesin politik në Shqipëri. Ne mbështesim popullin shqiptar, vullnetin e popullit shqiptar. Sido që të shprehet ky vullnet, populli shqiptar është një mik i madh i Shteteve të Bashkuara. Çfardo qeverie që të dalë nga këto zgjedhje, ne e dimë se do të jetë gjithashtu një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara.

Prandaj ne nuk mbështesim asnjë parti politike, nuk mbështesim ndonjë rezultat të veçantë të këtyre zgjedhjeve, por ne mbështesim popullin shqiptar në ushtrimin e vullnetit të tij djelën, në këto zgjdhje shumë të rëndësishme. Cilido qoftë rezultati i tyre, ne u bëjmë thirrje partive politike të respektojnë dhe pranojnë përfundimin e përcaktuar nga populli shqiptar dhe të ecin përpara. Qeveria që do të vijë pas zgjedhjeve duhet të formohet shpejt dhe të respektojë vullnetin e popullit.

Ne po i ndjekim këto zgjedhje me kujdes. Komuniteti ndërkombëtar ka dërguar misionin e tij të vëzhguesve në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara marrin pjesë me një numër të madh përfaqësuesish në këtë mision. Ne jemi atje thjesht për një qëllim, të sigurojmë se populli shqiptar ka mundësinë të ushtrojë të drejtën e votës lirisht. Ne po ndjekim me vemendje këto zgjedhje dhe presim që të gjitha palët të respektojnë detyrimet që kanë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sepse e ardhmja e tyre varet në respektimin e këtyre detyrimeve.

Zëri i Amerikës: Po nëqoftë se këto zgjedhje nuk do të ishin të lira dhe të ndershme, nuk i plotësojnë standardet ndërkombëtare, çfarë do t’i thoshit ju këtij miku problematik të Shteteve të Bashkuara?

Charles English: Ka një sërë problemesh që do t’i bënin zgjedhjet më pak të lira dhe të ndershme. Në këtë rast ka procedura të përcaktuara mirë nga institucione kompetente elektorale në Shqipëri për t’i dhënë çfarë i takon palës që ankohet dhe kjo nga ana e saj të shfrytëzojë të drejtat e saj ligjore për të apeluar rezultatet e zgjedhjeve, në qoftë se ajo beson se zgjedhjet nuk janë zhvilluar në bazë të procedurave të përcaktuara nën drejtimin e komunitetit ndërkombëtar.

Palët duhet ta kenë të qartë se komuniteti ndërkombëtar do të mbetet i pakënaqur me çdo rezultat që nuk pasqyron vullnetin e popullit shqiptar. Çfarë do të ndodhte në një rast të tillë është se rruga e Shqipërisë drejt strukturave evropiane nuk do të ishte e hapur sa duhet. Shqipëria duhet të tregojë se është e përgatitur të ushtrojë të drejtat dhe të marrë përsipër përgjegjësitë e saj në komunitetin evropian dhe atë euroatlantik. Pra e ardhmja e Shqipërisë varet në fakt nga zhvillimi me korrektesë i këtyre zgjedhjeve. E përsëris se ne po i ndjekim me shumë vemendje ato.

XS
SM
MD
LG